Vendime kruciale të Prishtinës 

Me mandatimin e Hotit, presidenti Thaçi e “bleu” qeverinë në Prishtinë. Për këtë arsye mund të konkludohet se tash e tutje të gjithë penjtë do t’i tërheqë Thaçi, sado që do të duket që kryeministri i sapoemëruar Hoti do të qëndrojë pas vendimeve.

0
765

Këto ditë në Prishtinë janë marrë vendime të rëndësishme. Qeveria në largim e zbatoi masën e “reciprocitetit”, masë e cila ka të bëjë me importin e mallrave serbe në Kosovë. Erdhi deri tek ndërrimi i qeverisë, populli i Kosovës u bë me kryeministër të ri dhe me ministra të rinj. Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, i hoqi menjëherë masat e “reciprocitetit”. Manovrimeve politike u erdhi fundi, Albin Kurti e pësoi më keq. Kështu që asgjë më nuk do të jetë e njëjtë. 

Fituesi i zgjedhjeve të mëparshme thënë thjesht nuk ia doli, mbeti pa karrige. Ky lajm ishte paralajmëruar tashmë një kohë. Ish-kryeministri kohëshkurtër Kurti qartazi nuk nxori mësim në shembullin e tjetërkujt. Në këtë rast mendoj për Ramush Haradinajn. Qysh në fillim të mandatit të tij ai e vazhdoi politikën të cilën e ka udhëhequr Ramush Haradinaj. Doli që kjo nuk ishte një ide e mirë, prandaj u mundua të ndryshojë. I hoqi taksat, por e përkeqësoi raportin me presidentin, Hashim Thaçin. Nuk ishte në gjendje të shkojë kundër vetes, nuk mundi të heq dorë nga ajo që e ndoqi gjatë tërë karrierës së tij politike – metodat radikale.

Masat e reciprocitetit të vendosura për Serbinë janë akti i fundit të cilin e zbatoi Kurti. Sikur deshi që me këtë të shfryjë frustrimin e tij. Presidenti Thaçi thotë që këto janë mashtrime politike të tashmë ish-kryeministrit. Këto masa janë prezantuar si zëvendësim për taksat e hequra kohët e fundit. Sikur karma, Thaçi e zëvendësoi Kurtin me Hotin. Mua më duket se Kurti, me kokëfortësinë e tij, me qëndrimet e ngurta dhe agresive e humbi vendin e kryeministrit. Tani Kurti shkruan peticion për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kritikon Gjykatën Kushtetuese për aprovimin e dekretit të cilin e nënshkroi kundërshtari i ti politik, Thaçi. Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, protestimet e Kurtit do të jenë të kota, e lëshoi rastin që e pati. Jam i mendimit që e ka zhgënjyer një masë të votuesve të tij. 

Fytyra e re për opinionin e gjerë publik është kryeministri i sapoemëruar  Avdullah Hoti. Njeriu i cili për shkak të ”marrëzisë” së ish-kryeministrit e zuri vendin e tij. Ky menjëherë e përmirësoi gabimin e pararendësit të tij, masat e “reciprocitetit” nuk janë më në fuqi. Mediat serbe e transmetuan këtë, por edhe atë që Hoti është shumë i tërhequr dhe se nuk është dikush që merr vendime kruciale. Hoti i demantoi pak këto, por kjo edhe pritej prej tij. 

Me mandatimin e Hotit, presidenti Thaçi e “bleu” qeverinë në Prishtinë. Për këtë arsye mund të konkludohet se tash e tutje të gjithë penjtë do t’i tërheqë Thaçi, sado që do të duket që kryeministri i sapoemëruar Hoti do të qëndrojë pas vendimeve. Madje disa burime në Kosovë pohojnë se vendimet e rëndësishme do t’i marrë mentori dhe babai politik i Hotit, lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Hoti, përveç në Prishtinë, është shkolluar edhe në Britani dhe është profesor në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 2006 – 2007 ka qenë këshilltar i lartë i ministrit për arsim, shkencë dhe teknologji në qeverinë e Prishtinës, kurse gjatë periudhës 2008 – 2009 ishte këshilltar për ekonomi i kryetarit të Prishtinës. Hoti ka publikuar edhe mjaft punime shkencore. Të gjitha këto flasin se bëhet fjalë për një njeri cilësor, por sa do të jetë kompetent për pozitën e kryeministrit na mbetet ta shohim në periudhën e ardhshme. Çfarëdo vendime që të marrë, vetëm le ta normalizojë situatën dhe që të ecet njëherë përpara.

Ajo që është interesante për Qeverinë e kryeministrit Hoti është se njëri nga katër zëvendës-kryeministrat e Qeverisë është nga Lista Serbe, Goran Rakić, i cili po ashtu është zgjedhur edhe në postin e Ministrit të administrimit të pushtetit lokal. Me pranimin e këtyre funksioneve, Goran Rakić nuk do të jetë më kryetar i Mitrovicës Veriore, gjë që qartazi tregon se në këtë komunë do të pasojnë zgjedhjet lokale. 

Meqë ngadal po dalim nga kthetrat e virusit (covid-19), koha është që vendimet të cilat do të merren në Prishtinë t’ua ndryshojnë jetën për të mirë qytetarëve të Kosovës. Është koha që të hiqen masat të cilat pengojnë lëvizjen e banorëve, që vendkalimet të funksionojnë si më parë. Pritjet u realizuan, me ardhjen e Hotit në vendin e kryeministrit u hoq masa e “reciprocitetit”. Është koha e fundit që të lëvizim nga pika e vdekur në të cilën ndodhemi me muaj të tërë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.