Dialog i brendshëm apo monolog?

Ajo çka mua, si banor i Kosovës, i përkatësisë etnike serbe, më së shumti më brengos është që në këtë dialog, tani për tani, nuk po merr pjesë askush nga Kosova, mendoj në përfaqësuesit e serbëve, e sipas meje ky është një parakusht kyç që gjatë këtij procesi të arrihet deri tek një lloj zgjidhjeje e qëndrueshme, nëse fare planifikohet ndonjë zgjidhje e tillë, sepse ka indikacione që ky dialog, përveç pompozitetit i cili po e përcjell, nuk do të sjellë ndryshime të mëdha në qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, por le t’ia lëmë këtë kohës ta tregojë.

0
3704

Tash e disa ditë është aktuale tema e cila ka të bëjë me thirrjen e presidentit të Serbisë drejtuar qytetarëve dhe institucioneve për të ashtuquajturin dialog të brendshëm për Kosovën. Kjo temë në vetvete kalon suazat e politikës ditore dhe shndërrohet në një temë e cila duhet të trajtohet në një mënyrë shumë më serioze ose më të organizuar sesa që ka qenë rasti deri më tani me disa tema të ngjashme. Thirrja e presidentit për atë dialog dhe për dialog të tillë ka shkaktuar një ortek lavdërimesh por edhe dënime nga ana e opinionit publik serb, sepse qartazi prek në një temë që nuk është edhe aq e popullarizuar në Serbi për ndonjë arsye të panjohur.

Thirrja për një dialog të tillë erdhi në momentin kur procesi i negociatave në Bruksel po sillet në një pozitë prej së cilës nuk ka më kthim mbrapa, meqenëse pothuajse të gjitha detajet teknike të negociatave tashmë janë respektuar apo janë në proces e sipër të zbatimit, të gjitha përveç atyre kryesoreve natyrisht, por tashmë jemi mësuar me këtë, edhe ne serbët, por edhe shqiptarët. Gjatë periudhës së kaluar pamë që disa detaje gjatë implementimit të tyre kanë shkaktuar më shumë dëm se sa dobi dhe se është e qartë që gjatë negociatave nuk brengosen për atë se si do të zbatohet ajo në terren, por e vetmja gjë e rëndësishme është që në orët e vona në Bruksel të nënshkruhet ndonjë letër dhe që kjo të prezantohet si sukses i të dyja palëve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Ndoshta është ky normalizim i marrëdhënieve pikërisht ai që edhe e ka shtyrë presidentin e tashëm të Serbisë të inicojë këtë temë sepse nga pozitat e tanishme është pothuajse e pamundur të arrihet ajo klauzolë e marrëveshjes. Përveç procesit të normalizimit të marrëdhënieve, sipas mendimit tim, njëra nga gjërat që kanë inicuar një lëvizje të tillë të presidentit Vučić është edhe ndryshimi i paralajmëruar i Kushtetutës së Serbisë, ku, si një nga temat, do të diskutohej edhe për preambulën e Kushtetutës së përmendur, ku Kosova apo Kosova dhe Metohia përmenden si pjesë përbërëse e Serbisë e kjo mund të jetë pengesë gjatë procesit të mëtutjeshëm negociator sepse përveç pjesës teknike është e nevojshme të rregullohet juridikisht problematika e gjithmbarshme në një mënyrë adekuate dhe të pranueshme. 

Për të parën herë u dëgjuan deklarata nga ana e politikanëve serb se duhet të shihet edhe interesi i palës tjetër, siç tha drejtori i zyrës për Kosovë e Metohi, zoti Marko Djurić, sepse është evidente që ajo pala tjetër nuk dëshiron të jetë pjesë e Serbisë dhe këtë për fat të keq e kemi ndierë në lëkurën tonë gjatë tërë këtyre viteve. Thirrja për një dialog të tillë nuk mbeti pa përgjigjje kështu që qysh në fillim disa parti të koalicionit, por edhe disa parti opozitare, tashmë kanë ofruar që të marrin pjesë në këtë dialog dhe të japin kontributin e tyre për zgjidhjen përfundimtare të kësaj Nyje Gordiane, siç e quajti presidenti.   

Ajo çka mua, si banor i Kosovës, i përkatësisë etnike serbe, më së shumti më brengos është që në këtë dialog, tani për tani, nuk po merr pjesë askush nga Kosova, mendoj në përfaqësuesit e serbëve, e sipas meje ky është një parakusht kyç që gjatë këtij procesi të arrihet deri tek një lloj zgjidhjeje e qëndrueshme, nëse fare planifikohet ndonjë zgjidhje e tillë, sepse ka indikacione që ky dialog, përveç pompozitetit i cili po e përcjell, nuk do të sjellë ndryshime të mëdha në qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës, por le t’ia lëmë këtë kohës ta tregojë. 

Gjatë disa ditëve të kaluara u dëgjua zëri i gati se të gjithëve, prej institucioneve politike, mandej rretheve shkencore, e deri tek Kisha Ortodokse Serbe, e përveç tyre ka mjaft tekste autoriale që merren me këtë tematikë, kështu që qysh në këtë periudhë të shkurtër është e qartë se qëndrimet e të lartpërmendurve janë tejet të largëta dhe se ky dialog mund të jetë gjithçka tjetër vetëm jo i lehtë. Natyrisht, edhe nuk duhet të jetë i lehtë sepse bëhet fjalë për një çështje qenësore për popullin serb, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, sepse siç e tha kryetari i SANU (ASSHA, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve), zoti Vladimir Kostić, në këtë çështje përthyhet e ardhmja e popullit serb. Do të ishte tejet joserioze të pritet që një dialog i tillë të inicohet dhe të kryhet gjatë mandatit të presidentit të tanishëm, megjithëse me mbështetjen që e ka arritur në zgjedhje, nuk dyshojmë në mandatin e tij të dytë, por mendimi im është që ai proces i një dialogu të tillë, me palë që kanë qëndrime aq të largëta, mund të zgjasë shumë më tepër sesa që mund të supozohet nga kushdo qoftë, por ironikisht do të thoja që KEMI NE KOHË. Vetëm se, do t’i lejoja vetes të jap një propozim, nëse tashmë Serbia e ka inicuar këtë proces të dialogut të brendshëm, a nuk mendoni që ka shumë tema dhe çështje për të cilat një proces të tillë do të mund të iniconte edhe Kosova. Për këtë deri tani askush nuk e tha asnjë fjalë, ndërsa është evidente që gjërat rreth çështtjeve të tilla nuk janë asgjë më mirë as në Kosovë. Për këtë duhet të paktën të mendohet seriozisht, nëse jo diçka më shumë.