Pikërisht kohëve të fundit kam komentuar me redaktorin e këtij portali se si tekstet e mia gjithmonë disi përkojnë me ndonjë lloj krize në Kosovë. U pajtuam që do të ishte mirë të kishim edhe tekste në të cilat komentojmë edhe ditët e zakonshme, normale në Kosovë. Ndoshta edhe kjo është interesante për dikë.
Mirëpo, kur desha të shkruaj një tekst të zakonshëm për Kosovën, ndodhi që barrikadat u vendosën përsëri, ndodhën ndërhyrje të reja të forcave speciale në veri të Kosovës, të cilat asnjëherë nuk janë të padëmshme. Tani kemi polici speciale edhe në vende ku nuk i kemi pasur kurrë më parë, madje ndodh që policia speciale të ndalojë dhe të kontrollojë trafikun, gjë e cila, do ta pranonit, nuk është me të vërtetë një gjë e zakonshme që mund të komentohet. Dhe si atëherë, Ragip, të shkruaj një tekst të zakonshëm? Nuk ka shansë! Kosova nuk është një territor i zakonshëm dhe as nuk ofron mundësi për një jetë të zakonshme, prandaj as për tekste të zakonshme, të përditshme.
Dhe nuk mund të ndaloj së pyeturi veten pse kjo është kështu? A jemi me të vërtetë kaq të mbërthyer në të kaluarën, a me të vërtetë nuk e shohim se po e çojmë kot jetën tonë në tensione, barrikada, duke treguar muskujt tanë dhe në biseda boshe?
Unë besoj se nuk është plotësisht kështu, megjithëse ne jemi absolutisht fajtorë që kemi rënë në atë kurth dhe ne pajtohemi me ato lojëra në të cilat ne e çojmë jetën tonë kot, jo jetën e “liderëve” tanë, besoj se jeta e tyre është tejet e mirë.
Por, pse pra është kështu?
Unë do të thosha se kjo është gjendje që u duhet elitave tona politike për të qëndruar sa më lehtë në pushtet dhe për të gëzuar të gjitha privilegjet e tyre. Gjatë historisë, janë të njohura shumë regjime dhe makineri propagandistike që krijuan armiq të jashtëm dhe të brendshëm madje edhe kur nuk ekzistonin ata, për t’i drejtuar masat në atë drejtim, në atë mënyrë është më së lehti për të manipuluar. Nuk po them se në Kosovë nuk ka probleme mes serbëve dhe shqiptarëve, përkundrazi, por nuk mund t’i ik përshtypjes se gjithçka mund të zgjidhet ndryshe, por që qartazi kjo nuk është në interesin e dikujt.
Nëse shikojmë se në çka bazohet pushteti në Kosovë dhe Serbi, do të shohim që në masën më të madhe ajo është populizmi, demagogjia dhe dezinformimi, si dhe të treguarit e muskujve në rajon për të mobilizuar elektoratin e tyre (në Serbi) dhe çdo mundësi për të fajësuar Serbinë për gjithçka dhe për çdo gjë (në Kosovë). Dhe nëse gërvishet ajo sipërfaqe, ne do të arrijmë deri tek një mori dështimesh në politikën ekonomike, demografike, sociale, do të shohim kaos urban gjithandej nëpër Serbi dhe Kosovë, si dhe korrupsion në çdo hap. Kjo nuk është diçka që pushteti dëshiron që njerëzit ta shohin lehtësisht, dhe është gjithmonë më lehtë kur mund të fajësosh “terroristët nga Prishtina” ose “pasuesit e politikës gjenocidale të Millosheviqit nga Beogradi”.
Dhe parimi është i njëjtë, pa marrë parasysh se çfarë mendojmë ne nga njëra apo nga tjetra anë për problemet reale që ekzistojnë. Krijim iracional i tensioneve, shpallje e fitoreve të çfarëdoshme çdo dy muaj, përqeshje e tjerëve, zhurmë në mediat vendase dhe përulësi përballë të huajve.
Të gjitha këto me një qëllim, por jo për një jetë normale dhe më të mirë të njerëzve.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.