Pandemia e koronavirusit ka detyruar Kosovën dhe Serbinë të bëjnë disa lëvizje bashkëpunimi, por pa bërë ndonjë shenjë ndryshimi në më shumë se dy dekada të retorikës politike, përderisa të dy vendet presin të arrijnë një ujdi finale që i çon ato në normalizim marrëdhëniesh.
Në një situatë emergjente dhe në mes të ndarjeve të thella etnike, Serbia dërgoi një ekip prej 75 mjekëve dhe 200 infermierëve për të mbështetur komunitetin serb në Kosovë. Po ashtu Ministria e Shëndetësisë e Serbisë i dhuroi një donacion prej 1000 testesh sistemit shëndetësor të Kosovës.
Në fillim të pandemisë, testet për COVID-19 në komunat e drejtuara nga serbët filluan të dërgohen në Beograd dhe disa nga të infektuarit transferoheshin për trajtim në Serbi.
Por më vonë, komunat me shumicë serbe filluan zbatimin e masave të Qeverisë së Kosovës në bazë të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Veprimet e komunave serbe ndryshuan vetëm pasi Serbia u kërkoi të respektojnë vendimet për kufizime në lëvizje.
Oda e Mjekëve e Kosovës akuzoi qeverinë e ish-kryeministrit, Albin Kurti, për lejimin e mjekëve nga Serbia duke thënë se ishte një shenjë mosbesimi ndaj stafit vendor. Kjo u bë një prej sulmeve që gjithashtu ranë mbi qeverinë nga partitë opozitare në Kuvend.
Kurti u akuzua së pari, sidomos nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, se lejoi Serbinë të shpallë dhe mbajë kontrollin e gjendjes së jashtëzakonshme në veri të Kosovës, dhe se e cenoi sovranitetin e vendit.
Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, shpjegon se bashkëpunimi kryesisht ndërlidhej me heqjen e pengesave reciproke për lejimin e asistencave mjekësore dhe financiare në shërbim të përgjigjes ndaj pandemisë.
“Kosova ka lejuar vizitat monitoruese të kontrolluara të personalit shëndetësor nga Serbia në komunat ku shumicë janë serbët, ndërsa Serbia ka lejuar që Kosova t’i ndihmojë financiarisht komunat me shumicë shqiptarë në Luginën e Preshevës”, ka thënë Hoti për New Perspektivën.
Në prill, ish-ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, dhe ai i Serbisë, Zlatibor Lončar, biseduan në një video-konferencë të organizuar nga ministria e Jashtme italiane lidhur me përballjen me pandeminë. Ministrat konfirmuan se shkëmbyen pikëpamje dhe diskutuan veprimet për të trajtuar pandeminë.
Komunikimi i të dy ministrave u mbështet nga diplomatët amerikanë në Prishtinë dhe në Beograd që thanë se “është inkurajuese të shohësh ministrat e shëndetësisë duke bashkëpunuar si fqinjë, për t’iu shërbyer dhe mbrojtur të gjitha komunitetet në Kosovë dhe Serbi”.
Komunikimi në nivel humanitar në fakt shënon ndër të paktat lëvizje bashkëpunimit mes dy vendeve që prej më shumë se dy dekadave kur fushata ajrore e NATO-s në vitin 1999 i dha fund regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.
Por paralelisht palët kanë vazhduar retorikën e vjetër politike. Në adresimin në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ish-ministri i jashtëm, Glauk Konjufca, përsëriti akuzat ndaj Serbisë për krimet e kryera dhe kërkoi drejtësi për viktimat. “Serbia nuk është ende në gjendje të pranojë një fakt: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2010, vulosi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës”, tha Konjufca.
Më vonë akuzat ndaj qeverisë për lejimin e mjekëve dhe pranimin e testeve në Kosovë nuk pushuan, por Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe ajo e Serbisë vazhduan kontaktet përmes zyrave ndërlidhëse dhe ndërmjetësimit të misioneve diplomatike e ushtarake në Kosovë.
