Dimensioni edukativ i trashëgimisë kulturore

Një nga format përmes së cilave trashëgimia kulturore mbrohet, çmohet dhe kalohet te brezat e ardhshëm është edhe ajo e dimensionit edukativ. Përmes këtij elementi thelbësor e të pandashëm të trashëgimisë kulturore, posaçërisht të rinjtë kanë një mundësi të shkëlqyer për t’i njohur, çmuar dhe mbrojtur vlerat e pakontestueshme të trashëgimisë kulturore.

0
522

Trashëgimia kulturore, si element përbërës dhe përfaqësues i një komuniteti, jep kuptime të veçanta mbi veprimtarinë e njerëzve në kontekste të caktuara kulturore. Materiale apo jomateriale, kulturore apo natyrore, trashëgimia rrok një sferë të jashtëzakonshme gjeografike dhe kohore. Përtej mbrojtjes ligjore, institucionale dhe praktike të trashëgimisë, një nga mënyrat dhe njohjes dhe ruajtjes së vlerës së saj është përcjellja e rëndësisë së saj tek gjeneratat e ardhshme. Kjo është pika ku trashëgimia dhe edukimi takohen në një rrugë të përbashkët. 

Një nga mënyrat më të frytshme të ndërthurjes së trashëgimisë kulturore me edukimin është nëpërmjet programeve dhe sesioneve edukuese brendapërbrenda site-ve trashëgimore me nxënës të arsimit parauniversitar. Këto sesione mund (dhe duhet) të zhvillohen ndanë qendrave të vizitorëve në site-t trashëgimore të çfarëdo lloji: mure antike të një ndërtese romake, kështjellë mesjetare, faltore që ende ruan origjinalitetin e vet, shtëpi e shek. XIX, mbetje të rrënojave nga Lufta e Parë Botërore e shumëçka tjetër. Programet edukuese formohen duke u mbështetur në planprogramet zyrtare arsimore të një shteti, në atë mënyrë që të jenë edukative, dobiprurëse për fëmijët, por njëkohësisht argëtuese. Për më tepër, këto programme edukuese duhet të lejojnë hapësirë të konsiderueshme për lëvizje brenda kurrikulave zyrtare. Pra, të mbështeten në planprogramet zyrtare por të mos kufizohen a të varen nga to. 

Britania e Madhe, për shembull, dallohet si nga vendet me një trashëgimi tejet të pasur dhe të llojllojshme kulturore dhe natyrore. Përveç kësaj, njihet edhe për nivelin e lartë të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj trashëgimisë së saj. Ndër organizatat kryesore në vend, përgjegjëse për menaxhimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, është English Heritage. Brenda ombrellës së saj ajo menaxhon mbi 400 asete të trashëgimisë kulturore të llojeve të ndryshme. English Heritage, shumë e suksesshme për menaxhimin e tyre, ndër elementet më të suksesshme të saj ka edhe dimensionin edukativ në site-t trashëgimore. Programet edukuese që ajo zhvillon në qendrat e vizitorëve nëpër tërë Anglinë i japin një kuptim të veçantë dhe jashtëzakonisht të frytshëm njohjes, mbrojtjes dhe avancimit të vlerave të trashëgimisë.

Për ta ilustruar më konkretisht, një nga asetet që English Heritage menaxhon është edhe Conisbrough Castle, në Doncaster, afër qytetit të Sheffield-it, në South Yorkshire, Angli. Është kështjellë mesjetare, e ndërtuar nga normanët pas pushtimit të Anglisë në shek.XII. Në këtë site trashëgimor pothuajse përgjatë tërë vitit zhvillohen sesione edukuese me nxënës të shkollave përreth, por edhe nga larg. Këto sesione zhvillohen në formën e ligjëratave, lojërave argëtuese, pyetësorëve, veshjes me kostume, por duke e pasur gjithherë dimensionin edukativ në to. Pra, fëmijët, përveç se kanë mundësi të shohin dhe prekin nga afër strukturat fizike të kësaj kështjelle, mësojnë për historinë e kështjellës, ndërtimin e tyre, dhe njihen edhe me terminologji të ndryshme, deri atëherë të panjohur për ta. Ky është në fakt edhe elementi më i çmueshëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Kjo sepse, tekefundit, menaxhimi i trashëgimisë nuk nënkupton vetëm zbatimin e ligjit zyrtar për trashëgimi a konservimin e një pjesë të murit të një ndërtese. 

Kosova, po ashtu shumë e pasur me trashëgimi kulturore materiale e jomateriale, ka potencial shumë të madh që jo vetëm nivelin e mbrojtjes dhe përkujdesjes për trashëgiminë kulturore, por edhe çmuarjen e vlerave të saj, ta avancojë në një nivel më të lartë. Kjo bëhet, së pari, duke ndërtuar qendra të vizitorëve nëpër asetet më të çmuara të trashëgimisë kulturore anepërqark Kosovës. Idealja do të ishte që këto qendra të vizitorëve të përfshinin – pëveç zyrës së informimit, koleksionit të artefakteve, një shitoreje të vogël, por jo vetëm – edhe një hapësirë të veçantë, të mbyllur, në të cilën do të zhvilloheshin programet/sesionet edukative me fëmijë. 

Së dyti, programet edukuese, siç u përmend, duhet të mbështeten në kurrikulat zyrtare të arsimit në Kosovë, por të mos jenë të varura dhe strikte, ashtu që të lihet hapësirë e mjaftueshme për futjen e elementit rekreativ/argëtues në këto programe. 

Së treti, një nga format e tjera të këtij avancimi të çmuarjes së vlerave të aseteve të trashëgimisë kulturore është edhe duke organizuar, bie fjala, ditët e hapura të trashëgimisë së site-ve trashëgimore, festivale të karakterit edukues/rekreativ, inskenime e kështu me radhë.

Në fund, një nga format përmes së cilave trashëgimia kulturore mbrohet, çmohet dhe kalohet te brezat e ardhshëm është edhe ajo e dimensionit edukativ. Përmes këtij elementi thelbësor e të pandashëm të trashëgimisë kulturore, posaçërisht të rinjtë kanë një mundësi të shkëlqyer për t’i njohur, çmuar dhe mbrojtur vlerat e pakontestueshme të trashëgimisë kulturore.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.