Ideja “e krisur” e Milenës

Shumë njerëz në Graçanicë nuk duan të shkojnë në Prishtinë për të blerë shampon apo gjësende të tjera për kafshët e tyre shtëpiake. Ndaj, Milena dëshiron të hapë një dyqan për kafshë shtëpiake me shërbime veterinare në këtë qytezë, pak kilometra larg Prishtinës. Por si mund ta bëjë ajo këtë?

0
299

Milena ka një ide të krisur. Tetëmbëdhjetëvjeçarja dëshiron të hapë një dyqan për kafshë shtëpiake me shërbime veterinare në Graçanicë, enklavë serbe pak kilometra larg Prishtinës. Do të ishte dyqani i parë i tillë në këtë qytezë.

Por si i përfiton një grua e re shkathtësitë, fondet e të tjera, për ta shndërruar këtë në realitet?

Ajo shkon te Jelena Bulatović, drejtoresha e Qendrës për Komunitetet Minoritare, QKM.

Bulatović dëshiron t’u ndihmojë grave të reja që të bëhen të pavarura financiarisht. Ajo thotë se qendra “u ndihmon grave të bëhen më të pavarura financiarisht nga familja. Mungesa e kësaj pavarësie mund t’i bëjë ato viktima të dhunës në familje. Kjo ua zgjeron grave të reja horizontet dhe u ndihmon të mbrojnë veten.” 

Kësodore, ajo ka krijuar një program që u ndihmon grave të reja, kryesisht të moshave 16 deri 28-vjeçe, rome, boshnjake dhe serbe në Graçanicë të mësojnë se si të nisin bizneset e veta. Deri më tani programin e kanë kaluar dhjetë gra serbe, dhjetë rome dhe pesë boshnjake, që kur nisi një vit më parë.

Ndihma përfshin të mësuarit se si të hartojnë planet e veta të biznesit dhe si të gjejnë fonde. “Me këshilla falas… dhe për të gjetur donatorë dhe financues potencialë,” thekson Bulatović.

Programi financohet nga BE-ja, Ambasada e Zvicrës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Milena, për dallim nga shumë të rinj të të gjithë etnive, ka dëshirë të qëndrojë në Kosovë ngase, siç thotë ajo, “këtu janë miqtë dhe familja ime.” Kjo e bën atë të pazakontë sepse shumica e të rinjve të Kosovës dëshirojnë të largohen. Simbas një artikulli në revistën Nature më 2020, 53% e rinisë së Kosovës janë nën moshën 25-vjeçe dhe shkalla e papunësisë së të rinjve është 46.9%.

OJQ Aktiv, një OJQ lokale serbe në Kosovë, shkroi në një raport të marsit të vitit 2020: “një individ i ri e i shkolluar (shkollimi i lartë nuk është parakusht) nga Shtërpca, Shillova, Llapna Sella, Osojani, Graçanica, Plemetini, Kllokoti, Leposaviqi apo Novobërda, nuk mund të gjejnë punë në sektorin publik (partokracia, nepotizmi, korrupsioni, problemet që dalin nga mosnjohja e gjuhës shqipe), nuk mund t’i zhvillojnë bizneset e tyre familjare në mjedise të vogla si bashkësitë në të cilat serbët jetojnë dhe punojnë në Kosovë, dhe mënyra e vetme është vendimi për ta lëshuar Kosovën.”

Është vështirë të gjenden statistika të besueshme, por ato që janë tregojnë një shkalle të lartë eksodi dhe largim të trurit që pengon zhvillimin tek të gjitha komunitetet. “Gratë kanë gati 66% më pak gjasa të gjejnë punë në Kosovë në krahasim me meshkujt, një tregues i stereotipizimit tradicional gjinor në tregun e punës,” sipas revistës Nature.

A ka treg për idenë e Milenës? Ajo mendon që po. Shumë njerëz në Graçanicë nuk duan të shkojnë në Prishtinë për të blerë shampon apo gjësende të tjera për kafshët e tyre shtëpiake. “Në këtë mënyrë ata mund të qëndrojnë brenda ‘mjediseve serbe’ dhe të shesin këto produkte për kafshët e tyre shtëpiake.” Programi po ashtu u mundëson atyre të krijojnë një plan marketingu.

Milena, e cila dëgjon këngët e Cardi B-së, herë pas here del në Prishtinë për kafe me miqtë e saj, është aktive në komunitetin e saj dhe do të shkojë në kolegjin vendor për biznes në Graçanicë, ngulmon se vërtetë nuk dëshiron të largohet. Kur e pyes se si e sheh veten brenda 5 apo 10 vitesh, ajo thekson: “Do ta kem biznesin tim, shtëpi dhe një mace.”