E kaluara është e dhimbshme, por duhet të jetë e vërtetë

Në kohën e pasluftës, në të cilën jetojmë, është e lehtë të drejtosh gishtin kah njerëzit që mund të mos na pëlqejnë ose që nuk na përshtaten, por t’i fajësosh për krime ata që janë çkado tjetër përveç kriminelë, ata të cilët besuan në njerëzi kur askush nuk besonte, mund të shkaktojë më shumë dëm se sa dobi.


0
445

Në fillim të muajit prill të këtij viti, Europa Nostra, organizatë e cila merret me trashëgiminë kulturore, publikoi listën e këtij viti të shtatë monumenteve kulturore më të rrezikuara në Evropë. Kjo organizatë, e cila është aktive për më shumë se pesëdhjetë vite në më shumë se dyzetë vende të Evropës, në listën e saj e futi edhe Manastirin e Deçanit. Siç tha Europa Nostra, Manastiti i Deçanit gjendet në listën e trashëgimisë kulturore botërore që nga viti 2004, nga viti 1999 për shkaqe sigurie është nën mbrojtjen e forcave të KFOR-it, kurse në këtë listë është për shkak të pasigurisë juridike në të cilën ndodhet.   

Natyrisht, ky vendim nuk mund të kalonte pa u vërejtur dhe pa u komentuar politikisht. Duke reaguar ndaj këtij vendimi, presidentja e sapozgjedhur, Vjosa Osmani, si dhe Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, deklaruan se manastiri i Deçanit nuk i plotëson kushtet për të qenë në atë listë sepse, sipas tyre, këtij monumenti historik nuk i kanoset ndonjë rrezik serioz.

Sidoqoftë, historia e Deçanit nuk mbaroi këtu. Pasi Europa Nostra publikoi listën e saj, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNj) u paraqit me akuza kundër manastirit të Deçanit, duke deklaruar se në të gjatë luftës shqiptarët ishin mbajtur si pengje, por edhe me akuza kundër abatit të manastirit, Sava Janjić, për “shkelje të mundshme të Ligjit të Luftës dhe të Drejtës Humanitare”. 

Ndaj këtyre akuzave reaguan Organizatat joqeveritare serbe duke bërë thirrje për dënimin e gjuhës së urrejtjes kundër Sava Janjić-it. Përveç tyre, reagoi edhe misioni i OSBE-së, duke u dhënë dy mundësi përfaqësuesve të KMDLNj-së. Njëra ishte t’i kërkojnë falje Abatit Sava Janjić dhe tjetra ishte një përballje në gjykatë. Sido që të jetë, KMDLNj nuk e bëri asnjërën prej këtyre, por vazhdoi me iniciativën për të hetuar çështjen. 

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga lufta e hapur në Kosovë, kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet nga konfliktet e marsit, por procesi i ballafaqimit me të kaluarën ende nuk është i lehtë, është i dhimbshëm, i gjatë dhe shkakton manipulime të ndryshme me të kaluarën. Sado të jetë i vështirë, ky proces duhet të bazohet në të vërteta dhe fakte. 

Duke marrë parasysh këtë, duhet thënë se drejtimi i gishtit tek abati i manastirit të Deçanit dhe  vetë manastirit, për krime në Kosovë bie ndesh me atë për çka shumë njerëz kanë dëshmuar. Domethënë, dëshmitë dhe raportet e gazetarëve flasin që manastiri shërbeu si strehim për refugjatët gjatë luftës dhe që i ka mbrojtur shqiptarët nga ushtria e atëhershme e Jugosllavisë.   

Fakt është se thirrjet për paqe ndërmjet përfaqësuesve të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë janë të rralla. Por është gjithashtu një gjendje faktike që abati i manastirit të Deçanit, Sava Janjić, ka qenë një nga të paktët që bëjnë thirrje për bashkëjetesë dhe zgjidhje paqësore gjatë gjithë kësaj kohe. Në fund të fundit, mund të themi se Sava Janjić bën pjesë në rrethin e njerëzve që nuk janë të popullarizuar as tek politikanët serbë dhe as tek ata shqiptarë, sepse porositë e tij nuk mbështeten as në përfitime politike as në përçarje, por pikërisht krejt e kundërta.

Në kohën e pasluftës, në të cilën jetojmë, është e lehtë të drejtosh gishtin kah njerëzit që mund të mos na pëlqejnë ose që nuk na përshtaten, por t’i fajësosh për krime ata që janë çkado tjetër përveç kriminelë, ata të cilët besuan në njerëzi kur askush nuk besonte, mund të shkaktojë më shumë dëm se sa dobi. Mund të shkaktojë urrejtje që lehtë mund të eskalojë. 

Në fund, është absolutisht e qartë përse ky sulm ndaj Sava Janjić-it dhe pse erdhi menjëherë pas listës së Europa Nostra-s. Por le të mos harrojmë kurrë se pa marrë parasysh sa e vështirë është të luftosh tmerret e së kaluarës, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm për të mos dëmtuar njerëzit e drejtë dhe ata që nuk kanë qenë kurrë fajtorë. Kjo po ashtu nuk do të thotë që dikush i nënvlerëson viktimat nga të dyja palët, pikërisht e kundërta. Përballja me të kaluarën është e domosdoshme në qoftë se duam një të ardhme më të mirë. Por duhet të përballemi me të edhe me fakte edhe pa akuza të nxituara ndaj të pafajshmëve.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.