Big Deal – Të përçarë

Të përçarë – ky është përshkrimi që raporti i tretë Big Deal i bën gjendjes aktuale të procesit të implementimint të marrëveshjeve të normalizimit.

0
1326

Të përçarë – ky është përshkrimi që raporti i tretë Big Deal i bën gjendjes aktuale të procesit të implementimint të marrëveshjeve të normalizimit.

Ky është një gjykim i fuqishëm dhe grafik, sidomos pasi raporti thotë se në përgjithësi është shënuar progres jashtëzakonisht i madh. Por ai proces tani vlerësohet se po krijon përçarje në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, se po krijon përçarje brenda shoqërisë kosovare dhe si jo i pakthyeshëm. Procesi ende nuk është i ngulitur ose i pranuar sa duhet.

Ky raport, siç kanë bërë edhe dy raportet paraprake, tenton të vlerësojë se çfarë përparimi është bërë në marrëveshjet e 2013-ës të lehtësuara nga Brukseli. Ai me kujdes bën një listë të marrëveshjeve teknike dhe politike dhe ndjekë se çfarë është arritur. Kjo është e vlefshme. Raporti po ashtu përmban rekomandime të logjikshme për të gjitha palët e përfshira në dialog që kanë implikime më të gjëra në përmirësimin e integrimit të komuniteteve.

Raporti, që është i pari vlerësim i Big Deal-it që nga nënshkrimi i marrëveshjes së 25 gushtit, i kushton hapësirë dhe analizë të konsiderueshme natyrës së marrëveshjes për AKS-në, në veçanti bazës së saj ligjore. Ajo është analizë e dobishme ndonëse kryesisht e bazuar në vlerësimet e ngjashme të mëhershme. Në analizën e tij ka përfshirë edhe efektin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punës rreth marrëveshjes së 25 gushtit për AKS-në deri më 21 janar të 2016-s. Raporti e përfundon këtë analizë duke konstatuar se një gjë është e qartë dhe ajo është se institucioni nuk do të krijohet deri në fund të vitit 2015 siç është paraparë me marrëveshjen e 25 gushtit. Por marrëveshja vetëm thotë se një projektstatut duhet të paraqitet brenda katër muajve në Dialogun e Nivelit të Lartë. Ajo nuk thotë asgjë për ndonjë datë për marrëveshje përfundimtare për AKS-në.

Puna rreth hartimit të statutit do të duhej të kishte filluar dhe ka qenë – kjo është e diskutueshme – tashmë në proces e sipër për dy muaj kur Gjykata Kushtetuese lëshoi vendimin e saj për pezullimin e punës. Siç e dime kjo nuk është mënyra se si gjërat funksionojnë zakonisht dhe duket se ka pasur një zënkë rreth asaj se kush duhet të jetë në Ekipin Menaxhues të ngarkuar me hartimin e statutit. Unë megjithatë besoj se puna është duke vazhduar përkundër pezullimit në mënyrë që të ketë diçka për të nxjerrë si me magji. Nuk ka asgjë që mund t’i ndalojë palët e Beogradit dhe EEAS-së që të bëjnë sa më shumë që të jetë e mundur.

Më shqetësues është fakti se procesi tani është manipuluar rëndë brenda në Kosovë dhe fajin për këtë pjesërisht e ka qeveria në Prishtinë dhe media që po dështon të luajë rolin e saj si shtyllë e katërt. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria është dashur të paraqesë argumentet e saj para parlamentit dhe jo të stërhollojë në lidhje me atë se a duhet patjetër ta bëjë një gjë të tillë apo jo. Nuk është dashur të priste deri sa t’i bëhej presion për ta bërë këtë por është dashur ta bëjë menjëherë siç bëri në shkurt të këtij viti. Qeveria është dashur të paraqesë argumente shumë më të qëndrueshme në raportin që nxori pas marrëveshjes e që kishte më shumë një ton deklarativ. E kemi thënë këtë në New Perspektiva që nga 25 gushti. Raporti i Big Deal-it rekomandon fuqishëm se qeveria duhet të shpjegojë detajet e marrëveshjes. Qeveria do të ishte mirë të mos harrojë se parlamenti i Kosovës është institucion kyq në Kosovën demokratike dhe të luajë rolin e saj të duhur në raport me atë institucion dhe rrjedhimisht me qytetarët e vet.

