Zona e (pa)mbrojtur

Manastiri i Deçanit është një nga monumentet më të rëndësishme mesjetare në Kosovë, së bashku me manastirin e Graçanicës, Patrikanën e Pejës si dhe kishën e Shën Premtës në Prizren. Mbase kjo pasuri shpirtërore e popullit serb do të ruhet edhe pse është në një situatë të rëndë. Kurse sa i përket ndërtimit të rrugës, duhet gjetur një kompromis, të respektohet aktgjykimi, por gjithsesi edhe të ndërtohet rruga e cila do të lidhë Plavën me Deçanin. Rrugët zakonisht i bashkojnë njerëzit, kurse në këtë rast ato po e krijojnë një hendek të ri midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

0
774

Dramatizimi i situatës në Deçan ditët e fundit ka shkaktuar reagime edhe nga disa zyrtarë të nivelit të lartë. Në fakt, bëhet fjalë për një zonë të mbrojtur rreth manastirit të Deçanit, nëpër të cilën autoritetet lokale po përpiqen të ndërtojnë një rrugë që do të lidhë komunën e Deçanit me komunën e Plavës, në Mal të Zi.

Manastiri i Deçanit zotëron një pronë prej 24 hektarësh, që duhet pranuar se nuk është pak. Komuna u përpoq të uzurponte këtë pronë, por kjo u ndërpre shkurtazi me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016. Siç pohojnë nga manastiri, megjithëse vendimi i gjykatës është përfundimtar, pushteti vendor refuzon të zbatojë vendimin. Ata në të vërtetë po ndërtojnë një rrugë përmes një zone të mbrojtur. 

Në fakt, sipas të dhënave që paraqet abati i manastirit, Sava Janjić, manastirit të Deçanit, në vitin 1946 iu morën 700 hektarë tokë. Mirëpo, në vitin 1997, shteti i Serbisë ia kthen 24 hektarë manastirit, gjë që së bashku me rreth njëzet hektarët që kishte manastiri deri atëherë – përbëjnë 55 hektarë tokë. Njëzet e katër hektarët e kthyer janë regjistruar në mënyrë të rregulltë në kadastër, por pas vitit 1999, pushteti lokal i Kosovës nuk i njeh ato. Megjithëse manastiri vazhdon të përdorë atë tokë, autoritetet komunale kanë filluar të kundërshtojnë pronësinë e manastirit mbi ata 24 hektarë.

Punimet në rrugën nga Deçani deri tek kufiri me Malin e Zi, të cilat filluan dhe u ndalën në vitin 2018 dhe që u rinisën disa ditë më parë, u pezulluan përsëri me kërkesë të Qeverisë së Kosovës. Nga gjithsej 28 kilometra rrugë, pesë kilometra kalojnë brenda zonës së mbrojtur të manastirit dhe janë ende të paasfaltuara. Komuna e Deçanit qëndron prapa vendimit për rinisjen e ndërtimit dhe asfaltimit të asaj pjese, gjë e cila u kritikua ashpër nga manastiri dhe Qeveria e Serbisë.

Reaguan murgjit, Dioqeza e Rashkës-Prizrenit (Kisha Ortodokse Serbe), Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić, Bashkimi Evropian dhe Kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti. Hoti në fakt ndaloi punimet nëpër këtë zone. Kjo është arsyeja pse partia e ish-kryeministrit Kurti “hapi zjarr” ndaj kryeministrit Avdullah Hoti. Deklarata e tyre do të kënaqte çdo atdhetar serb, por kjo është larg nga logjika. 

