Integrimi jo i rehatshëm: Si punojnë së bashku serbët dhe shqiptarët në gjykatën e Mitrovicës Veriore?

Prej vitit 2015, si pjesë e marrëveshjes së Brukselit, gjyqësia dhe policia në veriun e Kosovës kanë operuar si një, me të dyja grupet etnike kryesore – serbët dhe shqiptarët – duke punuar së bashku në gjykata, në prokurori dhe në polici. Por si funksionon kjo në praktikë?

0
426

“Ndihem si gjykatëse,” pohon Ljiljana Stevanović, Kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kur pyetet se si ndihet si serbe që punon në institucionet kosovare.

Prej vitit 2015, si pjesë e marrëveshjes së Brukselit, gjyqësia dhe policia në veriun e Kosovës kanë operuar si një, me të dyja grupet etnike kryesore – serbët dhe shqiptarët – duke punuar së bashku në gjykata, në prokurori dhe në polici.

Por si funksionon kjo në praktikë? Simbas artikujve të fundit, akoma ka çështje në funksionimin vështirësi të gjykatës; ishte “greva” e stafit serb e planifikuar dhe aksionet e fundit të sigurisë, të udhëhequra nga qeveria kosovare në Veri. Ne e pyetëm Stevanović-in, Kryetaren e re, përmes email-it rreth këtyre pyetjeve.

Stevanović ka mbi 20 vite si gjyqtare, duke punuar tërë karrierën e saj në Mitrovicë, përfshirë Gjykatën për Kundërvajtje dhe si gjyqtare Mbikëqyrëse në Zubin Potok. “Gjithë jetën e kam kaluar duke i shërbyer komunitetit që ndodhet në këtë zonë,” thekson ajo.

Zgjidhjet praktike

Integrimi i gjyqësorit është jetik për të mbrojtur tërë njerëzit në veri, sipas Stevanović-it. Ajo thotë se ata po provojnë të përmirësojnë imazhin e sundimit të ligjit në këtë zonë dhe vë në pah çështjet me divorcet.

Para integrimit, njerëzit njiheshin si të divorcuar në njërin shtet, por ende të martuar në tjetrin, një çështje e zakonshme sipas Stevanović-it dhe ekspertëve të tjerë.

“Ne kemi hasur në shumë probleme. Në fillim të integrimit, gjykatësit serbë dhe shqiptarë kishin paragjykimet dhe dyshimet e tyre personale rreth gjyqësorit multietnik, por sot flasim hapur për të dhe jemi të lumtur që kemi arritur të largojmë ato dyshime dhe frikë, prandaj me të drejtë mund të them se e kemi tejkaluar vetveten. Dhe kemi arritur të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërkolegiale,” pohon Stevanović.

Një çështje që vijon të shkaktojë probleme është mungesa e përkthyesve të kualifikuar, thotë Stevanović. Me gjykatën që është dygjuhëshe, kjo do të ishte thelbësore. Megjithëkëtë, tërë gjykatat dhe institucionet qeverisëse në Kosovë supozohet të jenë dygjuhëshe. Në marrëveshjen e Ahtisaarit-it është vendosur se të gjitha komunitetet janë të lejuara të kenë shërbime qeveritare në gjuhën e tyre amtare.

Mungesa e shërbimeve gjuhësore në serbisht e në shqip në qeverinë e Kosovës, është vënë re që një kohë të gjatë nga vëzhguesit e shoqërisë civile dhe ata ndërkombëtarë.

“Ka një nevojë të madhe për të shkolluar stafin në procedurat që janë në pajtim me ligjin. Ka po ashtu nevojë për të arsimuar stafin administrativ në shkathtësitë e buta dhe ato digjitale,” shton Stevanović.

Kur pyetëm se cili është çelësi për një integrim të suksesshëm, na u tha se ai është të ndërtohet një staf profesional dhe i arsimuar që do të punonte në gjyqësor. Po ashtu, është shumë e rëndësishme të respektohet Marrëveshja e Brukselit në organizimin e drejtësisë në këtë hapësirë.

Tensionet e vazhdueshme

Por tensionet akoma ekzistojnë dhe ka pasur njoftime për një grevë të stafit serb si reagim ndaj një vendimi të gjykatës rreth një rasti në lidhje me një anëtar të dalluar të Srpska Listës në muajin gusht 2021. “Ata nuk bënë grevë. Thjesht donin të tërhiqnin vëmendjen për një çast që Marrëveshja e Brukselit duhet dhe do të duhej respektuar,” thekson Stevanović.

Një tjetër gjyqtar serb, Miloš Marković, i cili gjithashtu punon në Mitrovicë, tha: “Para së gjithash, punonjësit dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore nuk hynë në grevë, sidomos jo për shkak të vendimit në një rast gjyqësor. As nuk është e përshtatshme t’u jepet përgjigje insinuatave të paverifikuara. Ajo që është e sigurt është se vetëm implementimi i plotë dhe respekti i çdo gjëje që është rënë dakord rreth çështjes së drejtësisë në Kosovë brenda procesit të Brukselit mund të parandalojë ndonjë situatë problematike që mund të kërcënojë gjithë procesin.”

“Komuniteti serb e di se ne jemi integruar në institucionet e Kosovës me pajtimin dhe propozimin e shtetit serb,” deklaroi Stevanović kur u pyet se si e pranon integrimin komuniteti serb.

Në fund, Stevanović dhe kolegët e saj theksuan se ndihen plotësisht të mbështetur nga institucionet kosovare, të cilat tani janë duke rekrutuar gjyqtarë shtesë serbë.

Megjithatë, kur i kërkuam stafit shqiptar të përgjigjej në intervista, asnjëri syresh nuk u përgjigj.

Por gjyqtari Marković thekson, “Diçka që del nga puna e gjykatës së integruar në Mitrovicë, është bashkëpunimi, kolegialiteti dhe respekti i ndërsjellë ndërmjet kolegëve, edhe i gjyqtarëve, edhe i punonjësve, në radhë të parë nga komunitetet serbe e shqiptare, shumica prej tyre, por edhe nga komunitetet e tjera. Unë besoj se bashkëpunimi që serbët dhe shqiptarët kanë brenda Gjykatës Themelore në Mitrovicë duhet të jetë shembull për institucionet e tjera në Kosovë.”

Shënim: Bisedat për këtë artikull janë zhvilluar para suspendimit të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljijana Stevanović, nga detyra e saj me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 24 mars 2022.