Jemi dëshmitarë të marrëveshjes së nënshkruar së fundi për energjinë elektrike që ka të bëjë me veriun e Kosovës. Në fakt, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani dhe Mitrovica veriore janë komuna me shumicë serbe të cilat nuk kanë paguar energji elektrike që nga lufta, që është qe 23 vjet. Situata ka ndryshuar sepse tash e tutje banorët e këtyre katër komunave do të paguajnë energjinë elektrike. Edhe pse liderët serbë po mundohen ta paraqesin këtë marrëveshje si një fitore tjetër, populli është i pakënaqur. Të mësuar me këtë përfitim për të mos paguar energjinë e konsumuar, qytetarët janë të indinjuar nga ky koncesion. Është e qartë për të gjithë se ky është edhe një tjetër lëshim i Beogradit ndaj Prishtinës. Siç po më duket mua, këto lëshime nuk mbarojnë këtu.
Që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po tallet, na tregon edhe fakti se Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet për hyrjen e shtetasëve të Serbisë në Kosovë, duke vendosur në një seancë elektronike të zbatojë të njëjtën masë si Beogradi zyrtar, i cili nuk i pranon letërnjoftimet e Kosovës, por që në hyrje qytetarëve të Kosovës u jep një shkresë që zëvendëson dokumentet e identifikimit. Është miratuar edhe vendimi për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS deri më 30 shtator. Hidhërimi i qytetarëve pas këtyre vendimeve të Prishtinës do të jetë gjithnjë e më i madh, por ata gjithnjë e më pak po pyeten për ndonjë gjë. Nëse dikush ka dyshuar nëse kjo do të zbatohet ose jo, përgjigjjen le ta kërkojë tek rezultatet e mëparshme. E fitoret e mëparshme i korri Kurti me politikën e tij, pak radikale, pak demokratikisht arrogante.
Arritja e qëllimeve përmes reciprocitetit, aksioneve policore dhe metodave të tjera ishte vërtet e suksesshme, ajo dha rezultate të mira. Komunat e lartpërmendura çdo ditë e më shumë po integrohen në sistemin e Kosovës. Serbia është e pafuqishme të bëjë çkado në dobi të banorëve të veriut të Kosovës. Parametrat që tregojnë këtë janë themelimi i institucioneve, gjykatave që funksionojnë sipas sistemit të Kosovës, policia, dogana. Kemi pasur mundësi të shohim aksione të policisë ku sekuestroheshin mallra ushqimore, makina për “mihjen” e kriptovalutave, droga të ndryshme, vlera e të cilave arrinte në disa milionë euro. Të gjitha këto nuk kanë qenë më parë, ka qenë e vështirë të vendoset një farë rregulli në veri të Kosovës. Ardhja e Kurtit në pushtet ndryshoi shumë gjëra.
Qëkurse është vendosur reciprociteti për targat në vitin 2021, të gjithë ata që ngasin vetura me targa serbe duhet t’i mbulojnë simbolet kombëtare me një letër ngjitëse, gjë që është frustruese për shumëkë. Qarkullimi i serbëve drejt Serbisë qendrore është i përhershëm, kështu që kjo praktikë merr shumë kohë nëpër vendkalime, kolonat shpesh dinë të shkaktojnë vonesa të gjata.
Është edhe një ndryshim tjetër në Kosovë qëkurse Kurti është në pushtet e ai është se zgjedhjet serbe nuk mbahen më në Kosovë. Pavarësisht thirrjeve të Beogradit dhe shumë zyrtarëve evropianë, ai i shpërfilli ato dhe bëri ashtu siç deshi vetë. Ashtu siç qëndrojnë gjërat tani, nuk do të ketë më zgjedhje serbe në Kosovë. E gjithë kjo do të thotë se veriu i Kosovës po bëhet pjesë e shoqërisë kosovare.
Serbët, dikur popull rebel, tani vetëm vëzhgojnë dhe ankohen, pa asnjë veprim, pa reagim. Ndonjëherë ka ndonjë bllokim rruge ose ndonjë tubim, revoltë e shprehur në rrugë, por pa asnjë ndryshim. Të gjithë ata në njëfarë mënyre u pajtuan me fatin e tyre, të vetëdijshëm se të tjerët po ua presin këmishat. Edhe kur arrihet ndonjë marrëveshje në dëm të qytetarëve të veriut, atyre u arsyetohet se në këmbim do të marrin diçka tjetër. Një gjë e tillë nuk ndodh, natyrisht, premtimet shkojnë në harrim.
A do ta zemërojë përfundimisht kryeministri i Kosovës Beogradin zyrtar me masat e fundit për riregjistrimin e automjeteve nga targat e Serbisë në RKS dhe reciprocitetin lidhur me kartat e identitetit? A mund t’i përgjigjet presidenti Vučić kryeministrit Kurti e që kjo përgjigje të mos jetë diplomatike? Në fund, a do të funksionojë veriu i Kosovës ashtu siç e ka paraparë Prishtina zyrtare? A do ta lëshojë Kurti Veriun e Kosovës nga “kthetrat” e tij? Duke gjykuar nga e kaluara dhe tensionet aktuale, banorëve të veriut të Kosovës nuk po u shkruhet edhe aq mirë. Megjithatë, mbase ngjarjet nga e kaluara na kanë mësuar diçka – përshkallëzimi i konfliktit duhet shmangur me çdo kusht.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.