Albin Kurti: Asociacioni është në thelb i vdekur

0
874

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është në thelb i vdekur, thotë Albin Kurti, kandidati për kryeministër të Kosovës i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme të mbajtura muajin e kaluar.

Në një intervistë për portalin New Perspektiva, zoti Kurti thotë se, që në muajin e parë në post, do t’i rishikojë marrëveshjet që janë nënshkruar gjatë Dialogut të deritashëm me Serbinë për të parë përmasat e implementimit të tyre dhe impaktin e tyre në jetën reale të qytetarëve të Kosovës.

Ai thotë se për të përgatitur dialogun e ardhshëm me Serbinë duhet mbyllur “një plagë e hapur nga dy vitet e fundit të bisedimeve”, që ai i cilëson sekrete, midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vučić, sa i përket shkëmbimit të territoreve.

Zoti Kurti thotë se pret me padurim ta diskutojë këtë çështje me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili ka thënë se vizitën e tij të parë në detyrë, do ta bëjë në Kosovë. Në intervistën për New Perspektivën, zoti Kurti thotë se dëshiron të shohë nëse zoti Borrell do të bëjë shkëputje nga pararendësja e tij në këtë post, Federica Mogherini, e cila i ka lehtësuar bisedimet mes dy presidentëve.

Me zotin Kurti bisedoi Joanna Hanson e New Perspektivës dhe filloi me pyetjen se cilët janë objektivat kryesor të Vetëvendosjes sa i përket rezultatit të Dialogut?

Kurti: Javën e parë në post, do të filloj dialogun me serbët e Kosovës. Me qasjen nga poshtë lart. Dialog për zhvillim, të hapur, demokratik, dialog social me serbët e Kosovës. Muajin e parë në post, unë do të rishikoj marrëveshjet që janë nënshkruar gjatë gjashtë viteve të dialogut të mëparshëm 2011-2017 në mënyrë që të shohim përmasat e implementimit dhe impaktit të tyre në jetën reale të qytetarëve të Kosovës. Po në muajin e parë në post, planifikoj të takohem me zotin Borrell, Josep Borrell, pasardhësin e zonjës (Federica) Mogherini, për të zhvilluar një dialog me Brukselin për dialogun me Beogradin; duhet ta përgatisim mirë. Dhe mund të parashikoj se dialogu me Serbinë mund të fillojë para zgjedhjeve në Serbi por nuk mund të përmbyllet para tyre. Dialogu me Serbinë do të jetë një nga prioritetet kryesore të mia por jo prioriteti kryesor. Dy prioritetet kryesore të mia janë vendet e punës dhe drejtësia; zhvillimi ekonomik me investime aty ku kërkohet fuqi e madhe punëtore dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Pra dua që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës, shtetin e pavarur të Kosovës. Do të jetë mirë edhe për Kosovën edhe për Serbinë, por nuk do të lus për këtë. Dialogu do të shërbej për të ndihmuar Serbinë që të normalizohet. Përderisa Serbia nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj, mendoj se ajo nuk është vend normal. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj. Normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve tona kalon nëpër normalizimin e shtetit të Serbisë, është shumë me rëndësi. Në fund të fundit, natyrisht, ne shohim që ky dialog duhet të përmbyllet ashtu që Serbia të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të njohë shtetin e pavarur të Kosovës, të zotohet për integrim evropian dhe për paqe në Ballkan. Ne nuk presim që kjo të ndodhë së shpejti duke pasur parasysh natyrën e regjimit në Serbi.

NP: Çfarë mendoni se ka munguar në qasjen e palës kosovare, qeverisë së Kosovës, gjatë këtyre 8 viteve që nga viti 2011?

