Me randësi me marrë pjesë

0
1168

Ragip Luta

(Me sporte “te vogla” drejt normalizimit)

Fakti se futbolli me shfaqjet e veta negative e zhvendosë vëmendjen prej lajmit të pritun për ma shumë se njizet vjet asht domethanës për gjendjen në të cilën ende ndodhet Ballkani! Por e mira asht se gjanat po lëvizin, edhepse ngadalë, me sporte që veç entuziastëve ma të mëdhej u ka shkue mendja me i zhvillue në Kosovë!

Pa desht me ba presion mbi Majlinda Kelmendin, kampione botnore në xhudo, prej të cilës pritet medalje në Rio 2016, në vitet në vazhdim po doket që do të nisim me folë ma shumë për rezultatet e përfaqësuesve të Kosovës edhe në shigjetari, lundrim, pentatlon modern, apo edhe për karling, ndoshta në përgatitje për Olimpiaden e ardhshme dimnore në Korenë e Jugut me 2018. Disa prej këtyne sporteve, si karlingu, ka ma pak se dy dekada që janë pranu si sporte olimpike e disa si pentatloni modern konsiderohen si sporte themelore olimpike që nga viti 1912, dhe përfshijnë skermën (fencing), shejtarinë me pistoletë, kalurimin, notin në stil të lirë, edhe vrapimin në ambient të hapun. I ndikuem prej atmosferes ‘sportive’ të javëve të fundit, për momentin po e kam vështirë me besu se pentatloni psh mundet me i nxeh gjakrat deri në atë masë siç ban futbolli, ndërsa termin curling hooliganism mundesh me gjetë veç në tekste satirike!

Kjo po bahet e mundshme falë vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombetar (KON) javën e kalueme për m’i dhanë njohje të përkohshme (me propozim për njohje të plotë në sesionin e radhës në dhetor) Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe sidomos falë punës ma shumë se 20 vjeçare të vet KOK-ut! Vendimi, që simbas Bordit Ekzekutiv të KON-it, u mor “në interes të atletëve të Kosovës, për m’u hjekë çdo pasiguri që mund të kenë,” u lejon atyne që të marrin pjesë në kualifikimet për Lojnat Olimpike në Rio me 2016 si dhe në edicionet e ardhshme.

Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, tha se shpreson që të pakten 3-4 sportistë kosovarë do ta sigurojnë normën olimpike për pjesëmarrje në Rio 2016” dhe shtoj se “sportistët e Kosovës kanë të drejtë automatike që tani të përfitojnë nga bursat olimpike që kapin shuma në baza mujore prej $660- $1000, që nuk janë të vogla për kushtet tona.”

KOK-u ka ma shumë se 30 Federata Kombëtare, 13 prej të cilave janë federata të sporteve olimpike. Gjashtë prej tyne (të përmenduna ma nalt) janë anëtare me të drejta të plota të federatave respektive ndërkombëtare, ndërsa shtatë janë anëtare të përkohshme ose anëtare të asociume të federatave të tyne respektive.

Bordi Ekzekutiv i KON-it tha se KOK-u i kishte plotësue kërkesat për njohje siç parasheh Karta Olimpike, ku përfshihen kriteret sportive dhe teknike ashtu si dhe perkufizimi i “vendit” siç përcaktohet në rregullën 30.1 – “nji shtet i pamvarun i njohun nga bashkësia ndërkombëtare,” dhe thekson se Kosova asht njohtë si shtet nga 108 prej gjithsejt 193 shteteve anëtare të KB-së.

Vendimi i KON-it nuk u pëlqye nga Komitetit Olimpik i Serbisë (KOS) i cili tha se “e dënon këtë vendim në mënyrën ma të fuqishme dhe rrjedhimisht i dërgoi edhe protestë zyrtare KON-it.” KOS-i thotë se në vazhdim do të veprojë në bazë të rekomandimeve që do të mund të marrë nga institucionet kompetente të Serbisë. Në nji tjetër reagim, kryetari i Këshillit drejtues të Federatës serbe të hendbollit, Velimir Marjanovic, citohet se ka thanë që “kur kohë ma parë u mor vendimi për pranimin e Kosovës si anëtare të familjes evropiane të hendbollit,…, nji prej argumenteve ishte se në bazë të Marrëveshjes se Brukselit, Serbia nuk ka të drejtë me pengu anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.”

Pa marrë parasysh nëse ky hap asht rezultat direkt apo indirekt i Marrëveshjes së Brukselit, nji gja e sigurtë asht se kjo çon drejt normalizimit të gjendjes në fushën e sportit në Kosovë dhe prej saj përfitojnë të gjithë atletët kosovarë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Nuk asht larg mendsh që entuziastët e frymës olimpike tashma kanë nisë me ‘komplotu’ që në nji të ardhme (t’afërt apo t’largët) – qoftë si vend individual apo bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor – të jenë mikpritës të ndonji Olimpiade.