Vallëzimi multietnik

Ato seminare dikur dinin të ishin argëtuese dhe diku në ndërdijen time e dija se do t’i shërbenin përparimit tim. Pak paraqitje në publik, shoqërim, pak e liroj anglishten time jo edhe aq të mirë. Përkrah të gjitha këtyre, ndonjëherë seminaret dinë të jenë shumë argëtuese, me dalje, shaka. Vendimi u mor, më priste udhëtimi.

0
179

Një histori e gdhendur që nga koha e rinisë sime, të cilën nuk mund ta fshijnë as të gjitha gomat e botës, ka ndodhur shumë kohë më parë, në vitin 2012. Që nga atëherë, të kuptuarit tim për popujt tjerë dhe shumë gjëra të tjera në jetë kanë ndryshuar. Ato ishin ditët kur kuptova shumë gjëra, u bëra më i pjekur, krijova një perceptim krejtësisht tjetër për rrethin, i theva stereotipet. Ia dola t’i kapërcej disa anë të mia të këqija dhe në të njëjtën kohë i dhashë vetes një udhërrëfyes. 

Dita ishte disi e plogësht, unë i ngjashëm me të, pa asnjë arsye. Bie zilja e telefonit, drejtori i organizatës joqeveritare me të cilën kohëve të fundit shkoj shpesh në seminare thërret për një udhëtim qysh në fundjavën e parë të lirë, kësaj here në Prizren. Mendova “edhe një seminar tjetër monoton”, por po qëndrova në shtëpi do të jetë edhe më monotone, provimet janë ende shumë larg për të qenë kaq serioz. Por, prapëseprapë kalkuloj për të dhënë përgjigjen, e shtyj deri në orët e vona të mbrëmjes. Ato seminare dikur dinin të ishin argëtuese dhe diku në ndërdijen time e dija se do t’i shërbenin përparimit tim. Pak paraqitje në publik, shoqërim, pak e liroj anglishten time jo edhe aq të mirë. Përkrah të gjitha këtyre, ndonjëherë seminaret dinë të jenë shumë argëtuese, me dalje, shaka. Vendimi u mor, më priste udhëtimi.

Rreth njëzet prej nesh, pjesëmarrës nga veriu i Kosovës nga të katër komunat, kryesisht serbë, mblidhemi pranë urës së njohur mirë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Mëngjesi i së shtunës, shumë prej nesh kishin dalë një natë më parë dhe ashtu të zhurmshëm, duke pritur transportin, nuk na bëhej vonë nëse do të zgjonim dikë. Si zakonisht, ne të gjithë ulemi në pjesën e pasme të autobusit dhe vazhdojmë të flasim dhe kryesisht përsëriten anekdota nga seminaret e mëparshme. Është mëngjes, por prapë dëgjohen të qeshura dhe zhurmë në pjesën e prapme të autobusit deri në Prishtinë, ku na pret pjesa tjetër e pjesëmarrësve. Atëherë ndërpritet çdo gjë dhe fillon matja e shqiptarëve që do të përfaqësojnë komunitetin e tyre në ngjarjen e përmendur. Kryesisht studentë nga Prishtina, Rahoveci, Gjilani. Ka edhe fytyra të njohura, por edhe me ta jemi goxha zyrtarë. Disi bëhemi të sjellshëm, të kujdesshëm, mosbesues.

Mbërrijmë në Prizren dhe të gjithë bëhemi më të relaksuar. Më duhet të pranoj se ai qytet bart me vete një lloj ngrohtësie dhe përzemërsie. Valixhet personale shpejt u gjendën në dhomat e hotelit e ne në takim pune. Na pritën anëtarë të Ambasadës britanike, sponsorë të këtij projekti. Për dallim prej neve, goxha të drejtpërdrejtë, të relaksuar, sikur kanë ardhur në një festë, e cila edhe ndodhi më vonë atë ditë. Njoftimi, prezantimi, dreka kurse nuk mund ta largoj shikimin nga një shqiptare nga Gjilani. E kritikoj veten, nuk dëgjoj se çfarë flasin të tjerët, disi gjithçka është e drejtuar kah ajo vajzë.

Momenti i cili e shënoi ditën ishte festa në të cilën anëtarët e ambasadës britanike u përpoqën t’i afronin shqiptarët dhe serbët. Muzikë e huaj, një listë këngësh të njohura mirë, por ende askush nuk është i relaksuar, deri në momentin kur të huajt kërkuan prej neve të bëjmë nga një vallëzim, por do të ishte e dëshirueshme, për njohje më të mirë, të vallëzojmë me njëri-tjetrin, që të mos shikojmë kombësinë dhe fenë, gjë që ishte në rregull. Sponsorët janë ata që e nisën vallëzimin e më pas dy çifte më të lira që u ngjitën në podium dhe treguan liri e guxim dhe thyen barrierat. Uh…. një moment i vështirë për mua, hezitoja, do të doja të njihja më mirë shqiptaren të cilës ia kisha ngulur sytë gjatë ditës, por kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Kam frikë nga refuzimi, kam frikë mos reagon dikush nga grupi, në fakt nuk i kam dhënë vetes aq liri më parë. Kënga do të kalojë nëse nuk marr një vendim e ndërkohë në podium dolën edhe disa çifte të tjera. E mora vendimin, nuk dua të më shkojë kot ky moment, mbase e mposhta veten. Vajza është e kthyer me shpinë nga unë, duke pirë lëng me koleget, unë i afrohem dhe të tjerat qeshin. Edhe për mua është qesharake, jam i hutuar, çuditem me veten time, i tëri i mpirë. Ajo pranoi… Jam i tëri në ngërç, ajo po ashtu, ja ku jemi me të tjerët, po vallëzojmë.

