Fjalët e presidentit Vučić – qëllim i sinqertë për të ecur përpara?

Gjëja më e rëndësishme është të mund të shpresojmë se këto fjalë tregojnë qëllime të sinqerta për të ecur përpara dhe për të trajtuar të kaluarën, dhe jo vetëm një taktikë tjetër politike.

2
1237

Serbia duhet t’i japë fund të qenit arrogante siç ka qenë në të kaluarën. Ky ishte një ndër mesazhet e artikullit që presidenti Vučić e shkroi së voni në shtyllat e të përditshmes serbe, Blic. Këto komente nxitën reagime të konsiderueshme, reagime që nuk është lehtë të bëhen meqë nuk është krejtësisht e qartë se çfarë po përpiqet të thotë ai. Ndonjëherë, kur thua diçka ndryshe për herë të parë dhe përpiqesh ta zgjerosh horizontin, të ecësh përpara, retorika e dykuptimëshe është normale. Gjëja më e rëndësishme është të mund të shpresojmë se këto fjalë tregojnë qëllime të sinqerta për të ecur përpara dhe për të trajtuar të kaluarën, dhe jo vetëm një taktikë tjetër politike.

Edhe Presidenti Thaçi ka bërë komente të ngjashme kohët e fundit, mbase më të përpikta dhe koherente. Ai ka folur për atë se duhet marrë vendime historike, të cilat mund të jenë jopopullore. Ai gjithashtu ka dërguar mesazhe me vizitën që u ka bërë vendeve në Kosovë ku serbët kanë pësuar në periudhën menjëherë pas konfliktit të vitit 1999. Ai ka pranuar se sjellja e disa bashkatdhetarëve të tij shqiptarë në vitin 2004 e ka vënë në pozitë të vështirë Kosovën dhe se ajo çfarë ka ndodhur në atë kohë ishte e turpshme.

Vučić thotë se është koha që bashkatdhetarët e tij të mos e fusin më kokën në rërë. Nuk do të pajtohesha se ky ka qenë faji i vërtetë i disa prej tyre gjatë 10 viteve të fundit apo më gjatë. Sidoqoftë, mendoj se praktika e qëllimshme e shfrytëzimit të procesit të normalizimit dhe dialogut si futboll politik ekskluzivisht për qëllime politike dhe personale nga elitat sunduese dhe kohortat e tyre ka qenë faull shumë më i rëndë dhe më i dëmshëm. Procesi i normalizimit u nis nga Baronesha Ashton në vitin 2010 për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër BE-së. Qytetarët serbë, në veçanti serbët e Kosovës, janë shfrytëzuar nga Beogradi gjatë tërë procesit, nga një qeveri që nuk ka shfaqur interesim real apo të përkushtuar për nevojat apo zërat e tyre, por më tepër për ta minuar çfarëdo marrëveshje që kanë arritur në metropolin evropian.

Vučić duhet të zhvillojë dialog jo vetëm me qytetarët e Serbisë, por edhe me serbët që jetojnë në Kosovë në mënyrë që ai dialog të jetë sa më i gjërë dhe gjithëpërfshirës. T’i dëgjojë njerëzit dhe jo të thotë atë që ai mendon se ata thonë.

Presidenti serb me urtësi i citoi fjalët e ish-kyeministrit dhe ish-presidentit izraelit, Shimon Peres. Do të doja t’i kërkoja presidentit Vučić ta shikojë fjalimin historik të ish-presidentit gjerman, Richard von Weizsäcker, të mbajtur në Bundestag në vitin 1985 me rastin e përvjetorit të dyzetë të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Shumë të vërteta janë thënë aty nga një pjesëtar i një kombi, lidershipi nazist i të cilit pesë dekada më parë kishte drejtuar një luftë botërore që rezultoi jo vetëm me nivele të tmerrshme të humbjeve njerëzore, plagëve dhe krimeve të luftës, por edhe me ripërcaktimin e kufijve nëpër tërë Evropën, zhvendosjen me forcë dhe abuzimin e popullsive dhe, atë që është më e pabesueshmja, asgjësimin e popullit hebre të Evropës, Holokaustin; gjenocidin.