Në komunikatë thuhet se Hoti së pari hoqi reciprocitetin, ndaloi fushatën diplomatike për njohje ndërkombëtare të Kosovës, dhe tani ai po e stopon një projekt infrastrukturor. Në këtë mënyrë akuzohet qeveria aktuale në Prishtinë se po i zbaton kërkesat e Serbisë. Lëvizja Vetëvendosje prezantoi fakte, por për të qenë të suksesshëm në politikën bashkëkohore, duhet të jesh shumë fleksibil, të lëshosh pe dhe të shtërngosh, të japësh dhe të marrësh, veçanërisht nëse keni një situatë komplekse si kjo në Kosovë. Unë konsideroj se Hoti është dikush që i kupton mjaft mirë rrethanat në të cilat ndodhet Kosova. Pyetja është se sa mbështetje të brendshme dhe të jashtme do të ketë për politikën e tij, për qëndrimet e tij.

Mëlmesa në gjithë këtë situatë është kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili nuk pajtohet me kryeministrin, por u detyrua të zbatojë kërkesat e tij. Ai beson se anashkalimi rreth zonës së mbrojtur të manastirit nuk është i mundur, sepse në ato pjesë, për shkak të terrenit të keq gjeografik, mund të zhvillohen vetëm sporte ekstreme. Përkrah të gjitha këtyre, kryetari Ramosaj paralajmëron se përkundër të gjitha thirrjeve, punimet në rrugë do të vazhdojnë. Mbase për të nuk është aq i rëndësishëm aktgjykimi, ai e shpërfilli sundimin e ligjit. Kryetari i lartpërmendur i komunës kuptohej shumë më mirë me ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj. 

Një kuptim interesant të gjërave e paraqiti historiani kosovar, Muhamet Malaj, i cili thotë se manastiri i Deçanit përfaqëson trashëgiminë kulturore të Kosovës, e jo të Serbisë. Ai theksoi se Kisha Ortodokse Serbe e ka politizuar gjithë këtë dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Kjo retorikë është mjaft e guximshme dhe mjaft ndezëse, veçse nuk është e qartë pse personi në fjalë nuk u doli në ndihmë autoriteteve lokale kur kjo çështje përfundoi në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta ka mundur të ndryshojë diçka në regjistrin e trashëgimisë të UNESCO-s. 

Abati i manastirit, Sava Janjić, propozoi një anashkalim rreth manastirit. Në llogarinë e tij në Facebook, ai paraqiti një hartë të këtij anashkalimi rreth manastirit, që, sipas mendimit të tij, do të mundësonte ndërtimin e papenguar të rrugës Deçan-Plavë. Janjić deklaroi se këtë ide e mbështetën qysh në vitin 2014 përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe Kryeministri i atëhershëm dhe tani Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. 

Përveç abatit të këtij manastiri, Presidenti Vučić gjithashtu bëri thirrje, duke kërkuar që punimet të ndalen. Ai paralajmëroi edhe formimin e një ekipi për mbrojtjen e objekteve të shenjta në Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë. Më parë, Presidenti Vučić dhe abati Janjić kanë pasur grindje të ashpra për shkak të Kosovës, e tani janë të bashkuar në qasjen e tyre ndaj këtij problemi. Kjo është një surprizë tejet pozitive. 

Megjithëse BE u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës në të gjitha nivelet që të tregonin respekt për sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik, reagimi nuk ishte unanim. Është e qartë se autoritetet lokale të Kosovës kanë mbështetjen e dikujt nga Prishtina dhe nuk duan të dinë për ndalesat. 

Ky manastir mesjetar aktualisht është manastiri i vetëm në Kosovë që ka mbrojtje të KFOR-it. Vetëm t’ua rikujtoj, para manastirit u arrestuan dikur katër persona të armatosur, të cilët asokohe abati i manastirit i klasifikoi si islamistë, pastaj u shkruan  mbishkrime “UÇK” dhe “ISIS”, e pati edhe provokime të tjera. Mbase kjo pasuri shpirtërore e popullit serb do të ruhet edhe pse është në një situatë të rëndë. Kurse sa i përket ndërtimit të rrugës, duhet gjetur një kompromis, të respektohet aktgjykimi, por gjithsesi edhe të ndërtohet rruga e cila do të lidhë Plavën me Deçanin. Rrugët zakonisht i bashkojnë njerëzit, kurse në këtë rast ato po e krijojnë një hendek të ri midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. 
   
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.