Chollet bisedon me Kurtin për “zbatimin e menjëhershëm” të Asociacionit

0
107

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me takimin e 2 majit mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një postim në Twitter, Chollet tha se kanë biseduar edhe “për rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm” të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti tha se me Cholletin kanë diskutuar agjendën e takimit të së martës.

Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i tij thuhet, po ashtu, se Kurti theksoi rëndësinë e “zbatimit në tërësi dhe me mirëbesim” të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pikë e parë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës dhe më pas ajo e Asociacionit.

Pritjet janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga i ashtuquajturi Ekip Menaxhues.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe u pajtuan gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.

Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Javën që shkoi, Chollet njoftoi se ka biseduar edhe me presidentin serb, Vuçiq, në lidhje me takimin e 2 majit. Ngjashëm tha se kanë folur për “nevojën urgjente” për të formuar Asociacionin.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Serbia vazhdimisht ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

(evropaelire.org, 01/05/2023)