Demografi sociale

Në blogun e kaluar kam shkruar për potencialin e pashfrytëzuar turistik të komunës së Leposaviqit e cila sigurisht ka një prej potencialeve më të mëdha në mbarë Kosovën. Ndërkohë kam hasur në disa informacione që tregojnë se në ç’kanal të thellë kemi rënë të gjithë së bashku dhe çfarë është kriza e vetëdijes e të gjithë atyre që jetojnë në këto hapësira.

0
1236

Në blogun e kaluar kam shkruar për potencialin e pashfrytëzuar turistik të komunës së Leposaviqit e cila sigurisht ka një prej potencialeve më të mëdha në mbarë Kosovën. Ndërkohë kam hasur në disa informacione që tregojnë se në ç’kanal të thellë kemi rënë të gjithë së bashku dhe çfarë është kriza e vetëdijes e të gjithë atyre që jetojnë në këto hapësira.

Në kuadër të komunës së Leposaviqit ndodhen 72 fshatra, me potencial jashtëzakonisht të madh turistik (malor, të banjave), bujqësor, pyjor, por fatkeqësisht me gjithnjë e më pak njerëz që jetojnë në to. Tendencat demografike vitet e fundit janë të tilla sa njerëzit masivisht po i braktisin fshatrat dhe po kalojnë në qytete apo qyteza, në kërkim të jetës më të bukur e më të lehtë, me shpresën se atje, në asfalt dhe larg arave i pret vendi i punës dhe ekzistenca e sigurtë. E dimë se nuk është ashtu. Jo vetëm se nuk është ashtu, por njerëzit që kanë vendosur të rrinë në fshat dhe të jetojnë nga puna e nga pronat e veta, shumë shpesh jetojnë edhe më mirë sesa njerëzit në qytete/qyteza, sepse janë në gjendje të prodhojnë dhe të jetojnë kryesisht nga puna e vet. Natyrisht, kjo nuk është aspk e lehtë, sidomos jo fizikisht, por a nuk është më mirë të jeshë në fshat, të jesh padron i vetvetes dhe të jetosh pa brenga për një ekzistencë të thjeshtë apo të jesh në qytet, të jetosh “jetën në mënyrën qytetare” dhe të brengosesh se si të ushqesh familjen nga i pari deri te i pari i muajit tjetër?! Shembulli më i freskët të cilin e kam dëgjuar e që më shkakton trishtim shumë të madh është ai se shkolla në fshatin Kërnin i Poshtëm është mbyllur. Ajo ka qenë shkollë në të cilën fëmijët e fshatit kanë nxënë mësimet deri në klasën e katërt të arsimit fillor dhe të cilën vetëm deri para disa vitesh e kanë vijuar më shumë se tridhjetë fëmijë nga fshati. Sot, në 2015-n, në dyert e asaj shkolle do të gjeni drynin dhe asnjë fëmijë në oborrin e shkollës. Ku janë ata njerëz? Në qytezat përreth. Çfarë bëjnë atje? Unë nuk e di. Ato janë qyteza në të cilat ka më shumë se 20 vjet që nuk punon asnjë fabrikë, ndërsa gjatë kohës së ish Jugosllavisë kanë qenë më shumë se 20. Ato janë qyteza nga të cilat njerëzit ikin në qytete më të mëdha, e në to ndërrohen nga njerëzit prej të gjithë këtyre fshatrave të bukura. As të parët e as të dytët nuk kanë çfarë të bëjnë atje ku janë zhvendosur. Kështu ndodh si me fshatrat serbe në këtë komunë ashtu edhe me tri fshatrat shqiptare që janë në kuadër të komunës së Leposaviqit. Dallimi i vetëm është drejtimi në të cilin lëvizin ata njerëz. Serbët lëvizin kah veriu dhe Serbia, ndërsa shqiptarët nga kjo komunë madje nuk kanë as pikëtakime me të por të gjitha punët e tyre i kryejnë në Mitrovicë. Fëmijët atje u shkojnë në shkollë, në fakultete, të rriturit atje kërkojnë punë, madje edhe punët administrative i kryejnë në komunë në Mitrovicën e Jugut, e jo në Leposaviq.

Do t’i kthehesha potencialit turistik. Di aq shumë raste kur njerëzit hapin bujtina dhe sigurojne shërbime të akomodimit, ushqimit, shëtitjeve për ata që duan t’i vizitojnë fshatrat e tyre. Kjo është një punë me shumë leverdi për shumë familje në rrethinë, po jo edhe tek ne në Leposaviq. Tek ne jo, e jam shumë i bindur se kemi shanse shumë më të mira për zhvillimin e turizmit rural sesa cilado komunë në afërsi. Ato fshatra janë të pasura me burime të ujit shërues, ndodhen në shpatet e disa prej maleve më të bukura, kanë rëndësi të jashtëzakonshme kulturore, historike për popujt që kanë jetuar këtu me trashëgimi të madhe kulturore. Dhe në ç’mënyrë i kemi shfrytëzuar këto?! Në asnjë mënyrë! Zakonisht në tekstet e mia fajësoj komunen se nuk bën mjaft në fusha të ndryshme të veprimit të saj. Edhe në këtë rast nuk bën, ky është fakt. Por këtë herë nuk do të thosha se komuna është fajtori kryesor dhe i vetëm për këtë. Bile njësoj janë fajtor edhe njerëzit që jetojnë në ato fshatra që nuk po tregojnë asnjë iniciativë për t’i rregulluar fshatrat e veta dhë në këtë mënyrë të tërheqin njerëz. Jo fshatrat, le të rregulloi secili oborrin dhe shtëpinë e vet, kjo, së bashku me bukuritë e jashtëzakonshme natyrore që tashmë i kanë, do të mjaftonte për të zgjuar interesimin e njerëzve që të vijnë këtu dhe t’i lënë paratë e tyre të planifikuara për pushime pikërisht tek ta. Kjo padyshim do të shtynte edhe komunen që të merrej më shumë me ato fshatra, nëse jo ndryshe atëherë përmes promovimit, e natyrisht që mund të ndihmojnë edhe përmes subvencionimeve të caktuara dhe përmes infrastruktures e cila do të përmirësonte qasjen në këto fshatra. Poashtu, në Kosovë ekziston një numër i madh i organizatave të huaja të cilat janë të gatshme të ndihmojnë zhvillimin e bizneseve të vogla familjare. Konkretisht, kam dëgjuar se Banka evropiane për rindërtim e zhvillim (EBRD) ka shpallur konkurs për finansimin e projekteve për gra në biznes dhe konsideroj se kjo mund të shfrytëzohet shumë mirë për këtë lloj biznesi. Vetëm nevojitet që njerëzit të interesohen dhe të bëjnë përpjekje për fitimin e llojeve të tilla të ndihmave.

Unë mendoj se kjo vërtetë është rruga deri te rimëkëmbja e familjeve në fshatra, e me vetë këtë edhe te rimëkëmbja e fshatrave, gjë që padyshim do të sillte edhe deri te rimëkëmbja e këtyre qytezave për të cilat shkrova më sipër. Kjo është rruga për këta njerëz deri te fitimi më i lehtë dhe shkarkimi mendor, kjo është rruga e komunes deri te rimëkëmbja ekonomike, kjo është rruga e të gjithë neve deri te një jetë sadopak më e mirë.

Unë besoj absolutisht në këto që kam shkruar. Shpresoj që edhe ndonjëri prej atyre që kam përmendur në këtë tekst të njohë veten këtu dhe të niset në këtë rrugë. Pas ndonjë viti sigurisht do të jenë/jemi më të lumtur sesa që janë/jemi tash.