Kurti: Mendoj se qeveritë e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, pas shpalljes së pavarësisë, kanë qenë shumë pasive, jokategorike dhe, sidomos, nuk kanë kërkuar nga Serbia qe të ballafaqohet me të kaluarën e saj, të jetë e gatshme të kërkoj falje për krimet e kryera këtu para 20 vitesh dhe të paguajë për dëmet e shkaktuara të luftës. Mendoj se është për të ardhur keq që qeveritë tona nuk kanë qenë në nivel të përgjegjësisë të kërkojnë këtë nga Serbia. Rreth 10.000 civilë të paarmatosur e të pambrojtur janë vrarë, më shumë se 1000 fëmijë kanë qenë në mesin e tyre. Pastaj, 20.000 gra të dhunuara, 120.000 shtëpi dhe objekte të tjera, ndërtesa, janë djegur apo shkatërruar,   860.000 shqiptarë të deportuar në pranverë 1999 jashtë Kosovës, më shumë se 1 milion u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre, dhe 1200 artefakte kulturore i kanë vjedhur nga muzeumet tona; depozitat bankare e fondet pensionale po ashtu i kanë vjedhur – nuk na e kanë paguar asnjë euro të vetme. Dhe për dallim tani vetëm thonë ne duam veriun e Kosovës sepse e humbëm Kosovën. Duan ta vënë prioritetin e vajtimit të tyre për humbjen e Kosovës brenda mentalitetit të Milosević-it mbi vuajtjet e popullit të Kosovës të shkaktuara nga shteti që udhëhiqej nga regjimi i Milošević-it.

NP: Si do ta implementoni obligimin ligjor të Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?

Kurti: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është në thelb i vdekur, për shkak të rezitencës së popullit, veprimeve të opozitës, dhe, në veçanti, vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015, që thoshte se asnjë nga 7 kapitujt e AKS-së nuk është në pajtim me Kushtetutën tonë, dhe gjithsejt 23 nene të Kushtetutës sonë thjesht shkilen nga kjo AKS. Mund të keni një Asociacion të komunave por nuk mund të jetë një-etnik sepse do të jetë në kundërshtim me karakterin e Kushtetutës së Kosovës së pavarur. Për mua nuk ishte befasi që, pasi u bë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 23 dhjetor 2015, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, vetëm Beogradi. Kemi 132.000 serbë në Kosovë. Njëqind mijë janë të rritur, të paktën, dhe asnjë prej tyre nuk protestoi, asnjë letër e vetme e protestës ndaj këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese; ata nuk e çanë shumë kokën sepse serbët e çajnë kokën, ashtu si edhe shqiptarët, për vende pune dhe drejtësi. Jo për këtë AKS dhe mendoj se emri që zgjodhën për këtë është dështim absolut që në fillim sepse më 1991, 14 komuna në Bosnjë e Hercegovinë krijuan Asociacionin e tyre që e shpalli pavarësinë në janar 1992 dhe në shkurt 1992 e fitoi Kushtetutën e vet, në dhjetor 1995, në Dayton, Ohio, njohjen ndërkombëtare, me emrin Republika Srpska. Pra, është e dështuar pa filluar.

Prandaj, unë mendoj se duhet të diskutojmë për të drejtat e njerëzve, nevojat e komuniteteve, e jo për konstrukte të reja që do të na bëjnë jofunksional sipas modelit të Bosnjës. Në Bosnjë e Hercegovinë keni Republika Srpska-n, e cila nuk është shtet por është republikë brenda BeH-së, e cila është shtet por nuk është republikë. Në Kosovë, ata duan të krijojnë AKS këtu si një lloj Republika Srpska light, që do të ketë elemente të një shteti por nuk do të jetë republikë, por brenda një shteti të Kosovës i cili do të bëhet më pak se republikë. Prandaj, mendoj se këto zgjidhje të shekujve të kaluar nuk janë të mirëpritura këtu dhe nuk i bëjnë mirë shqiptarëve, e as serbëve. Serbët e Kosovës janë nën presion të Beogradit – vëzhguesit ndërkombëtarë e dëshmuan këtë në lidhje me zgjedhjet e 6 tetorit 2019 – ata thanë se pati frikësime, presione mbi serbët e Kosovës, Më shumë ka demokraci në Kinë se sa në komunat me shumicë serbe në Kosovë – për shkak të presionit të Beogradit, dhe raportet ndërkombëtare e treguan këtë. Pati mashtrime në përmasa industriale në zgjedhjet e qershorit 2017 dhe në tetor 2019, dhe mes këtyre ishte vrasja e Oliver Ivanović-it në janar 2018. Ne duhet të bëjmë diçka për të adresuar këtë. Prandaj, nëse krijoni AKS-në në këtë kontekst, kur Beogradi përkufizon të qenit serb si anëtarësi partiake e jo identitet kombëtar, anëtarësi partiake në partinë e Vučić-it, atëherë vetëm do të legjitimoni këtë presion nga Beogradi, nuk do t’i jepni asgjë serbëve të Kosovës. Prandaj ky është një argument plotësues përse nuk mund ta pranojmë atë.

