Kur dera e lartë e manastirit të Sokolicës hapet rëndë, kryemurgesha i bën shenjë një murgesheje të re ta sjellë mbulesën. Është një rend shtëpiak të cilin kryemurgesha 77 vjeçare Makarija i kërkon secilit vizitor që ta respektojë. Disa stofra të pambuktë me vija shumëngjyrëshe që rrinë varur janë ‘uniforma’ për gratë që hyjnë aty.
Në doktrinën e saj kishtare, lutjet, bindja dhe mëshira nuk janë e vetmja mënyrë se si Makarija e sheh të zhvillohet devotshmëria prej murgeshe. Në pragun e një manastiri të rrethuar me banorë shqiptarë ngjitur për thepat e një mali të komunës veriore të Zveçanit, rrëfimi i kësaj murgeshe për bashkëjetesën dhe fqinjësinë e mirë duket se nuk ka ndryshuar kohë dhe përmbajtje.
“Manastiri ka pasur vazhdimisht njerëz të mirë përreth. Ne jetojmë të rrethuar me fqinj që janë në raporte të mira me manastirin dhe manastiri me ata”, thotë ajo.
Tetëmbëdhjete vjet pas luftës së Kosovës për çlirim nga regjimi i Milošević-it, luftë kjo e mbështetur nga NATO në vitin 1999 që la pas ndarje te thella ndëretnike, kjo murgeshë thotë se ndihet e respektuar nga shumica e banorëve shqiptarë.
“Derisa bombardimet ishin në kulm, fqinji im i parë shqiptar erdhi e na tha që ne mund të flemë kurse ai me vëllezërit dhe djemtë do t’i bëjnë roje manastirit”, tregon ajo.
Ngjitur për shkëmbinj, manastiri i shekullit XV i Sokolicës ndan të njëjtin oborr me një monument kulturor shqiptar, Kullën e Isa Boletinit dhe është prej vendeve më të frekuentuara nga vizitorë të besimeve dhe nacionaliteteve të ndryshme.
Skulptura e Shën Mërisë me beben Jezus në prehër në këtë objekt kulti tërheq shumë njerëz që besojnë se lutja drejtuar shenjtores u sjell shërim.
“Vijnë shumë njerëz për t’u lutur dhe shumë nga ata thonë se kjo i ka shëruar ose u ka ndihmuar të realizojnë dëshirat e tyre. Pse mos të them se njerëzit vijnë këtu edhe të flasin me mua”, thotë Makarija.
Në një pasdite prilli kur dielli lajmëron se edhe një dimër i ashpër ka braktisur bjeshkët që e rrethojnë, asaj i pëlqen të bëjë foto me një Canon të vjetër teksa stinët ndërrojnë ngjyrë në oborrin e këtij monumenti, i përfshirë zyrtarisht në listën e trashëgimisë kulturore shtetërore të Kosovës dhe Serbisë njëkohësisht.
”Ne jetojmë të rrethuar me fqinj e vizitorë shqiptarë prandaj duam të komunikojmë më lehtë” , thotë ajo.
Ulur përballë punishtes së afreskeve, Makarija e shkolluar për ikonografi thotë se të ardhurat kryesore të manastirit vijnë nga shitja e afreskeve që punohen prej saj dhe murgeshave dhe shiten nëpër ekspozita në vende të ndryshme të botës. Murgesha poliglote që flet 6 gjuhë tregon se dëshiron që murgeshat që udhëheq të flasin më mirë shqipen e fqinjëve shqiptarë myslimanë.
“Kemi kontraktuar një mësuese. Por për shkaqe personale e ndërpreu, tani duhet të paguajmë një tjetër për të rifilluar mësimin e shqipes”, thotë ajo me një anglishte të ndrojtur, në përpjekje sa për të qenë e saktë në fjalët që përdor, aq për ta menduar edhe fjalën e radhës. Komunikimi i duket më i vështirë me gratë e familjeve përreth të cilat nuk flasin gjuhën serbe. Kryemurgesha që nuk tregon numrin e saktë të murgeshave thotë se në Kuvendin që drejton ka më pak se 10 femra, por dëshiron të theksojë se shumica kanë një edukim të lartë. Vetë Makarija është një magjistre e Teologjisë dhe doktore e shkencave e Kimisë. Ajo ishte një nga profesoreshat e Universitetit Publik të Beogradit e quajtur Milica Obradoviq para se të betohej të shërbente si murgeshë në Kosovë, 27 vjet më parë.
Që kur ajo erdhi në Kosovë raportet ndëretnike mes shqiptarëve e serbëve në këtë pjesë veriore të Kosovës kanë ndryshuar shumë dhe lakorja e përkeqësimit të tyre ka shkuar gjithnjë e në rritje. Rrëfimet për luftën ende nxijnë raportet ndëretnike në vendet e përfshira nga lufta në ish-Jugosllavi dhe mesazhet e klerit janë shpesh nxitëse. Megjithatë njëra nga murgeshat më të popullarizuara në Ballkan lavdërohet me fqinjët e saj shqiptarë.
“Kemi jetuar pa probleme të mëdha. Gjatë luftës unë u kam dalë përpara trupave të ushtrisë dhe policisë serbe dhe u kam thënë ‘ju nuk duhet t’i prekni banorët e fshatit’. Jo në tokën e manastirit”, tregon ajo.
Fshatrat përreth ishin djegur…
Makarija tregon se manastiri i Sokolicës aktualisht kujdeset për disa familje të varfëra të fshatrave përreth.
“Shpesh vizitorët serbë na sjellin gjëra ushqimore dhe dhurata të tjera që ne nuk mund t’i shpenzojmë, prandaj kujdesemi që ato t’ua shpërndajmë banorëve të tjerë shqiptarë në nevojë. Ata jetojnë këtu në Boletin dhe Zhazhë ”, thotë ajo.
Ajo tani thotë se religjioni duhet të ndihmojë njerëzit të komunikojnë pavarësisht besimit dhe objektet e kultit duhet të jenë në shërbim të komunikimit.
“Ne nuk mund të dallojmë njerëzit. Ne duhet të jetojmë në paqe dhe të kryejmë detyrën tonë”, thotë ajo.
Mbi oborr fluturojnë skifterë, shpendët të cilët me gjasë i kanë ngulitur emrin lokalitetit në të cilin gjendet manastiri. Kryemurgesha serbe mendon që është i mundur pajtimi, pavarësisht se çfarë ishte tagri i së kaluarës. Për të pajtimi është i mundur dhe po bëhet ngadalë.
“Më tepër se fqinjë mendoj që jemi vëllezër dhe duhet të jetojmë në paqe”.