Teksa e shikoj atë, shikoj edhe anash, përcjell reagimin e të tjerëve, bëj disa pyetje banale. Disi për një moment u ndjeva krenar për veten. E pata përshtypjen se pas vetëm dy rrotullimeve erdhi fundi i këngës, të cilën mezi edhe e prisja. Mora frymë i lehtësuar, gjithçka shkoi mirë. Gjithçka përfundoi me duartrokitje.  

Kthehem prapa tek të mitë, për të pranuar kritika. Pati edhe kritika, nëpër shaka, por edhe një propozim për të dalë në një diskotekë pas ahengut. Më me dëshirë do të rrija të bisedoja, ta kaloja mbrëmjen me vajzën me të cilën vallëzova, por në atë moment kjo ishte e pamundur. U përmbajta që të mos shikoja kah ajo, por përsëri me bisht të syrit doja të shikoja nëse po më shikonte. Hah, ajo nuk donte t’ia dinte. Kështu që nuk më mbeti asgjë tjetër, sfida u pranua, neve të pestëve na priste dalja.

Natë e ngrohtë Prizreni, ecim rrugës, mbajmë vesh se ku po dëgjohet muzika dhe flasim të çliruar serbisht. Lashë të kuptohet se dikush mund të mendojë se po e bënim këtë me qëllim. Të gjithë kalimtarët janë të qetë, shikojnë veten, gjithçka është në rregull. Deri në momentin kur futemi në lokalin e tretë sepse në dy të mëparshmit nuk pati vend. Këtu pamë një tavolinë, ku u ndalëm. Pas vetëm pak minutash, mbi tetëdhjetë për qind e njerëzve po na shikonin sikur e kishim të shkruar ”serb” në ballë ose sikur po mbanim kokarda në kokë. Një ndjenjë tejet e pakëndshme. Të gjithë kolegët vunë re të njëjtën gjë dhe ranë dakord që të ktheheshim shpejt në hotel. Porositëm edhe nga një pije, dhe tani diskoteka ishte plot, njerëzit po prekeshin me ne gjersa kalonin. Ne shikonim njëri-tjetrin, kemi drojë, më duket se ka rrymë në ajër dhe se jemi afër një incidenti, por prapëseprapë përpiqemi të qeshim, të ftohta janë ato buzëqeshje, të gjithë mezi prisnim të ktheheshim në hotel. Çfarë çmendurie, kjo ishte vërtet e rrezikshme. Morëm frymë të lehtësuar kur u kthyem në dhomat tona.

Dita e dytë në Prizren, e diel, ditë pune, gjithçka është nën përshtypjen e mbrëmjes së kaluar. I shkëmbejmë mendimet me shqiptarët, shumë më të lehtësuar, të lirë të themi edhe disa gjëra prej të cilave kemi hezituar në momentin e parë. Mundohem të vë kontakt me vajzën me të cilën vallëzova, për të parë nëse mund të flasim edhe përmes rrjeteve sociale. Në pushim pas drekës, ajo u shfaq para meje, sikur edhe ajo të donte këtë. Një ndjenjë e mrekullueshme. Më dukej se ishim në fillim të diçkaje, por as vetë nuk e di se çka. Si, kur ajo është shqiptare, si, kur është e një feje tjetër, si, kur është larg meje, si?  

Pas përfundimit të këtij seminari, ne u futëm në një lojë, korrespondencë të përditshme, zbulim i vetes.  Pyesnim se kur do të kishte ndonjë seminar të ri ku do të mund të ishim bashkë. Qysh pas tre javësh ishim sërish në një seminar, kësaj here në Brezovicë, kaluam shumë kohë së bashku. Isha aq i dehur nga prania e saj. Të vetëdijshëm për ato pengesa, sikur e tërhiqnim njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë. Madje edhe të tjerët e vunë re komunikimin tonë të çuditshëm. Pas kthimit nga Brezovica, ishim të ulur së bashku, në mes të autobusit, pikërisht aty ku jozyrtarisht ndaheshin shqiptarët dhe serbët. 

Zgjati ajo korrespondencë e jona për dy vite në vazhdim. Shumë informata, ndjenja, ide të shkëmbyera, dëgjonim muzikë së bashku, vinim në dukje gabimet. Thjesht, ëndërruam shumë. Ishin edhe disa seminare të tjera në të cilat morëm pjesë së bashku, bënim plan që një ditë të shihemi në Prishtinë, të shëtisim, të thyejmë paragjykimet dhe gjithçka tjetër që na ndan. Deri në momentin kur u largova nga Kosova më mbante ajo dëshirë, por më pas gjithçka u shua, u zhduk. Mbetën kujtimet të cilat i kujtoj shpesh, sidomos kur shoh tani njerëz tashmë seriozë me të cilët më parë kam shkuar në seminare.


Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.