NP: Çfarë mendoni saktësisht kur flisni për zëvendësimin e taksës 100% me reciprocitet?

Kurti: Reciprociteti është një kriter konstruktiv dhe i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi. Patenta e shoferit e Kosovës nuk pranohet në Serbi. Nëse shoferi ynë i kamionit me mallra kosovare shkon në Serbi, ai mund të gjobitet me 800 euro; mallrat që mund  t’i ketë në kamion nuk do të lejohen atje sepse në certifikatën e prodhimit do të shkruan Republika e Kosovës – ata nuk do ta pranojnë. Pastaj, në Graçanicë mund të keni një mësimdhënës serb që ka marrë diplomën në Universitetin e Nishit, Kragujevcit apo Beogradit por një shqiptar që ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës nuk mund të japë mësim në Bujanoc, Preshevë apo Medvegjë. Dhe, kjo, në fakt, është nënshkruar si marrëveshje në Bruksel por nuk implementohet nga Serbia. Na duhet reciprociteti në marrëdhëniet tona, na duhet simetri që të ketë ndershmëri në marrëdhëniet tona bilaterale.

NP: Domethënë po flisni për reciprocitet për çështje të këtij lloji, çështje teknike?

Kurti: Po, dokumente, certifikata, dokumente udhëtimi, patentë shoferi, për qarkullim të lirë  të njerëzve, shërbimeve, kapitalit, automjeteve, autobusëve, kamionëve dhe veturave, pra reciprocitet të plotë. Më 7 dhjetor 2011, parlamenti ynë miratoi një rezolutë për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, por asnjë qeveri deri tani nuk e ka implementuar.

NP:  Gjithmonë ka qenë politikë e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) që t’i lë liderët e të dyja palëve të raportojnë në vend mbi atë se çfarë kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord në Bruksel gjatë bisedimeve të lehtësuara. Kjo ka rezultuar me keqinformim dhe mungesë transparence. Si kryeministër dhe mbase udhëheqës, një nga udhëheqësit e palës kosovare, si do ta ndryshoni këtë?

Kurti: Në të kaluarën, ata thanë se në fund marrëveshja do të kalojë në parlament me shumicë prej dy të tretash. Une mendoj se nuk duhet të presim fundin për shumicën prej dy të tretave, duhet të fillojmë që nga fillimi me shumicën prej dy të tretave. Unë do të krijoj një ekip negociues me dy nivele. Një nivel, profesionistë dhe ekspertë – niveli teknik; dhe tjetri – niveli i përfaqësimit politik, ku do të dëshiroja të përfshijë edhe opozitën. Përfshirja e tyre nënkupton se do të krijojmë një konsensus kombëtar. Nuk duhet ta lejojmë Serbinë si një pykë në skenën tonë politike, siç e kemi parë në qeverinë e kaluar, kur miratonin me 59 vota nga 120, shumicën e të pranishmëve në sesionin plenar, miratuan delegacionin shtetëror për dialog me Serbinë; nuk është OK, nuk mund ta bëni këtë! Prandaj do të zhvillojë shumë dialog të brendshëm për dialogun me Serbinë. Na duhet konsensus, konsensus kombëtar. Ka aq shumë gjëra të tjera për të cilat mund të grindemi. Serbia nuk duhet të jetë një prej tyre. Sigurisht, unë do të raportoj rregullisht në parlament sepse unë do të duhet të kryesoj ekipin.