Një prej mesazheve kryesore të Weizsäcker-it ishte: Duhet ta kuptojmë që nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë. Vetë Vučić-i, ashtu si Thaçi, ka kujtesë të mirë të viteve të konfliktit në fund të ’90-tave. Të dytë ishin lojtarë kyç të ngjarjeve. Ata flasin nga e njëjta pozitë. Për të ndërprerë heshtjen për të kaluarën duhet kujtesë edhe dije se si duhet kujtuar, në mënyrë që të rinjve të këtyre vendeve t’u lihen trashëgim kujtime të sakta. Kjo kërkon pranimin e vështirë të dështimeve të së kaluarës dhe të krimeve, por ka individë dhe kombe të tjera që e kanë bërë këtë në të kaluarën. Sot, edhe në Kosovë edhe në Serbi, kjo kujtesë kontrollohet dhe falsifikohet nga elitat politike, shpesh e manipuluar nga mediat e kontrolluara. Poaq shqetësues është fakti se mjafton t’i lexosh tekstet shkollore të historisë për ta kuptuar këtë. Çdo fëmijë, çdo student mund ta shohë se kujtesa/historia që u bartet atyre është e pasaktë. Ata kanë të drejtë të ndihen të parespektuar dhe të abuzuar.

Ish-presidenti gjerman argumenton mjaft me të drejtë se nuk ekziston një gjë e tillë si faji kolektiv i një kombi për të kaluarën e tij. Për bashkëkombasit e tij ai thotë: “Asnjë njeri mendjehollë nuk mund të presë prej tyre që ta veshin një mantel pendese veç pse janë gjermanë”. Duhet ta kuptojmë të kaluarën tonë dhe ta pranojmë, ajo s’mund të zhbëhet. Duhet t’i hapim sytë nga ajo, t’i marrim mësimet që të mund të ecim përpara dhe t’i rindërtojmë marrëdhëniet apo thjesht t’ia nisim nga e para pa precedentë. Mendoj se këtë e thotë Vučić kur tha se, “Të jetosh, do të thotë ta duash tokën mbi të cilën ecin fëmijët, e jo vetëm të mburresh me fitoret e gjyshërve.”

Weizsäcker në vitin 1985 tha edhe këtë: “Qëllimi ynë është ta shfrytëzojmë rastin për t’i dhënë fund një periudhe të gjatë të historisë evropiane, gjatë së cilës secilit vend paqja iu duk e arritshme dhe e sigurtë vetëm si rezultat i supremacisë së vet, dhe gjatë së cilës paqja nënkuptonte periudhën e përgatitjes për luftën e radhës. Kombet e Evropës e duan atdheun e tyre. Gjermanët  nuk janë ndryshe. Kush do të mund të besonte në dashurinë e një kombi për paqen nëse ai do të ishte në gjendje ta harronte atdheun e vet? Jo, dashuria për paqen manifestohet pikërisht në faktin se njeriu nuk e harron atdheun e vet dhe për këtë arsye është i vendosur të bëjë gjithçka në fuqinë e vet për të jetuar bashkërisht me të tjerët në paqe të qëndrueshme.” Në Evropën e shekullit 21, nuk flitet për supremaci por për jetën e përbashkët dhe kjo jetesë e përbashkët e komuniteteve të ndryshme nuk është vetëm gjendje e ekzistencës brendashtetërore, por  ekzistencë ndërshtetërore.

Evropa e shekullit 21 është kryesisht e vlerave të komuniteteve të ndryshme që jetojnë së bashku. Për këtë arsye, udhëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt Evropës u vlerësua se pasurohet  me anë të procesit të normalizimit. Më duket se Vučići po thotë se po e sheh atë derë duke u hapur përmes kësaj qasjeje të ndryshuar, për të cilën shkruan, edhe pse jo krejtësisht qartë. Komentuesit e tjerë kanë thënë që qasja e tij është e motivuar vetëm nga kjo. Edhe mund të jetë ashtu, por hyrja në Evropë kërkon mirëkuptim dhe respektim të këtyre vlerave, të cilat nga ana tjetër duhet të gjenerojnë mirëkuptim dhe normalizim më të madh të marrëdhënieve ndërshtetërore. Pra, ju faleminderit për këto mendime, por na jepni më shumë qartësi sepse është e domosdoshme që të ketë një dialog vërtetë të hapur me të gjithë. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e të rinjve të kësaj pjese të Evropës – kjo ka të bëjë me demokracinë e vërtetë dhe stabilitetin.