Në realitet, rastet e pakta të bashkëpunimit nuk kanë prodhuar ndonjë afrim. Qeveria e Kosovës ka hequr taksën dhe më pas ka vënë reciprocitetin që më vonë u hoq me ndërrimin e qeverisë në Prishtinë si një trysni për të rinisur dialogun e ndërprerë për gati një vit e gjysmë.
Virusi nuk ka njohur kufij, por kufijtë gjatë pandemisë nuk i kanë shërbyer aq vendeve për të ndryshuar kursin e deritashëm. Pandemia në Kosovë më shumë se pothuajse në tërë Evropën pati gjithashtu një tagër politik.
Në kohën kur në shumë vende qeveritë mbeteshin në detyrë dhe zgjedhjet anuloheshin Kosova shënoi një prej rasteve të rralla në kohë krizash kur qeveria bie për shkak të përplasjeve politike.
Lufta politike u ashpërsua edhe më shumë mes presidentit dhe qeverisë. Në betejën e tij më të ashpër të parë ndonjëherë ndaj oponentëve politikë, Thaçi akuzonte Kurtin për anti-amerikanizëm, përderisa Kurti tha se rënia e tij ishte për shkak se “nuk pranonte kompromise në dëm të sovranitetit të Kosovës”.
Heqja e reciprocitetit nën trysninë e të dërguarit amerikan për dialogun, Richard Grenell, për shumëkë ngriti pikëpyetje se mes kujt është dialogu dhe negociatat për normalizim? Nëse bisedimet janë mes Kosovës dhe Serbisë apo Kosovës dhe SHBA-së?
Premtimet ishin që Serbia do t’i hiqte barrierat e saj jo-tarifore në tregtinë me Kosovën dhe do ta ndërpriste fushatën e saj të çnjohjes së shtetit të Kosovës. Por ministri i Jashtëm serb, Ivica Dačić, javën e kaluar njoftoi se ka falënderuar Algjerinë për qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës.
Nga Qeveria në Prishtinë dhe as nga ndërmjetësuesit e dialogut, Richard Grenell dhe Miroslav Lajčak, nuk pati asnjë zë.
Gëzim Visoka, profesor i studimeve të paqes dhe konfliktit në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se në Kosovë nuk ka pasur diskutim të duhur politik për dialogun. “Gjithashtu nuk ka ende një konsensus nacional në çështjet thelbësore që mund të përfshijë një marrëveshje e mundshme”, thotë Visoka për New Perspektivën.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ftoi për 27 qershor një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington, takim i cili u anulua pasi u bë publike një aktakuzë për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër presidentit Thaçi.
Në mes të një vale në rritje të zërave që shihnin takimin në Uashington si shmangie të ndërmjetësuesit të deritashëm të këtij dialogu, Bashkimit Evropian, shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thirri një takim në Bruksel me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.
Në Kosovë qeveria nuk ka shpalosur ende ndonjë platformë për rifillimin dialogut që ishte bllokuar në nëntor 2018 pasi Kosova vuri një taksë prej 100% ndaj produkteve serbe dhe deri më tani nuk dihet se nga do të nisë apo çka do të ketë në tavolinë ky ‘rifillim i dialogut’. I dërguari amerikan ka paralajmëruar krijimin e një zone ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë përderisa shumë pikëpyetje mbesin rreth asaj se çfarë do të mund të përfshijë një marrëveshja finale mes të dy vendeve.
Kryediplomati evropian, Borrell, ka thënë së fundi se nëse blloku nuk mund ta zgjidh problemin Kosovë-Serbi, “nuk mund të pretendojmë që jemi faktor gjeopolitik”.
Ai gjithashtu ka thënë se nuk janë në garë me Uashingtonin se kush mund ta zgjidhë këtë çështje, një tjetër sinjal i pasigurisë së BE-së se vitet e pafrytshme të dialogut mund të përsëriten.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.