Ligji për Trepçën i jep qeverisë 80 përqind të aksioneve ndërsa 20 përqindëshin tjetër e ka lënë në duar të punëtorëve të ndërmarrjes. Në shikim të parë, kjo duket një formulë që paralajmëron se në një periudhë të mëvonshme, ndërmarrja mund t’i nënshtrohet një procesi të privatizimit. Sipas praktikave të deritanishme, në çdo privatizim të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, punëtorët kanë marrë 20 përqind të çmimit me të cilin ajo ndërmarrje është shitur.
Shumë të largëta duken ato vitet e arta kur Trepça prodhonte xehe të shumta, ofronte punë për mijëra punëtorë dhe bashkonte në nëntokë shqiptarë e serbë.
Tani duket krejtësisht e kundërta. Prodhimi në gjigantin e dikurshëm industrial të Kosovës ka ngecur, kompania po i merr para buxhetit të Kosovës në vend se t’i japë dhe në kuptimin politik ka ashpërsuar tonet ndëretnike në rajonin e Mitrovicës si dhe ka acaruar raportet edhe ashtu të tensionuara ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Urimi “Me Fat” është gëlqerosur në pjesën ballore të hyrjes së minierës në pjesën jugore të kontrolluar nga institucionet e Kosovës. Por ,fati i mirë nuk e ndoqi aspak në pothuajse dy dekadat e fundit këtë gjigant industrial. E themeluar nga misioni i OKB-së (UNMIK), Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, që menaxhonte privatizimin deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, nuk e gjeti mënyrën për ta ringjallur këtë ndërmarrje. Urimi u është dedikuar punëtorëve të cilët në kushte aspak të favorshme kryejnë punë në barkun e tokës për ta bërë kompaninë të funksionojë. Por, për Trepçën më shumë se urimet ende mbesin vetëm lutjet, sidomos për shumë familje nga rajoni i Mitrovicës, të cilave rënia e këtij gjiganti ekonomik bëri që t’u rrënohen ekonomitë, që nga vitet 1990.
Qeveria e Kosovës në një afat rekord dhe pa shumë transparencë e kishte bërë gati një ligj për Trepçën, pak para se të skadonte afati për likuidim. Ndërsa Kuvendi me urgjencë e miratoi ligjin me të cilin Trepça shndërrohet në shoqëri aksionare dhe vendoset nën administrimin e institucioneve të Prishtinës.
Ndërkohë qeveria në Beograd reagoi ashpër ndaj këtij ligji duke u zotuar se nuk do të lejojë zbatimin e tij në praktikë, sidomos në pjesën e ndërmarrjes që gjendet në anën veriore të lumit Ibër. Aty ku institucionet e Kosovës nuk arritën ta shtrijnë kontrollin tash e 17 vjet pas luftës.
“Me këtë ligj nuk po tentojmë ta kthejmë Trepçën në të kaluarën, por po ia hapim të ardhmen kësaj ndërmarrjeje”, tha kryeministri Mustafa ditën kur qeveria miratoi ligjin.
Duke qenë në garë me kohën për çështjen e ndërmarrjes, qeveria nuk përfilli ankesat e ministrave të komunitetit serb në mbledhjen ku u votua projektligji. Atë e votuan vetëm ministrat shqiptarë.
Skena të njëjta u panë dy ditë më vonë, edhe në Kuvend. Deputetët serbë dhanë vërejtjet e tyre, por nuk e votuan ligjin, miratimin e të cilit megjithatë nuk arritën ta parandalojnë.
Në rast se do të dështonte ligji, Trepça më 2 nëntor do t’i nënshtrohej procesit të likuidimit.
Ka mundur të jetë kjo nguti që drafti i ligjit të mos dërgohet për shqyrtim në një komision parlamentar që vlerëson nëse një dokument përbën shkelje të të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë.
