Dialogu nga një nivel tjetër

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka kohë që ka ngecur ndonëse po bëhen përpjekje të shumta për t’i dhënë shtytje. Por, shoqëria civile në Kosovë ka nisur një dialog të vetin përmes aktiviteteve dhe diskutimeve ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb të Kosovës.

0
459

Nisi me shqiponjën e Xherdan Shaqirit. Në vitin 2018, gjatë Kampionatit Botëror, futbollisti zviceran me origjinë shqiptare nga Kosova, Xherdan Shaqiri, pasi shënoi një gol, bëri me duar shqiponjën dykrenare. Në Kosovë, në njërën anë pati ngazëllim dhe në anën tjetër tërbim. Jovana Radosavljević, Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së me seli në Mitrovicë, New Social Initiative (NSI), pa një mundësi.

Dialogu – siç njihet rëndom – është një proces negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, për t’i normalizuar marrëdhëniet. Siç deklaroi së fundmi ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selaković, nuk ka pasur asnjë diskutim së fundmi me qeverinë e Kosovës, të kryeministrit, Albin Kurti, dhe me gjasë nuk do të ketë në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, shoqëria civile në Kosovë ka krijuar Dialogun e vet. Pas debateve rreth shqiponjës së Shaqirit, Radosavljević ndau mendjen se ishte koha për të bërë diçka; ishte “tejet shqetësuese të shihje njerëzit nga shoqëria civile, të cilët do t’i merrje për më progresivët e më mendjehapurit, se si po binin në grackën e reagimit emocional ndaj kësaj.” 

Radosavljević vendosi kontakte dhe nisi diskutimet joformale me homologët e saj shqiptarë të Kosovës. Debatet fillestare u zhvilluan në një vend të sigurt, së pari me anëtarë të përhershëm të shoqërisë civile. Ajo i përshkruan ato si “terapeutike”. Dhe, nganjëherë, “të dhimbshme.”

Ramadan Ilazi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë (KCSS) nisi të punonte me NSI-në për të krijuar më shumë aktivitete dhe diskutime ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe serbe të Kosovës. Siç pohon Ilazi, zakonisht këto lloj temash ndërmjetësohen nga një evropian ose amerikan. Në këtë rast, ishin vetë kosovarët që nisën e ndërmjetësuan dialogun, “dhe çështjet që diskutuam, [ishin] çështje shumë të ndjeshme, shumë të rëndësishme,” tha Ilazi. “Ne i ftuam njerëzit që të ishin të sinqertë për këtë dhe, me qëllim, ftuam njerëzit jashtë opinionit kryesor për këtë temë. Më shumë, le të themi, [një] opinion shpeshherë konservator mbi këtë çështje… ne donim një bashkëbisedim.”

Takimet kanë nga 12 deri 14 pjesëmarës dhe këta janë nga komunitete gjithandej Kosovës. Janë mbajtur takime në Brezovicë, në Mitrovicën e Veriut, në Ferizaj e në Rahovec. Ilazi nënvizoi se ishte e rëndësishme të dilej jashtë Prishtinës dhe “të shihej se si jetonin njerëzit në komunitete të ndryshme… Këto takime zgjasnin tri deri katër orë, pa pushime. Dhe kishte çaste kur, e di, këta njerëz do të bëjnë diçka.” Por asnjëherë nuk lejoheshin të dilnin nga kontrolli.

Asociacioni

Njëra prej temave qe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, një temë e nxehtë që ishte negociuar dhe rënë dakord në një fazë të mëhershme të dialogut, por pastaj Gjykata Kushtetuese lëshoi një vendim që thoshte se disa pjesë të tij binin në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës.

Ilazi pohon se kjo është keqkuptuar kryesisht në komunitetin shqiptar të Kosovës, “shumica e shqiptarëve të Kosovës mendon se këtë e duan gjithë serbët e Kosovës, por unë mendoj se shumë prej atyre serbëve kanë hallet e veta.” Mirëpo ai është i bindur se ai është i nevojshëm për integrimin e serbëve të Kosovës në Kosovë, “po qe se flasim për integrimin, atëherë Asociacioni është mënyra e duhur. Dhe kësisoj, një nga gjërat që diskutuam ishte edhe mungesa e informacioneve të sakta për këtë Asociacion.”

Ilazi thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk thotë se Asociacioni është i jashtëligjshëm siç mëtojnë shumë njerëz. “Ai vendim i Kushtetueses, në fakt, thotë se qeveria kushtetuese ka për obligim të themelojë asociacionin.” Por janë disa aspekte që duhen ndërruar për ta bërë atë të përputhshëm me kushtetuën e Kosovës. 

Cili është ndikimi?

Radosavljević ka ende dyshime rreth ndikimit të Dialogut të shoqërisë civile “në konstelacionin e tanishëm politik dhe është vështirë të pritet që politikanët e diplomatët të dëgjojnë se ç’ka për të thënë shoqëria civile.” Porse, qëllimi i diskutimeve është të kuptohet konteksti aktual në të cilin jetojnë komunitetet. Ilazi pajtohet. “Këto takime mbahen pikërisht për këtë arsye që siç duket kreu nuk dëgjon,” thotë ai. 

Megjithatë, shton Ilazi, qëllimi “nuk ishte që të ndikohen vendimmarrësit për të thënë në rregull, ja, kjo është rruga; synimi ishte më shumë që të sigurohet se ka një bashkëbisedim që kontrollohet nga aktorët vendorë, jo nga faktorët e jashtëm, dhe që bisedën ta sjellim te vendimmarrësit.”

KCSS dhe NSI bënë të ditur një marrëveshje për të vazhduar diskutimet këtë vit dhe financohen nga Ambasada e Kanadasë në Kosovë. Takimi i radhës do të mbahet në muajin mars, në Brezovicë. Mbledhjet vazhdojnë të dominohen nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, por Ilazi e pranon se duhen përfshirë edhe grupet e tjera etnike. “Unë mendoj se është logjike që të kemi edhe një tablo më të madhe,” dhe të përfshijmë romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit. Shumë shpesh, donatorët dhe shoqëria civile priren të financojnë dhe të kenë programe vetëm rreth serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës.

Radosavljević e përmbledhë gjithë këtë duke thënë se “ky nuk është proces me efekt të shpejtë, por më shumë një proces që na lejon të flasim mes vete, të kuptojmë pozitat dhe rrethanat, t’i shohim gjërat nga pikëvështrime të ndryshme në këtë mënyrë, të tentojmë të formësojmë diskursin publik, por po ashtu të ndikojmë te vendimarrësit të marrin parasysh këto elemente ose çështje rrethanore në të cilat jetojmë.”