Lajçak pret dakordim mbi hapat e ardhshëm në takimin e kryenegociatorëve të hënën

0
91

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 12 maj në Beograd.

Vuçiq, pas takimin me Lajçakun, tha se ia ka përcjellë shqetësimin e tij për situatën në Kosovë, “veçanërisht në veri”.

“I thashë ndërmjetësuesit evropian se shqetësimi im buron nga nevoja e [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit për të provokuar incidente dhe konflikte”, tha Vuçiq.

Vuçiq, gjithashtu, në një postim në Instagram tha se fokusi i takimit ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “që është parakusht që Serbia t’i vazhdojë bisedimet e mëtejshme me Prishtinën”.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak njoftoi për takimin e tij me presidentin Vuçiq dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq, prej ku tha se me ta diskutoi rrugën përpara në zbatimin e Marrëveshjes.

“Takimi i kryenegociatorëve të hënën e ardhshme është një mundësi e mirë për të rënë dakord për hapat e ardhshëm konkretë”, shkroi Lajçak.

Lajçak, i cili ishte në Prishtinë më 11 maj, po qëndron në Serbi për të monitoruar zbatimin e asaj që është vendosur dhe rënë dakord në Bruksel dhe për të përgatitur hapat dhe takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë tha Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë?

Lajçak tha në Prishtinë se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën e 15 majit në Bruksel.

“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.

I pyetur gjatë ditës se si e sheh zgjidhjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur të dyja palët kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta se si duhet të duket, Lajçak tha se “do të ishte naive të kishim një qëndrim të përbashkët që nga fillimi.”

“Tani duhet të ulemi dhe të fillojmë të punojmë, të arrijmë një marrëveshje, t’i afrojmë qëndrimet e njërit dhe tjetrit. Sigurisht, platformë e përbashkët duhet të jenë marrëveshjet e mëparshme dhe modelet evropiane. Aty ku ka vullnet, ka rrugë”, deklaroi Lajçak.

Pas takimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryenegociatiorin Bislimi, Lajçak tha se kanë biseduar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe hapat e ardhshëm pas takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë më 2 maj në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ritheksoi se Kosova është interesuar të zbatojë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit.

“Jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë më tej një vizion për komunitetin serb në Kosovë sa i përket nivelit adekuat të vetëmenaxhimit. Ky është synimi ynë paralelisht me atë që duhet të ketë zbatim të plotë dhe sa më të shpejtë”, tha Kurti.

Lajçk vizitoi edhe Mitrovicën e Veriut, prej ku u pyet në lidhje me çështjen e hapjes për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Hapja e kësaj ure u diskutua ditë më parë me iniciativën e disa asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Është në duart e dy palëve, ato duhet të pajtohen. Ne duam që hapja e urës të kontribuojë në një stabilitet më të madh se sa në destabilizim. Prandaj, insistoj që duhet ta përdorim platformën e dialogut për t’u pajtuar për një rrugë përpara”, tha Lajçak.

Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij në veri është që të marrë ” informacionin e dorës së parë nga njerëzit që jetojnë këtu për të parë se si e shohin situatën ata”.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm në mënyrë që të krijoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në një postim në Twitter.

Në fund të vizitës së tij në Kosovë, Lajçak tha se takimet e 11 majit ishin të dobishme për të si i dërguar për dialog dhe se po niset për në Beograd me informacione dhe përshtypje të reja.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Beograd dhe Prishtinë pas takimit të 2 majit Vuçiq-Kurti në Bruksel, ku u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur, por nuk u arrit përparim në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

(evropaelire.org, 12/05/2023)