NP: E përmendet z. Borrell, i cili brenda pak ditësh do të marrë postin e tij si Përfaqësues i Lartë i BE-së. Ai ka thënë se udhëtimi i tij i parë do të jetë në Kosovë. Çfarë përgatitjesh keni bërë tashmë për këtë vizitë? Cilët janë objektivat tuaj me këtë?

Kurti: Paj, dua të shoh nëse z. Borrell do të bëjë një shkëputje nga zonja Mogherini. Është me rëndësi ta dimë këtë. Ekziston një plagë e hapur nga dy vitet e fundit të bisedimeve sekrete midis dy liderëve sa i përket këmbimit të territoreve. Presidenti ynë siç duket pati dy vjet për ta bindur popullin e Kosovës që të angazhohet në këtë aventurë. Ai dështoi ta bënte këtë, dhe në vend të kësaj ai nxiti protestën më të madhe kundër vetvetes që është mbajtur ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, d.m.th. protestën më 29 shtator 2018, kur dhjetëra mija vetë dolën në rrugët e Prishtinës me moton “Populli nuk i nënshtrohet një njeriu”, një  qenjeje njerëzore. Pra, ne duhet ta mbyllim këtë plagë. Projekti i tyre për këmbimin e territoreve dështoi. Ideja ende nuk ka vdekur.

Unë do t’i propozoj tri parime për ta mbyllur këtë plagë. Numër 1: nuk ka marrëveshje pa dialog. Sepse këtë u përpoqën të bënin, bisedime sekrete për një marrëveshje, për një zgjidhje të shpejtë. Dhe u përqëndruan shumë në festën pas marrëveshjes e jo në dialogun para marrëveshjes. Parimi i dytë: nuk ka dialog me harta. Mund të diskutojmë cilat duhet të jenë të drejtat e njerëzve, çfarë marrëdhënie do t’i kemi me njëri-tjetrin si dy vende, çfarë mund të bëjmë që të punojmë së bashku dhe të bashkëpunojmë, bilateralisht dhe multilateralisht; cilat janë nevojat e komuniteteve në të dyja anët e kufirit, por nuk mund ta bëjmë këtë me harta, thuajse jemi ca gjeneral ushtrishë të Luftës së Parë Botërore me lapsa jo aq të mprehtë mbi harta duke bërë përpjekje të rivizatojmë dhe luajmë me zjarrin e gjeopolitikës. Jo, jo dialog me harta! Dhe parimi numër tre – paj, meqë hartat do të ekzistojnë, këtë e dimë – nuk ka harta me presidentë rreth tyre. Vetëm ekspertë të demarkacionit. Jo presidentë rreth hartave. Pra, aty ku ka harta, nuk dua t’i shohë presidentët afër. Ky është parimi numër tre. Pres me padurim të diskutoj këtë me zotin Josep Borrell. Kjo është kyç. Për ta përgatitur dialogun e ardhshëm, ne duhet të mbyllim këtë plagë.

NP: Thatë se doni të bisedoni me komunitetin serb, dhe këtë e keni thënë ka disa vite – është thuajse një prej objektivave tuaj kyç, të keni normalizim me ta. Nuk mund të besoj se këtë do të filloni ta bëni vetëm në ditën e parë të qeverisë së re. Sa bisedime keni zhvilluar tashmë me qytetarët serbë të Kosovës? Çfarë keni mësuar, dhe cilat janë synimet tuaja imediate që rezultojnë nga kjo?

