Arti si angazhim kritik dhe publik

0
1546

Zeri

Arti që zhvillohet në institucionet vartëse të shtetit dhe ato që janë të pavarura duket të kenë qasje të ndryshe ndaj problematikave të shumta që lidhen me një shoqëri. Në debatin “A luan arti rol në shoqëri të dala rishtazi nga konflikti?”, është thënë se arti bashkëkohor ka krijuar njëfarë angazhimi kritik dhe publik, i iniciuar nga shoqëria civile, përmes OJQ-ve. Në debatin e mbajtur të martën (dje) është thënë se institucione të pavarura kulturore janë krijuar mbi idenë e një territori të lirë në të cilin gjithçka mund të ndodhë dhe ku censura është e ndaluar.

Nita Luci, ligjëruese në Departamentin e Etnologjisë dhe Antropologjisë Kulturore në UP, ka thënë se për të ka qenë interesant të shohë se nëpërmjet artit mund të bëhet diçka që është teorike. “Për mua politika gjithmonë ka qenë në një lloj hapësire publike, ndërsa arti ka qenë në hapësira publike, por i institucionalizuar në formën e muzeve”, ka thënë Luci, duke shtuar se kjo ka qenë interesant për të parë sesa në të vërtetë arti ka qenë jashtë institucioneve edhe përkundrazi institucioneve që kanë prodhuar art dhe që kanë prodhuar dije lidhur me të.

“Ajo çfarë është marrë si e qenë në art është kultura, tradita, mua më është dukur si e tillë, kur kultura dhe arti janë parë si të njëjta dhe ku huazojnë dhe marrin shumë njëri prej tjetrit”, është shprehur Nita Luci, e cila ka parë në shumë prej veprave artistike. “Arti bashkëkohor ka qenë i rëndësishëm dhe e ka krijuar njëfarë angazhimi kritik dhe publik që ka qenë i njëjti i shoqërisë civile, të përfaqësuar nëpërmjet OJQ-ve”, ka thënë ajo. Sipas saj, është krijuar një lloj profesioni puna e angazhimit në hapësirë publike dhe artikulimit të ndonjë vizioni tjetër politik për Kosovën. “Në të njëjtën kohë ka krijuar një nga hapësirat e vetme për të marrë dhe shpalosur krejt konceptet që vazhdimisht kanë funksionuar në përditshmëri, por që asnjëherë nuk janë zbërthyer më tepër”, është shprehur Nita Luci.

Për artistin nga Beogradi, Vladimir Miladinovic, rëndësia e lidhjes së artit në një anë dhe teorisë në anën tjetër është e rëndësishme, veçanërisht për punën e tij. Ai tregon se si doktorant ishte i interesuar për nocionin e memories, si funksionon në kuptimin e gjerë. “Isha shumë i interesuar në nocionin e memories personale dhe dallimin mes memories personale dhe asaj kolektive apo historike”, ka thënë Miladinovic. Ai shprehet se kur fillon të mendosh për nocion e memories, lidhjes me të kaluarën nuk mund të shmangësh lehtë të kaluarën problematike të vendit tënd.

“E kisha këtë ide që të bëja një hulumtim, parimisht unë doja të gjeja referencat e mia dhe memories sime personale nga periudha e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kësaj të kaluare shumë të afërt problematike që e kemi pasur”, tregon Vladimir Miladinovic, i cili ide bazë e kishte të shkonte në disa arkiva publike të shtetit, por që ishte e pamundur për shkak se shumica e këtyre arkivave janë ende të mbyllura, dhe disa nga to janë të shkatërruara dhe nuk mund të gjente lehtësisht gjurmë për referencat që po kërkonte që në fillim. “I vetmi arkiv i qasshëm ishte ai i gazetave ditore në Bibliotekën Kombëtare të Beogradit”, ka thënë artisti duke shtuar se hulumtoi gazeta ditore nga Serbia. “Unë bëra një listë të ngjarjeve specifike që personalisht isha i interesuar. Isha i interesuar për lajme që shfaqeshin në media perëndimore për dy kampet e përqendrimit në Bosnjën Perëndimore”, është shprehur Vladimir Miladinovic, duke treguar se kur ka filluar këtë temë ishte tabu e madhe.

Albert Heta, drejtor i Qendrës për Art Bashkëkohor “Stacion”, thotë se kur e kanë krijuar “Stacionin”, ideja ka qenë për të krijuar një institucion të pavarur të artit. “Kemi tentuar të krijojmë një institucion model, i cili tenton të krijojë varësi për mendimin e institucioneve të artit dhe kulturës dhe për t’i parë ato si hapësira të mendimit të lirë, por edhe të eksperimentimit”, ka treguar Heta, duke shtuar se është krijuar një territor i lirë në të cilin gjithçka mund të ndodhë dhe ku censura është e ndaluar. “Kjo është e kundërt me mënyrën se si funksionojnë institucionet publike te ne, në të cilat mund të shohësh ekspozita sfiduese, nuk ka debat, nuk ka diskurs, i cili promovon idenë e dialogut mes shtresave të ndryshme të shoqërisë”, është shprehur Albert Heta. Sipas tij, institucionet publike janë të krijuara për të përfaqësuar shtetin ose çfarëdo që i kujtohet një politikani. “Ne që e kemi krijuar ‘Stacionin’ e kemi menduar si një platformë e cila prodhon debat, në të njëjtën kohë kemi dashur që kjo shoqëri të bëjë debat”, ka thënë Heta, teksa ka shtuar se shpeshherë artistët në Kosovë punën e tyre e kanë treguar jashtë vendit, por asnjëherë nuk e kanë diskutuar në Kosovë, për të parë sesi ajo funksionon. “Është interesante sesi ka kaluar shumë kohë, dhe për shumë prej artistëve kjo nevoja për të trajtuar tema të pasluftës ose që ndërlidhen me luftën është ende aktuale dhe kjo tregon që jo gjithçka është në rregull. Sepse këto tema do të duhej të ishin të tejkaluara”, ka thënë Albert Heta, në debatin e organizuar nga “Perspektiva”. /Zëri/

<a href=”https://zeri.info/kultura/84176/arti-si-angazhim-kritik-dhe-publik/”> https://zeri.info/kultura/84176/arti-si-angazhim-kritik-dhe-publik/ </a>