Të falësh por mos të harrosh?

0
1182

Violeta Hyseni Kelmendi

“I vdekuri nuk mund të bërtas për drejtësi, është detyrë e të gjallëve që t’a bëjnë këtë”, ka thënë shkrimtarja amerikane Lois McMaster Bujold. Kjo thënie shpjegon më së miri punën që e pret shoqërinë kosovare të dale nga lufta me trashëgimi të keqtrajtimit masiv të të drejtave të njeriut.

Kjo ishte tema e radhës së sallonit të së martës organizuar nga Instituti për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën e re joqeveritare “New Perspektiva” në librarinë Dit’ e Nat’ në Prishtinë. Panelistët Joanna Hanson, themeluese e organizatës Perspektiva, shkrimtari Albatros Rexhaj dhe Paulina Nowak, nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (QHDP) mbajtën fjalimet provokuese në temën: ‘Të falësh por të mos harrosh? Si iu përgjigjemi pyetjeve për faljen dhe harresën në situatat e pas-luftës?’ para një audience të përzier në përbërje të përfaqësuesve të subjekteve politike, shoqërisë civile e mediave.

Siç tha një paneliste, historia nuk mund të ndryshohet nga askush. Duke shkëputur fragmente nga libri i historianit polak Adam Michnik, ajo theksoi: “Historia është trashëgimia jonë e përbashkët. Ndërgjegjësimi ynë për këtë trashëgimi mund të jetë burim i fuqisë – në qoftë se e vlerësojmë ndershmërisht atë; ose burim i një konflikti shkatërrues – në qoftë se ne ua lëmë trashëgim fëmijëve tanë ndjenjat dhe ankthin që ne kemi përjetuar. Ne duhet të mendojmë seriozisht për këto emocione dhe ankthet, për gjuhën që ne e përdorim, që mos ta përkeqësojmë atë konflikt më tej. Është thelbësore që gjeneratat e tanishme të ndryshojnë sjelljet dhe qasjen e tyre, në qoftë se dëshirojnë që gjeneratat e ardhshme të mos jetojnë në konflikt”.

Si t’ua rrëfejmë historinë e fundviteve të 90-ta brezave të ardhshëm, në mënyrë që fëmijët tanë të mos jetojnë me kujtimet e masakrave, vrasjeve, dhunimeve, zhdukjes së njerëzve, burgosjeve, djegieve, shkatërrimeve? Dilema kryesore që u shpërfaqë në mesin e sallonistëve ishte pyetja si të pranojnë bashkëjetesën në paqe?

Janë disa rryma të mendimeve. Një rrymë thekson nevojën e ndryshimit të gjuhës apo narrativave historike që formësojnë mënyrën se si njerëzit mendojnë. Një rrymë tjetër thotë që nuk duhet as të harrojmë çfarë ka ndodhur e as të falim, por të gjejmë një rrugë të ndërmjetme dhe të mos i portretizojmë të gjithë serbët si djaj. Një rrymë tjetër thekson se Kosova duhet të presë kërkim falje nga Serbia e kjo kërkim falje nganjëherë nuk vjen nëse nuk kërkohet.

Kur u kërkua nga folësit që “t’ia lidhim kryt kësaj sfide”, siç bëhet në çdo sallon të së martës, shumica e pjesëmarrësve thanë se ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimi është proces sfidues dhe i gjatë. Shqiptarët dhe serbët duhet të gjejnë lidhjen njerëzore mes tyre dhe të bashkëjetojnë në paqe, ndërsa politikat shtetërore të dy vendeve duhet të garantojnë që dhuna nuk do të përsëritet më.

Kosova ka bërë hapin e parë drejt ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtimin duke formuar një grup ndërministror prej 20 anëtarësh në qershor të vitit 2012, i cili vitin e kaluar mbajti edhe takimin e parë. Ky grup punues u formua pas një trysnie ndërkombëtare, pak para përfundimit të mandatit të Zyrës Civile Ndërkombëtare. Qëllimi i këtij grupi ishte promovimi i paqes dhe pajtimi i qëndrueshëm, në mes tjerash duke siguruar përgjegjshmërinë, arritjen e drejtësisë, ofrimin e kompensimit për viktimat, lehtësimin e kërkimit të së vërtetës, promovimin e shërimit, marrjen e të gjitha masave për të rikthyer besimin në institucionet e shtetit dhe zbatimin e sundimit të ligjit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë tranzicionale.

Ndryshe nga shtetet tjera që kanë qenë të përfshira në konflikt por ia kanë njohur statusin njëra tjetrës, në rastin e Kosovës ballafaqimin me të kaluarën e bën edhe më të vështirë mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Por siç u shpreh edhe një panelist në sallonin e së martës, për viktimat e luftës problemi nuk zgjidhet me njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Viktimat kanë nevojë të dëgjojnë zëra nga Serbia që kërkojnë falje për dëmin e pariparueshëm që shteti serb bëri ndaj popullsisë civile shqiptare, dhe atë jo vetëm gjatë luftës së fundit. Për të bashkëjetuar në paqe dhe për të arritur një ditë deri te pajtimi ndëretnik është një rrugë e vështirë që do kohë për ta përshkuar. Në këtë rrugë nuk mund të kalohet nëse Serbia vazhdon të ketë qasje mospërfillëse ndaj këtij procesi, nëse kryerësit e krimeve nuk dënohen, nëse viktimave nuk u njihet statusi i tyre, nëse nuk zbardhet fati i rreth 1,700 personave të zhdukur dhe nuk dorëzohen mbetjet mortore. Serbia poashtu duhet të përgjigjet për dëmet morale dhe materiale që u ka shkaktuar qytetarëve të pafajshëm të Kosovës, të dëmshpërblejë viktimat dhe më e rëndësishmja, të kërkojë falje për krejt atë që ka ndodhur si pasojë e regjimit serb. Plotësimi i këtyre parakushteve do të krijonte një mjedis të përshtatshëm për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe për të qetësuar shpirtrat e trazuar të viktimave të luftës. Vetëm në këtë mënyrë, Kosova do të mund të pajtohej me humbjet e veta dhe do të mund të vazhdonte rrugën e ndërtimit të paqes së qëndrueshme.