Kontributi im për normalizimin

Duke e ditur se e kaluara është e rëndë dhe e dhimbshme, por edhe se nuk mund të ndryshohet, besoj se është me rëndësi ballafaqimi me trashëgiminë e së kaluarës, të flitet për te publikisht, të kërkohet falje për te, dhe pas të gjitha këtyre, të ndërtohet e ardhmja.

0
1237

Duke e ditur se e kaluara është e rëndë dhe e dhimbshme, por edhe se nuk mund të ndryshohet, besoj se është me rëndësi ballafaqimi me trashëgiminë e së kaluarës, të flitet për te publikisht, të kërkohet falje për te, dhe pas të gjitha këtyre, të ndërtohet e ardhmja.

Krahasuar me tetë vitet e kaluara, në 2015-n kam kaluar bindshëm më së paku kohë në Kosovë – më pak se një muaj. Kjo me siguri tingëllon jomodeste, por për shkak të natyrës së punës dhe lidhjeve private, në përgjithësi udhëtoj shpesh në Kosovë. Megjithatë, kur është fjala për pasurimin e njohurive të mia mbi situatën politike në Kosovë dhe në lidhje me Kosovën, viti 2015 ka qenë bindshëm më cilësori.

Kam pasur rast që për “çështjen e Kosovës” të bisedoj me Edita Tahirin, Marko Đurić-in, Atifete Jahjagën, Milovan Drecun-in, Albin Kurtin, Aleksandar Jablanović-in, Fatmir Sejdiun, Branimir Stojanović-in, Petrit Selimin, Vladeta Kostić-in, Valdete Sadikun, Dejan Pavićević-in, Shpend Ahmetin, Nenad Rašić-in… Thuajse të gjithë ata përmes punës i kam takuar për herë të parë këtë vit. Nuk është që më parë nuk kam tentuar të caktoj takime përmes organizatës në të cilën punoj (Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut), por kryesisht kemi hasur në dyer të mbyllura. Nëse ka nevojë të vlerësojë nëse kam vërejtur ndonjë përmirësim në raportin e institucioneve në Beograd dhe Prishtinë ndaj të rinjve që vijnë nga sektori joqeveritar, më duhet të pranoj se vitin e kaluar është shënuar përparim i dukshëm kur është fjala për atë se sa të hapura janë institucionet që të bisedojnë me ata që nuk janë nga radhët e tyre.

Këtë vit do ta mbaj mend edhe për konstruktivitetin e takimeve të shumta që, si përfaqësuese e organizatës me mision të ndërtojë lidhje të reja në rajon, kam pasur me të punësuarit në qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Zyrës rajonale për bashkëpunimin e të rinjve. Kur të themelohet kjo zyrë, të rinjve do t’u ofrohet rasti që, përmes programeve të këmbimit të financuara nga qeveritë, të mësojnë për fqinjtë nga përvoja personale e jo nga librat shkollor dhe media, të cilat janë përplot urrejtje.

Në vitin 2015 kam marrë pjesë edhe në hartimin e botimit të parë të përbashkët të profesorëve dhe asistentëve të Fakultetit të Shkencave politike në Beograd dhe Departamentit të shkencave politike të Fakultetit filozofik në Prishtinë. Botimi nën titullin “Perspektivat e shoqërisë multietnike në Kosovë” nuk i anashkalon pyetjet e vështira, hap diskutimin akademik për problemet që rëndojnë këto dy shoqëri, përfaqëson literaturë cilësore për secilin që dëshiron të informohet rreth çështjeve politike të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhepse në 2015-n nuk pati guxim në asnjë dekanat që të mbështesin këtë projekt, besoj që është krijuar hapësirë që në të ardhmen të niset edhe bashkëpunimi zyrtar akademik.

Këta janë disa shembuj përmes të cilëve mund të dëshmoj se disa gjëra në relacionin Beograd – Prishtinë kanë lëvizur vitin e kaluar, para së gjithash kur është fjala për të rinjtë. Imponohet pyetja nëse këto suksese, së bashku me bisedimet në Bruksel, kanë pasur ndikim tek qytetarët e zakonshëm dhe në çfarë mase. Nuk jam optimiste sa i përket përgjigjes në këtë pyetje. Për të rinjtë në Serbi, shqiptarët ndodhen lart në listën e popujve me të cilët nuk dëshirojnë të kenë kontakte. Opozita e qeverisë së Kosovës, e cila tubon shumë të rinj, tërë vitin e ka kaluar në rrugë duke protestuar për shkak të negociatave me Brukselin. Numër më i madh i të rinjve nga Beogradi kanë vizituar Nju Jorkun sesa Prishtinën, derisa të rinjtë shqiptarë nga Kosova po ashtu nuk dëshirojnë të udhëtojnë në kryeqytetin e Serbisë… Nëse kësaj i shtohet debati për Kosovën në UNESCO dhe bashkësinë e komunave serbe, si dhe deklaratat e panumërta të zyrtarëve më të lartë të Beogradit dhe Prishtinës të ngarkuara seriozisht me trashëgiminë e të kaluarës së rëndë, kam frikë se viti 2015 nuk do të mbetet i regjistruar në histori si vit i kthesës së madhe.