Pikërisht këto çështje Lista Serbe i ka adresuar në Gjykatën Kushtetuese më 13 tetor, ditën kur vendosi ta sfidojë këtë ligj. Për shefin e deputetëve të Listës Serbe, Slavko Simić, “me miratimin e Ligjit për Trepçën nuk janë respektuar interesat vitale të popullit serb (të Kosovës)”. Kërkesa e Listës Serbe për shqyrtimin e këtij ligji nga kushtetuesja është bazuar në nenet 79 dhe 81 të Kushtetutës së vendit për “Nismat legjislative” dhe “Legjislacioni me interes vital”. Simić thotë se asnjë deputet serb nuk u thirr për konsultë gjatë hartimit të këtij ligji. Por, të kundërtën e thotë kolegu i tij shqiptar që kryeson Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa. Në fakt, në dokumente ekziston vetëm një ftesë e njëjtë dërguar të gjithë deputetëve.
Ligji i jep qeverisë 80 përqind të aksioneve ndërsa 20 përqindëshin tjetër e ka lënë në duar të punëtorëve të ndërmarrjes. Në shikim të parë, kjo duket një formulë që paralajmëron se në një periudhë të mëvonshme, ndërmarrja mund t’i nënshtrohet një procesi të privatizimit. Sipas praktikave të deritanishme, në çdo privatizim të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, punëtorët kanë marrë 20 përqind të çmimit me të cilin ajo ndërmarrje është shitur.
Por, në rastin e Ligjit për Trepçën, qeveria u gjet mes shumë presioneve dhe hutisë. Pikësëpari presioni i kohës që po kalonte, meqë ligji duhej sa më shpejt të miratohej, të shkonte në Zyrën e Presidentit për dekretim në mënyrë që të bëhej i plotfuqishëm. Së dyti, një presion tjetër qeverisë i vinte nga partneri i vogël në koalicion, Lista Serbe, deputetët dhe ministrat e të cilës, të dirigjuar nga qeveria në Beograd, kundërshtonin kontrollin e Prishtinës mbi ndërmarrjen. Së treti, ishin kërkesat e një pjese të opozitës në Kosovë. Deputetët e zhurmshëm dhe populistë të Vetëvendosjes kërkonin që Trepça të vendoset tërësisht nën tutelën e shtetit, duke përjashtuar çdo mundësi që kjo ndërmarrje t’i nënshtrohet privatizimit në ndonjë fazë të mëvonshme.
Në një vend ku privatizimi i ndërmarrjeve ka lënë pa punë mijëra veta dhe ku fabrikat që dikur sillnin vende pune tani janë shndërruar në toka për ndërtesa fitimprurëse banimi e qendra tregtare, frika nga privatizimi i një ndërmarrjeje është e gatshme. Sidomos në rastet si këto që dikur ishin simbol i zhvillimit industrial të vendit frika bëhet edhe më e madhe.
Perceptimi për frikën e punëtorëve duket se mbizotëroi. Në ligj specifikohet se “të gjithë punëtorët që kanë kontratë të rregullt pune në njësinë biznesore… në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji vazhdojnë marrëdhënien e punës në njësinë përkatëse biznesore”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës deri më tani ka dhënë mjaft vendime kontradiktore. Kësaj here anëtarët e saj kanë në tavolinë një prej çështjeve më të rëndësishme të dërguar ndonjëherë nga një subjekt që përfaqëson serbët e Kosovës dhe që jo rrallë ka vënë në pyetje funksionimin e tyre. Por, ajo që duket qartë është se ky ligj nuk përshkroi një rrugë krejt pa probleme. U shpërfillën disa nga procedurat parlamentare dhe nuk pati aq transparencë. Vendimi i Kushtetueses nëse nuk do të kënaq të gjitha palët, të paktën do të tregojë ligjshmërinë e këtij procesi.
Shënim: Artikulli është dorëzuar për botim para vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin ajo shpalli kërkesën e Listës Serbe të papranueshme duke shtuar se Ligji per Trepçën “është kushtetues për nga përmbajtja dhe për nga procedura e ndjekur për miratim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”.