Dy fjalë për vizitën e Mogherinit

Bashkimi Evropian është i interesuar që Kosova të jetë e aftë t’i zgjidhë çështjet me fqinjtë e saj dhe, njëkohshëm, të jetë e aftë të zgjidhë krizat e brendshme. Janë dy fakte që ia vlen t’i shtrojmë këtu: Kosova është në krizë politike dhe Kosova nuk po arrin të ratifikojë një marrëveshje ndërshtetërore. Pra, Kosova po tregon paaftësi. Dhe pasojat e paaftësive të ndryshme në politikë shpesh mund të jenë të rënda.

0
1533

Në kuadër të miniturit në Ballkanin Perëndimor, zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e vizitoi edhe Kosovën. Ajo përsëriti mesazhin e mëparshëm se nuk do të ketë heqje vizash për Kosovën pa ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Ashtu si në poezi, edhe në politikë, përsëritja e fjalëve, mesazhit, ka rëndësi tepër të madhe. Përmes përsëritjes i tregohet atij që e merr mesazhin se mbetesh i vendosur dhe i palëkundur në qëndrimet e tua. Është pak a shumë element force. Këtë na e tregoi zonja Mogherini për BE-në në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk ka heqje vizash pa ratifikim të demarkacionit! E thjeshtë.

Në këtë vizitë, Mogherini i kushtoi rëndësi shumë të madhe çështjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fjalimin e mbajtur në Urën e Mitrovicës, ajo përsëriti se ky dialog ka rëndësi vitale për të dy vendet dhe se Ura e Mitrovicës do të shndërrohej nga simbol i ndarjes në simbol të dialogut dhe kontaktit. “Jam e bindur se kjo urë, e cila po rinovohet nga Bashkimi Evropian pas një marrëveshjeje që kemi arritur gjatë dialogut midis Beogradit e Prishtinës, të lehtësuar nga BE në Bruksel – jo nga disa të huaj në Bruksel, po nga vendimarrësit nga rajoni, se kjo punë që po bëjmë, kjo urë që kemi rinovuar, do të shndërrohet nga një simbol i ndarjes në simbol të dialogut dhe kontakteve midis njerëzve,” tha Mogherini. Të shpresojmë se një gjë e tillë vërtetë do të ndodhë!

Dhe, lajmi i mirë që erdhi nga kjo vizitë është se Kosova e ka përmbushur kushtin e dytë për liberalizimin e vizave. Kosova e ka luftuar ose ka treguar shenja të qarta të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky duhet të jetë një lajm i mirë për BE-në dhe për qytetarët e Kosovës, në të njëjtën kohë. Por prapë, demarkacioni del të jetë një problem shumë zor i kapërcyeshëm. Përplasja e forcave politike e prodhoi një rrethanë të re, ku pozita u lëkund nga pozicionet e saj duke mos pasur numrat e nevojshëm për ta ratifikuar në kuvend. Për kosovarët, kjo është një rrugë pa shtegdalje sepse të dyja forcat janë barrikaduar në pozicionet e tyre.

Por, pyetja që e shtron me të drejtë secili është kjo: pse BE-ja e lidhi liberalizimin e vizave me çështjen e demarkacionit? Në shikim të parë, ky mund të duket si një kusht i padrejtë dhe joparimor. Por e vërteta është ndryshe. Bashkimi Evropian është i interesuar që Kosova të jetë e aftë t’i zgjidhë çështjet me fqinjtë e saj dhe njëkohshëm, të jetë e aftë të zgjidhë krizat e brendshme. Janë dy fakte që ia vlen t’i shtrojmë këtu: Kosova është në krizë politike dhe Kosova nuk po arrin të ratifikojë një marrëveshje ndërshtetërore. Pra, Kosova po tregon paaftësi. Dhe pasojat e paaftësive të ndryshme në politikë shpesh mund të jenë të rënda. Një pasojë e qartë që na del para sysh është rindezja e diskurseve nacionaliste e populiste me karakter prapakthyes, joprogresiv. Demarkacioni është një çështje që mund të nxjerrë një varg problemesh e tensionesh të panevojshme ndërfqinjësore në të ardhmen. Është evidente se interesin më të madh që kjo çështje të mos ratifikohet e të kryhet njëherë e mirë, e kanë njerëzit që evokojnë pikërisht diskurset joprogresiste që i përmendëm më lart. Fitorja eventuale e të cilëve do të ishte një humbje e madhe për vlerat në të cilat investon Bashkimi Evropjan.

Rregullësia e çështjes së demarkacionit është një çështje teknike më shumë se patriotike apo politike. Por natyrisht, aspekti teknik e ka pasur afatin e tij kohor dhe tashmë ajo është shndërruar në raport forcash ose ndryshe politikë. Komisioni Shtetëror është caktuar nga Qeveria e zgjedhur nga qytetarët e Republikës së Kosovës, prandaj, në mënyrë të tërthortë, është zgjedhur nga vetë qytetarët e kësaj Republike. Kosova duhet ta ratifikojë demarkacionin dhe të tregohet e aftë për të ecur përpara, në mënyrë që qytetarët e saj të gëzojnë liberalizimin e vizave. Çka nëse humbim tokë? Në Kosovë është abuzuar pafundësisht me çështjen e shtrirjes territoriale, shtrirjes së sovranitetit dhe të ngjashme. Natyrisht, këto kanë rëndësinë e tyre por duhet problematizuar gjithnjë në relacion me rrethanat e caktuara politike në të cilat ndodhet një vend. Pikërisht abstraktimi i këtyre rrethanave e ka mundësuar abuzimin me to. Ndërkohë që, njëkohshëm me atë abuzim është relativizuar çështja e funksionimit të pavarur të drejtësisë, funksionimit profesional të institucioneve të sigurisë, çështja e zhvillimit ekonomik, papunësisë, pastaj lufta më efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit e të tjera që do të mundësonin konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Tash e gati dy vite, Kosova në krizë politike, po ua merr zërin të papunëve, njerëzve të cilët luftojnë për drejtësi, që avancojnë çështje të caktuara kulturore, që duan të zhvillojnë vendin e tyre.

Kosova e ka të nevojshme të hapë horizontet e saj. Të tematizojë një mori çështjesh tjera me interes shumë të madh dhe të mos i heshtë problemet e saj reale. Demarkacioni nuk është i tillë.

Kosovari, në anën tjetër, duhet të mësohet që të rezonojë më thellë për problemet e shtetit të vet. Poashtu, ai nuk duhet ta mendojë ikjen ose largimin nga vendi në rastin e liberalizimit të vizave. Gjasat për azil janë krejtësisht minimale. Kosova është krijimi, përcaktimi dhe përgjegjësia e tij. Prandaj, është e domosdoshme për një shoqëri që të marrë përgjegjësitë që i takojnë për vendimet që merr, për rrugën që zgjedh. Dhe Kosova, duhet të zgjedhë ecjen përpara.