Përse është ashtu? Përse sukseset e arritura në nivel institucional nuk reflektohen në shoqëri, e para së gjithash tek të rinjtë? Ku fshehet, 16 vjet pas lufte, pengesa kryesore e kapërcimit të problemeve nga e kaluara? Shumë vetë do të thoshin se kjo është një pyetje shumë e komplikuar në të cilën nuk mund të jepet një përgjigje e thjeshtë. Do të pajtohesha se përgjigja është shumështresore, por megjithatë në vete besoj se është edhe shumë e thjeshtë.

Unë kurrë nuk kam pasur asnjë problem në Kosovë, askush nuk më ka qortuar se flas serbisht. Kur kam problem, së pari e theksoj se jam nga Beogradi, e mëpastaj kërkoj ndihmë. Në situata të tilla njerëzit sinqerisht bëjnë garë për të më ndihmuar. E di se shumë vetë në Serbi, e ndoshta edhe në Kosovë, nuk do të më besonin po të dëgjonin për situatat e pabesueshme në të cilat jam ndodhur në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Drenicë, rrugës për në Shterpce, Novobërdë… Por unë e di se të gjitha ato janë të vërteta dhe për këtë ndihem shumë e pasur. Jam shumë e lumtur që për Prishtinën mund të them “e imja”, që atje jetojnë disa njerëz të cilët i konsideroj miq të vërtetë, që i di dhjetëra këngë shqip, që natën mund të bëj xhiro vetë, pa frikë, nga Arbëria (Dragodani), nëpër Qytezën Pejton, deri në Breg të Diellit dhe të përfundoj në parkun e qytetit.

Si është e mundur kjo? Përse ma ka lejuar mua këtë Kosova?

Këtu i kthehem asaj se përgjigja në pyetjen “përse nuk ka normalizim mes dy shoqërive?” është e thjeshtë. Unë e di goxha me hollësi se çfarë ka ndodhur në vitet nëntëdhjetë në Kosovë, i kam të njohura faktet mbi gjykimet në Hagë, Beograd e para gjykatave të ndryshme në Kosovë për krimet e kryera në 1998 dhe 1999, e sidomos për vrasjen e më shumë se dhjetë mijë shqiptarëve. I kam të njohura edhe hollësitë për serbët që janë detyruar të braktisin Kosovën. Jam shumë kritike ndaj institucioneve të Kosovës, e edhe më kritike ndaj politikës së qeverisë sime në Boegrad, sidomos në lidhje me hapat e saj në Kosovë. Nuk ngurroj që të flas për problemet dhe gjërat t’i quaj me emrin e vërtetë. Fakti se jam kritike ndaj Kosovës nuk më bën armike të saj, por bashkëbiseduese e cila nuk ka frikë nga hapja e temave të rënda. Ajo që e kritikoj qeverinë time assesi nuk do të thotë se nuk e dua Serbinë. Përkundrazi. Sepse e dua dhe dëshiroj të jetë më e mirë, ngul këmbë që e vërteta të mos futet nën tepih. Duke e ditur se e kaluara është e rëndë dhe e dhimbshme, por edhe se nuk mund të ndryshohet, besoj se është me rëndësi ballafaqimi me trashëgiminë e së kaluarës, të flitet për te publikisht, të kërkohet falje për te, dhe pas të gjitha këtyre, të ndërtohet e ardhmja.

Atë ardhmëri duhet ta ndërtojnë elitat politike. Ato kanë më shumë ndikim dhe shumë më shumë hapësirë për këto sesa cilido individ në shoqëritë tona. Derisa dy qeveritë nuk e kuptojnë se normalizimi i vërtetë është e vetmja gjë që na mbetet, bashkë me raportin e sinqertë ndaj gabimeve nga e kaluara, ne individëve na mbetet që të jemi lidhje mes këtij momenti dhe një të ardhmeje më të ndritshme e cila duhet të vijë gjithsesi.

Unë e kam zakon të them se secilën herë që më ndodhë diçka e bukur e pabesueshme në Kosovë, në Serbi zhduket një nacionalist. Dëshiroj që në vitin 2016 të rritet shumëfish numri i të rinjve serb dhe shqiptarë të cilët duke udhëtuar në Kosovë apo në Serbi të përjetojnë historitë e tyre të pabesueshme dhe që përvoja e tyre t’ua mbyll gojën të gjithë atyre që janë pengesë e normalizimit.