Kurti: Jam takuar me shumë serbë anëkënd Kosovës sa kam qenë në opozitë por shpesh herë kanë qenë takime për të cilat ata kanë pasur frikë se mund të bëhen publike e pastaj mund të goditen nga strukturat paralele të Serbisë. Kështu që tani do të jetë një fazë tjetër sepse ne do të jemi në qeveri dhe do të jemi në gjendje t’i mbrojmë; sepse ka qenë e vështirë për mua të takohem me serbë të Kosovës derisa qeveria jonë angazhohej në bisedime me Serbinë për ta, në vend se të bisedonte drejtpërdrejtë me ta. Pra, si opozitë ishte e vështirë të zhvilloje këtë dialog nga poshtë derisa e kishim këtë dialogun tjetër nga lart të të dy qeverive të fuqishme nga të dyja palët.

Nga ana tjetër, për të pasur një dialog të suksesshëm, duhet të jeni në gjendje ta mbështesni atë materialisht, financiarisht, gjë që qeveria mund ta bëjë. Nëse bujqit shqiptarë dhe bujqit serbë në një fshat bien dakord për farat, fertilizatorët, përpunimin e ushqimit, tregun bujqësor dhe mënyrat se si shteti duhet t’i subvencionojë, atëherë ne mund t’i mbështesim. Prandaj mendoj se tani është shumë më mirë dhe pres me padurim të takohem me ta dhe të realizojmë disa projekte të përbashkëta. Jo dialog për pajtimin. Nuk më duhet pajtimi me një serb të Graçanicës. Çfarë më kanë bërë ata mua? As unë nuk u kam bërë asgjë atyre. Prandaj pajtimi do të ndodhë kur Serbia ta njohë Kosovën, dhe të ballafaqohet me të kaluarën e saj. E dini, pajtimi ka të bëjë me të kaluarën, marrëveshja ka të bëjë me të ardhmen. Pajtimi ka të bëjë me faktet, marrëveshja me vlerat. Me Serbinë, edhe kur jemi pajtuar për vlerat, nuk jemi pajtuar për faktet. Atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, ata nuk duan ta njohin, nuk duan ta pranojnë! Unë mendoj se ata nuk duan ta njohin pavarësinë e Kosovës sepse nuk duan ta pranojnë çfarë kanë bërë këtu. Prandaj, është dëshmuar i pamjaftueshëm pajtimi për vlerat, le të themi integrimin evropian, paqen, demokracinë, zhvillimin, sigurinë, bashkëpunimin dhe të gjitha këto gjëra, derisa nuk pajtohemi për faktet. Prandaj dakordimi për vlerat kur nuk pajtoheni për faktet e bën të brishtë çdo marrëveshje. Dhe ky pajtim nuk duhet të bëhet midis shqiptarëve e serbëve nga Prishtina e Graçanica. Dialogu nga poshtë së këndejmi nuk duhet të jetë dialog për pajtimin, por dialog për zhvillim, vende të punës dhe drejtësi. Dhe, e dini, mafia, krimi i organizuar, është multi-etnik. Prandaj, le ta zhvillojmë një luftë multi-etnike kunder krimit të organizuar i cili është multi-etnik. Vende pune dhe drejtësi! 

NP: Kur planifikoni të takoni Presidentin Vučić dhe/ose zonjën Brnabić?

AK: Paj, kam pasur për të shkuar në Berlin tani në një konference për të qenë, më duket, në një panel me znj. Brnabić por ajo e anuloi atë sepse kishte ca punë të tjera. Sigurisht, ne, në raste të ndryshme, do të takohemi; për mua, të them sinqerisht, nuk është ndonjë ngjarje. Dhe sigurisht tani do të marr pjesë në nivele të ndryshme dhe me siguri do t’i takoj ata. Por dialogu me lehtësimin e Brukselit, ai është tjetër gjë, derisa këto gjërat tjera përreth, mund të ndodhin.

Intervistën e plotë me zotin Kurti, të zhvilluar në anglisht, mund ta lexoni këtu.