Koalicioni i “luftës” dhe Kosova

Duke mos pasur asnjë vlerë tjetër, këta thirren pambarim në 'vlerat e luftës'. Kanë ndërtuar parti politike personale, që i shërbejnë familjes dhe jaranëve të tyre. Pa demokraci të brendshme. Pa garë politike. Por jemi në fund të këtij rrëfimi.

0
1435

Para do ditëve PDK-ja u bashkua me dy partitë parlamentare në opozitë, AAK-në dhe Nismën, në një koalicion parazgjedhor. Kjo prodhoi mjaft tronditje në opinionin publik shkaku i dallimeve të mëdha që këto parti patën gjatë viteve të fundit. Praktikisht, PDK-ja ia doli që në një masë të konsiderueshme, me anë të këtij koalicioni, ta delegjitimonte fjalën e opozitës. Sidoqoftë, këto parti e kanë një themel të përbashkët: “luftën”. Pra, të trija partitë rrodhën nga UÇK-ja dhe nga zhvillimet e tmerrshme të viteve ’98-’99. Të trija partitë kanë njerëz që pritet të akuzohen nga Gjykata Speciale në ardhje.

Koalicioni i ‘luftës’ është favorit i madh bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. Dmth, pritet që Ramush Haradinaj të jetë kryeministër i ri i Kosovës. Dmth, pritet që ‘vlerat e luftës’ për herë të parë të jenë në Qeveri, bashkë, duke e pritur rrufenë e ‘Gjykatës Speciale”. Me të drejtë, analisti politik, Shkëlzen Gashi, e cilësoi koalicionin si “Anti Dick Marty”.

Në skandalin e përgjimeve “Pronto” që u lëshua vitin e kaluar nga portali Insajderi, u dëgjua edhe zëri i liderit të PDK-së, Kadri Veselit. Aty dëshmohej ndikimi i PDK-së në vendosjen e njerëzve të tyre në poste publike. Shkelje e tmerrshme kriteresh, joprofesionalizëm, fjalor rrugaqësh, etj. Përgjimet ishin bërë në vitin 2011, kur Veseli nuk ishte zyrtarisht i përfshirë në politikë. Ai e ka pranuar se ka qenë drejtues – pa e sqaruar funksionin dhe financimin – për nëntë vite (1999-2008) i një shërbimi informativ jolegal (Shërbimi Informativ i Kosovës), të cilin e rëndon mbi krye çështja Bllaca, pastaj dhjetëra vrasje me prapavijë politike të zyrtarëve të LDK-së po ashtu. Por Veseli as që lodhet për ta pastruar veten në opinionin publik. Pyetja që duhet shtruar është: a mund të pastrohet ai? Nuk e di. E di që është e frikshme të zgjedhësh një njeri që ka qëndruar nën hije për aq shumë vjet, në kohë vrasjesh e rrahjesh.

Fatmir Limaj, i Nismës, ndërkohë ka vite që akuzohet për korrupsion gjatë kohës sa ishte ministër i Transportit. Ndërsa AAK-në e zotit Haradinaj, Lëvizja Vetëvendosje e kishte akuzuar për haraq dhe krime tjera të rënda në rrafshin e Dukagjinit.

Pra, Kosova po e pret një Qeveri ose një pushtet të ndotur deri në grykë. Një student i përkushtuar i këtij vendi, që lexon e studion sa mundet, e ka të qartë se meritokracia nuk ka vend në këtë vend.  Skenari më i keq? Trazirat, shkaku i Gjykatës Speciale. Trazirat etnike. Tashmë Haradinaj ka nisur të gjuhet me deklarata të fuqishme me Aleksandar Vučić-in. Para një jave, ai kërcënoi se do ta fuste Nishin në Kushtetutën e Kosovës, nëse Kosova mbetej në Kushtetutën e Serbisë. Vëllai i tij, sa kohë që Ramushi po qëndronte në Francë, tha që nëse Ramushi nuk lirohet, asnjë serb nuk do të mbetet në Kosovë.

Shihni pra sesi kaq hapur minohen themelet e shtetësisë së Kosovës. Komuniteti serb është tepër i rëndësishëm për ne. Procesi i kthimit të serbëve në shtëpitë e tyre në Kosovë, po ashtu. Shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë nuk janë as si Haradinaj, as si Thaçi, as si Veseli, e as si Limaj. Por këta janë më të zhurmshmit, dhe një serb në Kosovë pa të drejtë mund të gjykojë se këta janë Kosova. Fundja, kjo është ajo që këta liderë duan. Por jo, kosovarët nuk janë të tillë. PDK e ruan pushtetin e saj me një klientelizëm të hapur e të qartë. AAK nuk i ka më shumë se 9%, të koncentruara në pjesët e Deçanit. Nisma ndërkohë nuk është më e madhe se 5%. Këta janë të refuzuar, të përbuzur, të padashur. Me të drejtë Halil Matoshi, deri dje një opinionist shumë i respektuar, e quante këtë pjesë të elitës politike si kakistokraci (qeverisje nga më të këqinjtë). Kështu ndihet një kosovar i rëndomtë: ai ka një qeveri të përbërë nga njerëzit më të ligj, më të padijshëm e vulgarë.

E vërteta është se zgjedhjet janë një farsë. Dyzet përqind e kosovarëve dalin në votime, shumica dërrmuese e të cilëve për të kryer një borxh. Qoftë për të paguar për punën e marrë pameritueshëm, ose statusin e veteranit, ose statusin e invalidit, ose regjistrimin në fakultet për të birin a bijën, ose diçka tjetër. Zgjedhjet nuk ekzistojnë si mundësi. Rezultati i zgjedhjeve ndryhet brenda shoqërisë kosovare qysh tash. Kosova e nesërme, me Haradinajn e Veselin, nuk jep shpresë. Krejt e kundërta. Kosovarët e rëndomtë, nga një zhgënjim i sërishëm, mund të nisen drejt Evropës në një përpjekje të dëshpëruar për shpëtim.

Nejse. E mira është se jo gjithçka është në dorën e kësaj kakistokracie. E mira është se këta nuk mund të bëjnë asgjë jashtë udhëzimeve që na japin amerikanët dhe evropianët. Duke mos pasur asnjë vlerë tjetër, këta thirren pambarim në ‘vlerat e luftës’. Kanë ndërtuar parti politike personale, që i shërbejnë familjes dhe jaranëve të tyre. Pa demokraci të brendshme. Pa garë politike. Por jemi në fund të këtij rrëfimi. Këto ‘vlera’ kanë filluar të kalben. Vazhdimisht në ditët e fundit, zyrtarë të PDK-së kanë ngulmuar që koalicioni i tyre të mos quhet ‘krahu i luftës’. Pra, edhe këta vetë duan të mendojnë se nuk janë thjesht njëfarë brumi i dalë nga lufta. Por, e vërteta është se kështu janë. Dhe të tillë mbetën.