Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe: obligim apo mundësi e mirë?

(ECMI, 17/12/2015)

0
1466

Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në përgjithësi prezentohet dhe arsyetohet si një obligim ndërkombëtar. Përfaqësues të qeverisë i referohen Asociacionit si pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Si i tillë, Asociacioni është pjesë e kërkesave për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, ashtu siç thuhet edhe në Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Një arsyetim tjetër që dëgjohet shpesh është se marrëveshja e 25 gushtit është rezultat i obligimit të Kuvendit që ta themelojë Asociacionin pas ratifikimit të Marrëveshjes së pare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të 19 prillit të vitit 2013.

Deklarime si këto e vendosin përgjegjësinë për funksionimin konkret të Asociacionit me aktorë të jashtëm ose tek zotimet e marra më pare. Fatkeqësisht, ato lëjnë anash nevojën për diskutim pëmbajtësor mbi elaborimin dhe shtjellimin e marrëveshjeve kryesore të mëparshme, si dhe pengojnë mbajtjen e një debati gjithëpërfshirës dhe qenësor për atë se si, dhe për çfarë arsye duhet të funksionojë Asociacioni.

Një nga negociatorët kyç për të drejtat e pakicave gjatë negociatave për status të Kosovës të vitit 2006, Veton Surroi, së voni dha një deklaratë ku ai përkujton se Kosova nuk ka ndonjë obligim nga Plani i Ahtisaarit që të themelojë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe. Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës parasheh mundësinë e bashkëpunimit ndërkomunal “për kryerjen e funksioneve me interes të përbashkët”. Sipas Planit, partneritetet ndërkomunale mund të ushtrojnë përgjegjesitë komunale në ato lëmi të kompetencave të veta apo të zgjeruara nëpërmjet themelimit të trupave vendim-marrës të përfaqësuesëve të emëruar nga kuvendet komunale të komunave pjesëmarrëse, nëpërmjet vendimeve për finansim dhe nevoja tjera operacionale, si dhe nëpërmjet punësimit të stafit administrative dhe personelit këshilldhënës. Dispozitat e Planit të Ahtisaarit në lidhje me bashkëpunimin ndërkomunal janë të përfshira në formë të zgjeruar në legjislacionin e Kosovës, dhe në veçanti në Ligjin për vetqeverisje lokale si dhe Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, gjë të cilen ECMI Kosova e ka analizuar në një nga raportet e saj më parë.

Plani i Ahtisaarit dhe legjislacioni kosovar që doli nga ai, megjithatë, nuk përcaktojnë format konkrete të bashkëpunimit ndër-komunal, duke përfshirë këtu atë nës mes të komunave me shumicë serbe. Argumente të ngjajshme mund të përdoren në lidhje me arsyetimin e qeverisë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar. Normalizimi i marrëdhënieve është obligim për procesin e integrimit për Kosovën—ashtu sic ceket edhe në MSA—dhe për Serbinë—në kuadër të Kapitullit 35 të negociatave të saja për integrim në BE. Se cilat vendime konkretisht merren në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, megjithatë, nuk paracaktohet me obligimet e marra në raport me BE-në. Karta Evropiane e Vetqeverisjes Lokale, të së cilës Marrëveshja e Parë e 19 prill e vitit 2013 i referohet, parasheh mundësinë e formimit të asociacioneve apo formave tjera kolektive të bashkëpunimit nga ana e komunave, mirëpo nuk saktëson se çfarë forme duhet të kenë ato. Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe, në këtë mënyrë, nuk është obligim ndërkombëtar i saktësuar në tërësi në Planin e Ahtisaarit, në kornizë ligjore të Kosovës, apo në procesin e integrimit në BE, por një mundësi e cila është duke u negociuar në kuadër të kësaj kornize.

Meqë Asociacioni është më shumë një mundësi se sa një obligim nga korniza ligjore, atëherë rrjedhimisht nënkuptohet se nuk do të ketë përgjigje për të gjitha pyetjet lidhur me organizimin dhe funksionimin e tij në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore, dhe se themelimi i tij në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës duhet të bëhet me kujdes dhe nëpërmjet një diskutimi gjithëpërfshirës.

ECMI Kosova ka argumentuar më pare dhe vazhdon të argumentojë për një proces diskutimi që do të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, dhe që do të përfshinte të gjithë aktorët në proces, në veçanti Kuvendin e Kosovës, si trupin më të lartë ligjvënës.6 Bazamenti i Asociacionit është vendosur në Bruksel, dhe principet për themelimin e tij janë ratifikuar nga Kuvendi më 2013, po statute i tij final duhet të hartohet dhe vlerësohet në mënyrë të kujdesshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendim i kërkuar nga Presidentja Jahjaga, mund të ofrojë një mundësi të mire të vendosjes së një procesi të tillë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në 2016.