Këto dështime i kanë mundësuar VV-së dhe opozitës t’i japin AKS-së një rol dhe rëndësi që nuk e ka. I ka mundësuar opozitës që të manipulojë me këtë marrëveshje dhe ta përdorë atë si causus belli të saj; ta bëj parlamentin jofunksional. Opozita po i ndezë marrëdhëniet ndëretnike duke i vënë ato në një nivel më të ethshëm se sa që kanë qenë një kohë të gjatë. Është mbase për t’u befasuar se si vetëm disa ditë më parë pati sulme, që supozohet të jenë etnike, në Srbobran dhe Gorazhdec. Sigurisht që edhe atmosfera pas dështimit për pranim në UNESCO mund t’i ketë kontribuar kësaj.

Të përçarë nënkupton pak shpresë për ndonjë fusion ose bashkim në të ardhmen. Ndoshta ky titull ishte paksa i ashpër. Procesi i dialogut ka krijuar konsocializim më të madh dhe gjithashtu ka bërë një punë të madhe në reduktimin e ekzistencës së strukturave paralele. Gradualisht po e ndryshon situatën ku ka pasur dështim total të sundimit të ligjit. Marrëveshjet kanë mundësuar lehtësimin e investimit të burimeve të konsiderueshme në veri në mënyrë të ligjshme dhe transparente. Kryeministrat flasin mes vetë direkt dhe pala serbe ka shprehur besimin se mund të mbahen më shumë bisedime direkte. Këto gjëra pozitive mund të kenë pasur momentet e tyra të mira dhe të këqija por kjo prapë është një shenjë e komunikimit që nuk kishte ekzistuar më parë.

Këshillat e përkohshëm komunal në nivele komunale mbesin edhe më tej në komunat me shumicë serbe dhe ky problem është qartësisht vepër e Beogradit. BE-ja ka tentuar që të ngul këmbë në këtë çështje por nuk është e qartë sa fuqishëm edhepse në Kapitullin 35 të Qëndrimit të Përbashkët të BE-së një nga kushtet është që Serbia të ndërpresë financimin dhe mbështetjen e strukturave serbe (dmth këshillat e përkohshëm komunal, stafin komunal) në mënyrë që të finalizohen dhe konsolidohen administratat komunale në pajtim me ligjet e Kosovës.

Ata këshilla mbeten ende aty. Ky është një dështim i konsiderueshëm pasi që vazhdimi i ekzistimit të tyre është ilegal dhe jodemokratik. Gjithashtu është duke e vonuar procesin që do t’u mundësonte njerëzve, sidomos atyre në veri, t’i japin njëfarë fundi frikës që është rezultat i marrëveshjeve dhe të bëjnë ndryshime të paevitueshme në jetën e tyre e të ndihmojnë t’i eliminojnë ato frikë, megjithëse shpeshherë të pabaza. Raporti thekson qartë që këto këshille duhet të mbyllen “me kujdes” nga Serbia e cila gjithashtu duhet të sigurojë jetesën e atyre që punojnë për to. Unë mendoj se Beogradi duhet të vendosë aranzhime të përkohëshme që në përgjithësi të lehtësojë një tranzicion për njerëzit në veri të cilat kanë qenë “të punësuar” në sektorin publik që Beogradi e ka zhvilluar që nga viti 1999 por nuk mund t’ua garantoj jetesën.

Oliver Ivanović, ish-politikani kosovar që po pret rezultatin e gjykimit të tij, është intervistuar nga autorët e raportit dhe është cituar në konkluzionet e tij. Ai i përmbledhë këto pika mirë kur thotë se si shqiptarët si serbët nuk kanë besim dhe janë të frikësuar nga ndryshimet dhe se ata duhet të informohen nga lart, nga Qeveria, se çfarë nënkuptojnë këto marrëveshje. Ky ka qenë faktor i procesit të normalizimit qysh nga fillet e tij dhe qeveritë vazhdojnë të mos e kuptojnë se ata do t’ia lehtësonin vetes punën nëse do të jipnin informacione mbi procesin dhe nëse do të kishin vetbesimin për të hapur debatin rreth tij. Qeveria e Kosovës në veçanti duhet të zhvillojë një strategji për të rrënjosur dhe për të gjeneruar mirëkuptim dhe pranim për rezultatet e dialogut. Raporti i Big Deal lë pak dyshim për këtë.

18 dhjetor 2015