Gjykata Kushtetuese javën tjetër me vendim për Asociacionin

Më herët se që ishte menduar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të dalë me vendimin e saj për Asociacionin e Komunave Serbe.

0
1636

Gazeta Blic nga burime ndërkombëtare ka marrë vesh se mund të ndodhë që në pjesën e parë të dhjetorit, instanca më e lartë gjyqësore në vend, të jap verditiktin e saj për kushtetutshmërinë apo jo kushtetutshmërinë e Asociacionit.

“Brenda pak ditësh Gjykata Kushtetuese mund të dalë me vendim për Asociacionin e Komunave Serbe. Ndoshta javën tjetër”, ka theksuar ky burim.

Sipas këtij burimi, ky vendim i shpejt mund të vij para se të dalë rekomandimi për çështjen e liberalizimit të vizave, ku institucionet e Kosovës, synim kanë zotimin para vendeve të BE-së se janë duke punuar shumë dhe kanë marrë me seriozitet çështjen e implementimit të marrëveshjeve me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave Serbe.

“Në mënyrë që të mos rrezikohet liberalizimi i vizave, Qeveria pas vendimit të Kushtetueses, do të dalë me zotimin se do të zbatohen të gjitha marrëveshjet me Serbinë, duke u munduar që kësisoj të përfitoj”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, Qeveria është në pritje të një vendimi pozitiv nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Sidoqoftë, kryeministri i vendit, Isa Mustafa dje ka theksuar se Qeveria do ta respektoj çfarëdo vendimi që do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në lidhje me Marrëveshjen e arritur me Serbinë për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe.

Në anën tjetër, KTV-ja ka raportuar të mërkurën se Kosova do të marrë rekomandim negativ sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Ky medium, duke u thirrur në burime në Bruksel, ka raportuar se vendet e BE-së si vërejtje do të kenë mos luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet tona.

Një raport pritet të dalë pas 15 dhjetorit, por ai do të konstatojë mospërmbushjen e të gjitha kritereve të vëna nga Komisioni Evropian.

Raporti është rrjedhojë e vizitës së ekipit faktmbledhës në korrik të këtij viti. Në mesin e kritereve që nuk janë përmbushur është ajo që Bashkimi Evropian dëshiron ta shohë në praktikë e që janë vendime të formës së prerë për dënimin e zyrtarëve të profilit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion.

“Kosova është arsyeshmërisht afër plotësimit të kritereve, por nuk i ka përmbushur plotësisht ato”, pritet të thuhet në raportin më të ri.

Para disa javësh, presidentja e vendit Atifete Jahjaga, duke e parë krizën politike në vend, ku opozita përdorte edhe gaz lotsjellës vetëm e vetëm që të mos lejoj kalimin e kësaj marrëveshjeje dhe asaj me Malin e Zi për Demarkacionin, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për t’i bëri interpretim marrëveshjes së arritur në Bruksel me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe, nëse ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

(Gazeta Blic, 10 dhjetor 2015)