Duke pritur qeverinë e re

Është e qartë se Ramush Haradinaj nuk mund të formojë Qeverinë pa Listën serbe dhe deputetët e saj e që të tjerët as që do ta kenë rastin për një gjë të tillë. Duke e pasur parasysh këtë, ky është rasti ideal që përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës për një moment t’i harrojnë interesat e ngushta personale dhe të nxjerrin bile të drejtat e plota të garantuara me Kushtetutë për komunitetin serb, gjë që nuk ka qenë rasti deri më tani. Edhepse, me një politikë të mençur dhe negociata të forta mund të nxirren të drejta edhe më të mëdha se ato minimale të garantuara me Kushtetutë.

0
1165

Kosova po e pret Qeverinë e re. Kosova po e pret edhe kryeministrin e ri. Isa Mustafa, kryeministri i gjertanishëm dhe Lidhja e tij Demokratike e Kosovës nuk e arritën rezultatin zgjedhor i cili do t’ua mundësonte që të paktën të shpresonin në kontinuitetin e qeverisjes. Rezultati që arritën u jep shpresë vetëm që të jenë partner i vogël dhe i parëndësishëm në Qeverinë eventuale të Vetëvendosjes, me Albin Kurtin si kryeministër. 

Si është puna me pretendentët tjerë për formimin e Qeverisë? Si fitues formal i zgjedhjeve, i ashtuquajturi „koalicioni i luftës“ mund të shpresojë në mandatin për formimin e Qeverisë, të cilën gjë kandidati për kryeministër i atij koalicioni të tillë, Ramush Haradinaj, e kishte paralajmëruar disa herë. „Koalicioni i luftës“ nuk shënoi rezultat mjaft të mirë që si koalicion vetë të formojë Qeverinë, por meqenëse atë e përbëjnë që të gjithë mjeshtër të manipulimeve, në krye me kandidatin për kryeministër Haradinajn, e duke pasur parasysh që nga hija i bën lëvizjet një manipulator po aq i mirë, Hashim Thaçi, nuk dyshoj që disi do të mbledhin një numër të mjaftueshëm të deputetëve për formimin e Qeverisë. Kur them se do t’ia dalin të sigurojnë numër të mjaftueshëm të deputetëve, natyrisht që nuk mendoj se këtë do ta bëjnë me fjalë të mira, me program cilësor dhe me dëshirë që t’i ndihmojnë Kosovës, porse me mënyrën e vjetër, të mirë dhe para së gjithash të sprovuar, ashtu siç dukej edhe mbrojtja e kryeministrit potencial para gjykatës së Hagës për krime të luftës. Në fund, është e qartë se nuk do të ketë as seancë konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e as votim për zgjedhjen e Qeverisë deri atëherë kur pikërisht ata, koalicioni i luftës dhe Ramush Haradinaj, në këtë apo në atë mënyrë, të mos e sigurojnë shumicën. Kjo është e qartë nga lëvizjet dhe porositë e Presidentit Thaçi, të cilit qartazi as që i shkon në mend që mandatin t’ia jep atyre që e kanë zënë vendin e dytë në zgjedhjet e kaluara dhe fituesit të vërtetë të tyre, Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. E lexova para disa ditësh mendimin e një analisti politik nga Prishtina i cili thoshte që është më reale të shkohet në zgjedhje të përsëritura se sa që Thaçi t’ia jap Kurtit mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe për mua një qëndrim i tillë është plotësisht i logjikshëm. Ndonëse jam i mendimit që mu kjo do të kishte qenë lëvizje e gabuar e Presidentit, sepse konsideroj që në atë rast ai pothuajse sigurisht do të humbte pushtetin e Vetëvendosja pothuajse sigurisht do ta fitonte atë.   

Ku gjendet në tërë këtë Lista Serbe, e përkrahur  me gjithë shpirt nga Republika e Serbisë? Paj nëse ka pak mend brenda asaj liste (e kjo është tejet diskutabile), Lista Serbe do të mund të përfitonte nga kjo situatë, ashtu siç nuk ia ka arritur të përfitojë asnjëherë deri më tani. Është e qartë se Ramush Haradinaj nuk mund të formojë Qeverinë pa Listën serbe dhe deputetët e saj e që të tjerët as që do ta kenë rastin për një gjë të tillë. Duke e pasur parasysh këtë, ky është rasti ideal që përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës për një moment t’i harrojnë interesat e ngushta personale dhe të nxjerrin bile të drejtat e plota të garantuara me Kushtetutë për komunitetin serb, gjë që nuk ka qenë rasti deri më tani. Edhepse, me një politikë të mençur dhe negociata të forta mund të merren të drejta edhe më të mëdha se ato minimale të garantuara me Kushtetutë. Vetëm se duhet të jetë bile një kokë e mençur në grumbullin e kokave tjera. A ka një kokë të tillë në Listën Serbe? Unë personalisht kam dyshime serioze për këtë. 

E ajo në çka nuk dyshoj është se edhe Thaçi edhe Haradinaj do të pranonin kushtet e Listës Serbe nëse kjo do t’u siguronte mbetjen/ardhjen në pushtet dhe natyrisht ato që shkojnë me të – faktikisht imunitetin nga aktakuza eventuale për krime të luftës. Paradoksale, por këtë mund t’ua sigurojë vetëm Lista Serbe.