Kthimi – kur

0
1237

“Më shumë se 220,000 persona nga Kosova kanë statusin e të ikurve dhe ballafaqohen me pamundësinë e kthimit në shtëpitë e tyre, kurse kthimin në Kosovë e kanë realizuar më pak se pesë përqind e numrit të përgjithshëm të të zhvendosurve. Arsyeja kryesore pse nuk është arritur një kthim i qëndrueshëm i Personave të Zhvendosur Brenda Vendit (PZHBV) në Kosovë është para së gjithash për shkak të implementimit jo konzistent të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kurse pengesat dhe faktorët rëndues për këtë janë situata e sigurisë, çështja e pazgjidhur e kthimit të pronës së uzurpuar, sulmet pothuajse të përditshme në të kthyerit dhe pronën e tyre, pamundësia e përdorimit të gjuhës së tyre amtare, mungesa e mundësive ekonomike, si dhe procedurat e komplikuara të kthimit. Një kthim më masovik të personave të zhvendosur është e mundur të arrihet përmes krijimit të një mekanizmi efikas juridik për mbrojtjen dhe kthimin e pronës private si dhe me ndërtimin e paqes së përhershme, mundësive ekonomike dhe kushteve për përfshirjen e serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera joshqiptare në jetën publike të Kosovës në të gjitha nivelet,”- shkruan në raport Zyra për Kosovë e Metohi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve.

A duam të shkojmë me rend? Paj le të shkojmë.

Që nga përfundimi i luftës kanë kaluar 15 vite! Pesëmbëdhjetë vite që kur këta 220,000 refugjatë të regjistruar u larguan nga shtëpitë dhe pronat e veta. Pesëmbëdhjetë vite jetë në gjysmë-kushte në qendra kolektive ku personat e rritur nuk kanë kushte elementare e të mos flasim për fëmijët dhe grupet tjera të ndjeshme sociale. Edhe ata që kanë marrë me qira banesa për familjet e tyre po ballafaqohen me probleme të mëdha ekzistenciale. Shkruan 5% janë kthyer në shtëpitë e tyre (mirë, jo bash të tyre, sipas të gjitha gjasave në disa shtëpi të ndërtuara nga donacionet e huaja, të cilat ua kanë dorëzuar dhe u kanë thënë “ejani, jetoni”). Ejani, kjo është shumë mirë për statistikë. Ku do të punoni? Ç’ka ndodhur me tokën tuaj? Cilën gjuhë do të keni guxim të përdorni? Në cilën shkollë do të shkojnë fëmijët tuaj? Në cilën gjuhë dë të mësojnë? Cilat tekste mësimore do të përdorin? Paj, nuk ka lidhje, ejani t’ju fotografojmë! Çka kur dikush çdo të dytën natë ua thyen dritaren në atë shtëpi? Paj, nuk ka lidhje, mos u brengosni, nuk do ta zbulojmë kurrë se kush e bëri këtë. Por ju jetoni, lirisht, pa brenga. E dini, kjo është e mirë për statistikën. Mirë për “shoqërinë demokratike dhe shtetin stabil i cili kujdeset për qytetarët e tij, e në veçanti për pakicat.” Çka ndodh nëse dikush natën tjetër i vë zjarrin asaj “shtëpie të të kthyerit?” Paj, Zoti na ruajtë, ndodh kjo. Gjithmonë mund të ktheheni atje ku tashmë kishit ikur, e gjithmonë do të jetë dikush që do të dëshiroj të kthehet, që do të përpiqet të jetoj dhe që do të plotësojë vendin tuaj në statistikë. E ndoshta një ditë edhe do t’ia dilni të ktheheni në shtëpi, një ditë kur të mendojmë së pari se çfarë të bëjmë edhe me këta 150,000 njerëz, pjesëtarë të komuniteteve pakicë që kanë mbetur këtu. Një ditë kur të emigrojnë aq shumë njerëz nga këtu në kërkim të një jete më të mirë do të jetë në rregull që dikush të kthehet dhe të plotësojë pak atë hapësirë të zbrazët. Po them, ndoshta…

E deri atëherë? Paj deri atëherë do të jetojmë ne këtu, mendoj, disa do të jetojmë, e disa do të mbijetojnë. Do të kemi Ministrinë për kthim, dikush aty do të marr pagë, ju nuk do të ktheheni. Do të ekzistojë edhe Zyra për Kosovë dhe Metohi e cila po ashtu do të punojë për kthim, edhe aty dikush do të marrë pagë, e ju nuk do të ktheheni. Po ashtu, dikush do të jetojë në shtëpinë tuaj, do të shfrytëzojë tokën tuaj, do të punojë në vendin tuaj të punës, e ju? Ju nuk do të ktheheni! Do të jetojmë në vendin ku disciplina më e bukur dhe më e shpeshtë e alpinizmit është ngjitja nëpër kisha dhe përmendore të trashëgimisë suaj kulturore, ku disciplina kryesore e atletikës është hedhja e gurëve në shtëpinë tuaj, disciplina kryesore rrugore është pështyrja në të çdo gjë tuajen! E ju? Paj, ju nuk do të ktheheni!