Imagjinoni…

Duke lexuar tekstin "Nevoja për qartësi e përpjekje" të kolegut Jetlir Buja, ndjeva nevojën të theksoj një perspektivë pak më të ndryshme për këtë thirrje, pikërisht për shkak të qartësisë dhe përpjekjeve që (deshën s’deshën) bëjnë serbët nga Kosova.

0
1984

Muajt e fundit është folur vërtetë shumë për thirrjen e Aleksandar Vučić-it për “dialogun e brendshëm në Serbi për Kosovën dhe Metohinë”. Duket të jetë ide e mirë, e shëndoshë. Dialogu i brendshëm si instrument për përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave reale në lidhje me Kosovën si një prej problemeve më të mëdha të Serbisë. Dhe me të vërtetë, e vështruar në këtë mënyrë, mua nuk më mbetet asgjë tjetër pos të them – të lumtë, president! Ose, shikuar nga ana e shqiptarëve të Kosovës, “dialogu i brendshëm në Serbi për Republikën e Kosovës”, mundësi ideale për dikë që më në fund të thotë mjaft më me Kosovën, Kosova po na pengon, për shkak të Kosovës nuk jemi në Bashkimin Evropian. Por a është reale ta shikojmë në këtë mënyrë?!

Duke lexuar tekstin “Nevoja për qartësi e përpjekje” të kolegut Jetlir Buja, ndjeva nevojën të theksoja një perspektivë pak më të ndryshme për këtë thirrje, pikërisht për shkak të qartësisë dhe përpjekjeve që (deshën s’deshën) bëjnë serbët nga Kosova.

Kolegu shkroi: “Është e domosdoshme që serbët e Kosovës të flasin. Të tregojnë se çka duan. T’iu tregojnë serbëve të Serbisë se a mund ta pranojnë këtë realitet politik në të cilin po jetojnë. Nuk mund të pritet vetëm nga liderët orientimi. Nuk duhet pritur nga Vučić që t’iu tregoj se çka të mendojnë. Përkundrazi, duhet që orientimi të niset nga këtu. Nga qytetarët e thjeshtë dhe opinioni i tyre. Është e domosdoshme që perspektiva konkrete e secilit të mos ekskomunikohet nga ligjërimi. Të përfshihet. Po, e vërtetë, ekzistojnë një milion probleme, e prapë, ekziston një mundësi për zgjidhjen e tyre. Gjë e keqe është nëse serbët e Kosovës i lejojnë njëmend ata që kurrë nuk kanë qenë në Kosovë, të përzihen e të merren me punët e tyre. Ndonjëherë, ajo që servohet si ndihmë, nuk është tjetër veçse një element për pushtim e dominim.” Edhe unë do të pajtohesha plotësisht me këtë mendim… para dhjetë viteve! Edhepse kolegu thotë se nuk sheh hipokrizi në këtë hap të Aleksandar Vučić-it, unë absolutisht nuk do të pajtohesha me këtë. Me të vërtetë mendoj që është tejet hipokrite të ftosh në dialog njerëzit të cilëve ua ke marr shumicën e të drejtave që kanë pasur kundër vullnetit të tyre dhe gati se me detyrim i ke integruar në sistemin e Kosovës. Me marrëveshje në Bruksel dhe jashtë Brukselit na u mor e drejta për pasaportën e Serbisë pa viza, edhe pse jemi shtetas të Serbisë po aq sa është edhe vetë Aleksandar Vučić. Na u mor e drejta të mbajmë operatorin tonë mobil dhe u detyruam të kalojmë në firmën e sapoformuar, edhe pse ne kurrë nuk kemi nënshkruar kontratë me atë firmë. U hoqën organet gjyqësore serbe dhe në këtë mënyrë u mor një nga të drejtat themelore, ajo për mbrojtje juridike. Këto janë vetëm disa nga gjërat që janë bërë absolutisht kundër vullnetit të shprehur qartë të serbëve që jetojnë në Kosovë. Dhe tani kur të githa këto janë bërë pa pëlqimin tonë, apo thënë më saktësisht kundër vullnetit tonë, dikush po na fton për dialog për Kosovën?! Paj për çka ka mbetur të bisedohet? Për atë që të qëndrojmë pas tij kur edhe përfundimisht ta njohë pavarësinë e Kosovës që të mos jetë plotësisht i vetëm në atë shtyllë të turpit? Paj është pak vonë për këtë dhe tejet hipokrite.

Po ashtu, kolegu shkruan: “Imagjinoni sikur serbët e Kosovës të ishin haptas për një pranim të realitetit, dhe për rrjedhojë, për një rikthim kah problemet e tyre reale. A nuk do t’i ndihmonte kjo artikulimit të Presidentit Vučić edhe më shumë? Padyshim. Kjo do ta çonte edhe vetë Serbinë më përpara drejt BE-së, dhe do t’iu jepte zë njerëzve të këtushëm për zgjidhjen e problemeve të këtushme.” Po e përsëris edhe një herë se zëri i njerëzve nga Kosova nuk dëgjohet që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe se të gjitha janë bërë përkundër tyre e jo me ta. Po ashtu, askush nuk duhet të imagjinojë që serbët e Kosovës ta pranojnë realitetin. Serbët e Kosovës janë të detyruar dhe po e jetojnë atë realitet. Për dallim nga këta që po na bëjnë thirrje për dialog për diçka që tashmë është bërë. Për ta kuptuar më mirë se çka po dua të them, do të jap një shembull plastik: Imagjinoni sikur shqiptarët të kishin qenë të gatshëm të pranonin realitetin e jetës në Kosovë dhe Metohi si krahinë serbe dhë nën regjimin e Milošević-it? Imagjinoni sikur ta kishin pranuar atë dhe t’i ishin kthyer kërkimit të punës, arsimit më të mirë, mbrojtjes së mjedisit jetësor, por në kornizat e caktuara. A do të kishin qenë të kënaqur? A do të vinte deri tek pavarësia?

Shpresoj që e keni të qartë se çka po dua të them. E realiteti ynë është ky dhe ne po e jetojmë e do ta jetojmë, nuk kemi zgjedhje. “Dialogu i brendshëm” nuk është një zgjedhje.