Fletëvotimet 

Ne shpejtojmë kah Bashkimi Evropian dhe duam që t’u përmbahemi rregullave dhe vlerave të Evropës, e në çdo hap shërbehemi me veprime manipulative për të realizuar qëllimin tonë përfundimtar. Këtu tani nuk bëhet fjalë se kush e ka bërë këtë dhe a është e vërtetë apo jo, porse për çfarë arsye është bërë diçka e tillë?

0
897

Nuk jam edhe aq i moshuar, por megjithatë ia kam dalë që deri më tani të dëgjojë gjithfarë lajmesh. Gjithmonë kam qenë i shokuar në një mënyrë a tjetër, por lajmi se në Prishtinë kanë mbërritur për numërim fletëvotime që kundërmojnë, këtë ende nuk po mund ta besoj. Kam menduar se ekzistojnë vetëm insekte erëkeqe (çimka të gjelbëra), kam menduar se ekzistojnë fletë të bardha, por nuk kam mundur të marrë me mend se do të ndodhë përzierja e këtyre dy subjekteve, d.m.th. e fletëve të bardha dhe insekteve erëkeqe dhe se do të fitohet një shpikje unike në Ballkan e kjo është fleta që kundërmon.

Ose edhe më mirë fletëvotimi që kundërmon. 

Ta lëmë shakanë mënjanë, sepse kjo gjithsesi nuk është për t’u qeshur, opinioni mësoi se më datën 13 tetor, derisa po i hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfat e vulosur, njëzet e ca zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore, e më pas dymbëdhjetë prej tyre përfunduan në spital. Mjekët dolën në opinion me informatat se ata kishin pasur reaksione të ndryshme si vjellje, skuqje dhe të kruara të  fytyrës, por rezultatet e analizave që janë publikuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë treguar se për këto reaksione nuk ka shkak infektiv. Sipas lajmit nga portali N1 të datës 17.10.2019, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, doli në publik por nuk dha hollësi se çfarë ka pasur me të vërtetë në zarf që do të shkaktonte reaksion alergjik tek anëtarët e KQZ-së. Në përputhje me këtë, opinioni gjithsesi mbeti i privuar nga kjo informatë e rëndësishme edhepse të gjithë qemë kureshtar se cila ishte e vërteta në këtë rast. 

Gjëja e vetme që ia dolëm të marrim vesh nga mediat, pasi e komunikuan zyrtarët, ishte se mostrat zarfat me vota që janë sjellur nga Serbia për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë dërguar për analizë laboratorike jashtë vendit, sipas informatave të cilat Artan Grantolli, nga prokuroria e Kosovës, i ka dhënë për radion “Evropa e Lirë”. Ai refuzoi të bëjë të ditur se në cilin vend janë dërguar zarfat për analizë dhe kur do të mund t’i prisnim rezultatet laboratorike të këtyre mostrave. 

Mirëpo, agjencia e lajmeve nga Prishtina, Kosovapress, pak më vonë transmetoi deklaratën e vëzhguesit të numërimit nga OJQ-ja Germin, Shpëtim Shujaku, i cili atë ditë kishte qenë pranë zyrtarëve të KQZ-së kur kishte filluar hapja, se pasi që ishin hapur zarfat, ato kishin pasur një erë shumë të rëndë dhe se disa zyrtarë të KQZ-së që i kanë hapur zarfat dhe kanë pasur kontakt fizik me to, kanë filluar të kenë reaksione, kështu që disa kanë pasur skuqje nëpër duar, të kruara dhe disa shenja në sy. 

Pala serbe ka mohuar në mënyrë energjike që ka çfarëdo lidhje me këtë veprim të neveritshëm dhe është distancuar nga pohimet përkitazi me fletëvotimet që janë dërguar nga Serbia për numërim në KQZ. Menjëherë janë prononcuar të gjithë përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Serbisë, derisa edhe vetë presidenti, i cili e shpalli që Lista Serbe ka korrur fitore 10 me zero, sipas shkrimeve të agjencisë së lajmeve Beta dhe portalit në internet, Insajder, disa herë ka biseduar me ministrin e punëve të jashtme dhe evropiane të Sllovakisë, Miroslav Lajčak, duke theksuar me atë rast veprimet manipulative me gjoja helmimin gjatë numërimit të fletëvotimeve dhe atë vetëm të shqiptarëve, duke pyetur se çfarë helmi është ai që vepron në baza nacionale dhe duke kërkuar që të kryhet një hetim gjithpërfshirës.

Sido që të jetë, të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm për faktin se fletëvotimet e ardhura de facto nuk mund të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit të parakohshme parlamentare, por mbetet shija e hidhur në gojë kur e kuptojmë se jemi në shekullin 21, por që intelektualisht ende nuk po mund të ngritemi në atë nivel të vetëdijes që të rregullohemi dhe t’i respektojmë disa rregulla të cilat vlejnë për të gjithë dhe të cilat i përcakton Ligji të cilit duhet t’i përmbahemi. Ne shpejtojmë kah Bashkimi Evropian dhe duam që t’u përmbahemi rregullave dhe vlerave të Evropës, e në çdo hap shërbehemi me veprime manipulative për të realizuar qëllimin tonë përfundimtar. Këtu tani nuk bëhet fjalë se kush e ka bërë këtë dhe a është e vërtetë apo jo, porse për çfarë arsye është bërë diçka e tillë?

Duket se për ne nuk vlejnë rregullat evropiane edhe pse jetojmë në zemër të Evropës, porse disa “rregulla tona”, rregulla ballkanike.