Në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore, statuti duhet të përcaktojë udhëzime ligjore të qarta në lidhje me elemente që nuk janë qartësuar në Marrëveshjen e pare për normalizimin e marrëdhënieve të 19 prillit të vitit 2013, apo në atë të 25 gushtit të vitit 2015 mbi principet e përgjithshme/elementet kryesore.

Raportet e mëhershme të ECMI Kosovës kanë identifikuar këto çështje që ende mbesin të paqartësuara:

– marrëdhëniet mes Asociacionit dhe komunave pjesëmarrëse dhe kapaciteti ligjor i Asociacionit, sidomos kur mirret parasysh se përgjegjësia ligjore për vendime mbetet tek komunat;

– se çfarë nënkuptohet me “vështrim i plotë” dhe si do të organizohet Asociacioni, duke marrë parasysh faktin se korniza ligjore e Kosovës nuk lejon nivelin e tretë të qeverisjes;

– kompetencat asimetrike për Mitrovicën e Veriut (arsimi i lartë dhe kujdesi shëndetësor sekondar) dhe Graçanicën dhe Shtërpcën (kujdesi shëndetësor sekondar);

– karakteri në dukje mono-etnik i Asociacionit dhe se si kjo përputhet me karakterin shumetnik të Kushtetutës së Kosovës; si të garantohet promovimi dhe mbrojtja e të gjitha komuniteteve në kuadër të Asociacioni;

– mekanizmat për zgjidhjen e ndonjë mosmarrëveshje të mundshme në mes të Asociacionit dhe komunave pjesëmarrëse, si dhe autoriteteve të nivelit qendror;

– roli përfaqësues i Asociacionit dhe korrelacioni me një sërë masash tashmë ekzistuese për përfaqësimin pozitiv të komuniteteve pakicë në të gjitha nivelet e pushtetit qendror.

Një qasje konstruktive për të sqaruar këto çështje do të ishte zhvendosja e diskutimit tek çështja nëse Asociacioni do të kontribuojë në krijimin e një shoqërie shumetnike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë dhe nëse është e përshtatshme — dhe nëse po, në çfarë shkalle – për të shfrytëzuar mundësitë për bashkëpunim ndër-komunal të parashikuara në Planin e Ahtisaarit dhe legjislacionin e Kosovës që ka rrjedh nga ky plan. Palët që kanë nënshkruar marrëveshjet për Asociacionin deri më tani nuk kanë dhënë përgjigje të detajuara rreth kësaj pyetjeje, duke u fshehur prapa argumentit se është një detyrim ndërkombëtar dhe si i tillë përtej kontrollit të tyre.

Kësaj pyetjeje mund t’i jepet përgjigje vetëm duke vlerësuar se si shërbimet, në fushën e kompetencave vetanake apo atyre të shtuara, në komunat me shumicë serbe do të mund të kryhen në mënyrë më efikase dhe transparente, duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të ofruara nga Republika e Serbisë (që është e lejuar dhe rregulluar me Planin e Ahtisaarit dhe legjislacionin pasues të Kosovës), me krijimin e bashkëpunimit ndër-komunal. Kjo vlen veçanërisht për komunat veriore, ku performanca e shërbimeve komunale vuan nga ambiguitet institucionale dhe procesi shumë i ngadalshëm i integrimit. Në këtë drejtim, Asociacioni/Komuniteti mund të shërbejë si një platformë e nevojshme për grumbullimin e burimeve dhe aftësive në fusha me interes të përbashkët të tilla si gjuha, arsimi, kultura, dhe trashëgimia kulturore. Megjithatë, ekziston edhe rreziku që Asociacioni thjesht do të sjellë një shtresë tjetër të burokracisë në shërbimet komunale që pa nevojë do të komplikojë ofrimin e shërbimeve specifike komunale siç janë zhvillimi ekonomik lokal ose planifikimi urban; Çështjet e kësaj natyre duhet të qartësohen në statutin e saj.

Përveç kësaj, do të varet shumë nga pjekuria, vullneti dhe gatishmëria politike e të gjithë partnerëve për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive dhe për të përdorur Asociacionin si një mjet për përmirësimin e shërbimeve komunale që u ofrohen qytetarëve. Një asociacion i komunave mund të jetë më efikas në koordinimin dhe mbikëqyrjen e shërbimeve komunale se sa komuna të caktuara, në qoftë se të gjithë anëtarët e Asociacionit bien dakord dhe mbajnë punën dhe angazhimet e asociacionit në një standard të lartë. Prandaj një frymë kompromisi do të jetë vendimtare për funksionimin efektiv të Asociacionit brenda kornizës së Kosovës. Ne kemi përsëritur se kjo duhet të reflektohet në preambulën e statutit të Asociacionit me një deklaratë të guximshme dhe të qartë.

(http://www.ecmikosovo.org/wp-content/uploads/2015/12/Association-Obligation-or-Opportunity-ALB.pdf)