Natyra e jashtëzakonshme dhe potenciali të cilin e posedon komuna e Zubin Potokut ofrojnë mundësi për një numër të madh aventurash të ndryshme. Ato që duhet të veçohen janë bjeshka e Mokra Gorës, liqeni i Ujmanit dhe lumi i Ibrit. Kushtet e mrekullueshme që i posedon lumi i Ibrit e kanë vendosur Zubin Potokun në hartën botërore të mbajtjes së garave ndërkombëtare në rafting.
Tashmë disa vite me radhë, kjo komunë e vogël është mikpritëse e garave evropiane dhe botërore në rafting, ku kanë marrë pjesë garues nga disa vende si Italia, Ukraina, Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria, Rusia, Maqedonia, etj.
Diga rregulluese e vendosur në territorin e komunës ofron mundësi të shkëlqyera për të rregulluar Ibrin dhe për ta sjellë atë në gjendjen e nevojshme për mbajtjen e këtij lloji të garave. Shtegu në Zubin Potok është një nga shtigjet më të mira për rafting jo vetëm në këtë zonë, por edhe në rajon dhe një nga më të bukurit dhe më të dukshmit në Evropë. Është i gjatë 4 km dhe është i ndriçuar në gjatësinë prej 1 km, gjë e cila iu lejon konkurrentëve të bëjnë lëshimin në rafting edhe gjatë natës.
Komuna e Zubin Potokut ka një histori të sportit dhe shpirtit sportiv, si dhe një infrastrukturë sportive të ndërtuar mirë, ku përmes këtyre garave ka bërë një hap shumë domethënës përpara, i cili e klasifikon këtë vend në garat sportive botërore dhe në këtë mënyrë promovohet në botë. Ardhja e këtij sporti plot adrenalinë në këtë qytet të vogël ka një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për zhvillimin turistik.


Përveç garës sportive, aty zhvillohet edhe një ballafaqim në kuzhinë, “Kazani i Artë i Kollashinit”, i cili mbahet paralelisht me rafting-un dhe pikërisht buzë pistës. Aty hotelierët, kuzhinierët, shoqatat dhe individët luftojnë për titullin e më të mirit. Kjo garë zhvillohet me më pak dëshirë për të fituar por me më shumë zell për shoqërim dhe shijim të ushqimit dhe pijeve. Në këtë mënyrë, kollashinasit tregojnë mikpritjen e tyre tradicionale. Në ato pak ditë, Zubin Potoku fiton një dimension tjetër, një tjetër frymë. Edhe pse kjo është një garë me një frymë konkurruese, të gjithë janë së bashku në ato momente dhe luftojnë për njëri-tjetrin me një buzëqeshje në fytyrë.
Përveç faktit që ky vit, për shkak të virusit (Covid-19), ka zhvendosur dhe anuluar një numër të madh ngjarjesh, organizatorët e garës në rafting ia dolën të organizojnë këtë garë me një numër më të vogël të pjesëmarrësve. Kjo gjë tregon se nëse ka dëshirë dhe vullnet, përkundër fatkeqësive, prapëseprapë mund të arrihen suksese të lakmueshme.
Kjo garë mund të shërbejë si një frymëzim për të gjithë ata që jetojnë në vendbanime të vogla se si përmes këmbënguljes dhe dëshirës mund të arrihen suksese të mëdha dhe është provë se bota mund të jetë atje ku një individ apo grup dëshiron.
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës