(Ky artikull është botuar për herë të parë më 17/12/2014)
Përshëndetje njerëz! Në këtë blog do të mundohem t’ua përshkruaj se si ndihet një njeri nga veriu i cili nuk ka qenë në jug pas luftës. Me çfarë paragjykime dhe çfarë frike ballafaqohet ai? Ata pak më të moshuar edhe me nostalgji e dhembje në zemrat e tyre; gjë që sjell deri tek ajo që një numër i madh i njerëzve edhe 15 vjet pas konfliktit nuk e kanë vizituar dhe nuk duan ta vizitojnë pjesën jugore. (Në këtë tekst „veriu“ dhe „jugu“ do të përdoren si përcaktues për pjesët e Kosovës në veri dhe në jug të lumit Ibër).
Unë jam 23 vjeçar, dhe për herë të parë kam kaluar në jug kur i kam pasur 17 vjet. Po, unë jam përjashtim. Si dikush që më 1999 i ka pasur vetëm 7 vjet, mua as që më kujtohet Mitrovica e Kosovës kur ka qenë një qytet, një komunë. Prishtinën, Vushtrrinë, Prizrenin, Pejën e di që asnjëherë as që i kisha parë. A kam qenë i tmerruar kur për herë të parë më është dashur të kalojë urën mbi Ibër? ABSOLUTISHT! Ishte ky udhëtimi për në Prishtinë në një seminar në të cilin u paraqita pak kohë më përpara. Përndryshe seminari ishte shumë-etnik, pra ka pasur pjesmarrës edhe serbë edhe shqiptarë. Frika ime e parë ishte se si do të funksionoj me pjesëmarrësit shqiptarë. Paj unë kurrë deri atëherë nuk e kisha parë ndonjë shqiptar, ashtu drejtpërdrejt! Gjëja tjetër që më sillej ndër mend ishte: „Si ta kaloj urën?! Paj sigurisht aty dikush qëndron dhe shikon kur serbët e kalojnë urën! Menjëherë do ta dijnë që jam serb. Çka të them?!” Gjëja tjetër që më ra ndërmend ishte: „E si të kthehem pastaj unë në veri? Çka nëse dikush më ndalë dhe më pyet përse kam qenë në jug?“ A është fare e drejtë kjo që unë po shkoj në Prishtinë në një seminar?
Uh, është ky pështjellim i madh në mendje, më besoni kur jua them! Mirëpo, megjithatë unë mora guximin dhe u nisa për atë seminar. Frika e parë: u mposht! „Edhe shqiptarët janë vetëm njerëz,“ – mendova me vete. Edhe pse nuk shkonte gjithçka rrjedhshëm për shkak të këndvështrimeve shumë të ndryshme të realitetit, megjithatë ai takim me njerëzit nga jugu më mbeti si diçka shumë e dobishme, diçka që edhe mua më ka bërë më të fortë dhe m’i ka qartësuar mendimet. Pata rastin të dëgjoj edhe anën tjetër dhe të krijojë ndoshta një pasqyrë më reale. Gjithmonë është më mirë kur dëgjon më shumë mendime e pastaj në bazë të tyre ndërton qëndrimin tënd për ndonjë temë. Në rastin tonë tema është më shumë se serioze dhe atë duhet ta zotërojmë në qoftë se mendojmë të jetojmë së bashku apo bile të jetojmë pranë njëri-tjetrit.
Frika e dytë: Megjithatë askush nuk më ndali kur kalova nga veriu në jug. Askush nuk më rrahu. Askush nuk më vrau, në fund të fundit. E të gjitha këto sillen vërdallë në mendjen e një shtatëmbëdhjetëvjeçari kur e kalon urën për herë të parë. Dhe jo vetëm të një shtatëmbëdhjetëvjeçari por sipas të gjitha gjasave edhe të secilit njeri. Natyrisht, nuk është gjithmonë e këndshme; për më tepër, më shpesh nuk është e këndshme se sa që është. Ka pasur situata të pakëndshme kur njerëzit lëshonin fjalë, ofendonin në shqip duke menduar se ne nuk po i kuptonim, apo na shikonin vëngër, mirëpo kjo ështe punë e tyre dhe më vonë kjo nuk më prekte.
Frika e tretë: Asnjëherë nuk kam pasur probleme gjatë kthimit në veri, bile edhe përmes urës kryesore. Kurrë askush nuk më ka pyetur ku kam qenë dhe pse. Megjithkëtë, edhe tani, gati 6 vite më vonë, e kam atë ndjenjë të pakëndshme, ndjenjën që të gjithë më shikojnë dhe më fajësojnë. E di që kjo nuk është kështu, dhe që nuk ka as arsye që të jetë kështu, por as ajo situatë nuk është e këndshme.
Por kur tashmë i kalova të gjitha këto, ka pasur edhe shumë gjëra të bukura. Për shembull, i kam vizituar të gjitha ato qytete që i përmenda në fillim të tekstit që as që i kam parë para luftës. Kam vizituar shumë vende ku kanë studiuar e punuar anëtarët e familjes sime, ku kanë shkuar nëpër koncerte. Paj, kanë jetuar jetë normale. Çka të thuhet për ndjenjën e tyre në gjoks kur u tregoj për vendet ku kam qenë dhe çka kam parë. Njerëzve u rrjedhin lotë. Një grua më ka thënë se ajo nuk do të mund të shkonte në Prishtinë dhe të shihte vendin ku ka studiuar dhe jetuar. Kjo është pikëlluese!
I kam vizituar pothuajse të gjitha monumentet më të rëndësishme kulturore serbe që kanë mbetur në jug dhe të cilat shumë serbë nuk kanë rastin t’i vizitojnë e t’i shohin. E kjo është me të vërtetë një pasuri e madhe e popullit tonë.
Në fund, i rekomandoj të gjithë atyre që kanë mundësi të shkojnë në jug dhe të shohin ato që i kam parë unë; të shfrytëzojnë rastin – është shumë mirë t’i shohësh të gjitha ato dhe do të mësoni shumë nga këto. Të jeni të sigurtë. E di, nuk do të jetë e këndshme, por kur të ktheheni në shtëpi, do të jeni të lumtur, këtë ua garantoj unë.