Austria aplikon për kodin telefonik të Kosovës me 1 janar

Me 1 janar 2016 Austria aplikon për kodin telefonik të Kosovës që është 383 ndërsa në mars të vitit 2016 Internacional Telecommunication Union (ITU) në njërin nga takimet e veta do të bëjë votimin pro këtij kodi.

0
1091

Lajmin për Gazetën Tribuna e ka dhënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila tha se pas votimit të kodit për Kosovën nga ITU, kodi do të shpallet në buletinin e ITU siç bëhet për çdo shtet.

Tahiri tha se kemi hyrë në fazën e zbatimit të këtij procesi dhe, sipas kohës së planifikuar, ITU do t’ia ndajë Kosovës kodin shtetëror. Pasi të ndodh ky proces do të vazhdojnë zbatimet teknike.

“Pasi që ndodh ky proces do të vazhdojnë zbatimet teknike të kalimit të tri kodeve që aktualisht përdoren në Kosovë në kodin unik 383. Për Kosovën do të aplikojë Austria dhe, në bazë të marrëveshjes, Serbia është pajtuar që të heqë pengesat që ITU të bëjë alokimin e kodit”, ka thënë Tahiri.

Ajo tha se Austria do të aplikojë për Kosovën sepse Kosova nuk mund të aplikojë për faktin se ende nuk është anëtare e OKB-së.

“ITU është organizatë e OKB-së për telekomunikacion dhe për të tejkaluar këtë problem që Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe marrëveshja e Brukselin ka mundësuar që të tejkalohet ky problem dhe me angazhimin e Bashkësisë Evropiane që ka biseduar drejtpërsëdrejti me ITU zgjidhja është gjetur përmes asaj që Austria të aplikojë në emër të Kosovës për kodin”, shtoi Tahiri.

(Gazeta Tribuna)