Më lejoni të sqaroj

Nuk është e drejtë të thuhet çdo ditë se „Kosova është Serbi“, të na bindin se jemi pjesë e Serbisë derisa ne gjithsesi njohim një realitet tjetër. Që kjo situatë të jetë edhe më e keqe, të njëjtit politikanë për të cilët Kosova është Serbi, na bëjnë thirrje që të pranojmë realitetin. E ky realitet është e gjithë poenta ime. Nuk ka nevojë që asnjë nga politikanët të më flas me hipokrizi për realitetin e Kosovës, ndërsa po na ndërrohen dokumentet, operatorët telefonik... Dhe këtu qëndron e tërë poenta.

0
1033

Ndërsa po bie zhurma mediale e ngritur rreth tekstit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, për hapjen e dialogut të brendshëm rreth Kosovës, po vijnë edhe reagime të ndryshme. Unë isha midis të shumtëve që kanë reaguar ndaj tekstit të përmendur. Edhe shkrimi im në fund mori reagime të llojeve të ndryshme. Të marrësh mendime të ndryshme është gjithsesi gjë e mirë dhe para së gjithash e dëshirueshme. Mund të hapin një perspektivë plotësisht të re të një ngjarjeje, mund të ndryshojnë mendimin dhe gjithsesi të na prezantojnë një pasqyrë më të gjerë dhe më të mirë të situatës. Megjithatë, jam e mendimit se teksti im „Nuk e di, veç po pyes“ në disa situata është interpretuar gabimisht dhe është nxjerrë nga konteksti. Prandaj, më lejoni të sqaroj. 

Secili tekst që e kam shkruar deri sot ka pasur për qëllim paraqitjen e mendimit të serbëve që jetojnë në Kosovë sepse konsideroj që ky mendim nuk dëgjohet sa duhet. Të gjitha ato që nxirren në opinionin publik në emër të serbëve nga veriu i Kosovës janë kryesisht të imponuara nga Beogradi dhe definitivisht nuk përfaqësojnë atë që e jetojnë serbët në veri të Kosovës dhe çfarë mendojnë. Nëse do të pyesnit, pse po e lejojmë një gjë të tillë, është e thjeshtë: Beogradi gjithmonë ka qenë mbështetje,  madje edhe  atëherë kur nuk pajtohemi me zyrtarët, besojmë se disa gjëra do t’i bëjnë më mirë se na sepse, në fund të fundit, ajo është politika e shtetit në të cilin serbët e Kosovës ende besojnë. Unë nuk kam mundur asnjëherë të hesht, kështu që kjo edhe shumë herë më ka kushtuar. Por kjo është mbase diçka që e bartni me vete dhe prej të cilës, përkundër të gjithave, nuk mund të ikni. Kur merrni komente sikur „Bravo për tekstin, pajtohemi plotësisht, por është më mirë që të mos flasim për këtë“ nga njerëzit që jetojnë në veri, e keni të qartë që përfaqësoni më shumë njerëz e jo vetëm veten, e keni të qartë se flisni për të gjithë ata njerëz që frikohen.  E pikërisht të tillë e konsideroj edhe tekstin në të cilin shtroj pyetje se për çka shërben ftesa për dialog në një media të shkruar. Ishte një tekst përmes të cilit shprehet edhe një pakënaqësi e serbëve të Kosovës kur bëhet fjalë për politikanët serbë. 

Gjëja e parë të cilën desha të vë në dukje në tekst është realiteti në të cilin jetojmë. Poenta ime është para së gjithash kjo: a është e drejtë që dikush të na ftojë në ballafaqim me realitetin nëse ne po e jetojmë këtë realitet? Në baza ditore, me vite të tëra. Nuk i ik unë një realiteti të tillë, as shumica e serbëve në Kosovë që ka ditë  që qëndrojnë në radhë për të marrë dokumentet e Kosovës, por vetëm po ua bëj me dije politikanëve se nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë të thuhet çdo ditë se „Kosova është Serbi“, të na bindin se jemi pjesë e Serbisë derisa ne gjithsesi njohim një realitet tjetër. Që kjo situatë të jetë edhe më e keqe, të njëjtit politikanë për të cilët Kosova është Serbi, na bëjnë thirrje që të pranojmë realitetin. E ky realitet është e gjithë poenta ime. Nuk ka nevojë që asnjë nga politikanët të më flas me hipokrizi për realitetin e Kosovës, ndërsa po na ndërrohen dokumentet, operatorët telefonik… Dhe këtu qëndron e tërë poenta. Dhe në shkrimin tim nuk pyes unë për rezultatin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, atë rezultat e kam të qartë. Sikur që është i qartë edhe për të gjithë që jetojnë në Kosovë. Unë vetëm pyes se sa është kjo e drejtë. Sa është e drejtë të gënjesh popullin tënd, sa është e drejtë ta mashtrosh atë me fitoret e rrejshme të Brukselit dhe pastaj të thuash se po ai popull i njëjtë apo Kosova po ua ndalon përparimin? Në këtë pyetje nuk kam përgjigjje, apo vetëm nuk dua ta them, të tjerat kaherë i kam të qarta.  

Çështje që ndahej nga teksti im ishin edhe problemet burokratike me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë. Edhepse vazhdimisht  flas për ta, poenta e tyre në po këtë shkrim është pikërisht aty se serbët tashmë ka kohë që po e jetojnë realitetin në të cilin po na fton presidenti Vučić. Sepse vetë posedimi i dokumenteve të Kosovës është fakt i mjaftueshëm që të dimë se ku po jetojmë. Dhe prapë kthehemi te pyetja që unë e konsideroj si poentë: a është në rregull që dikush na bën thirrje t’i pranojmë gjërat të cilat ne i njohim kaherë, të cilat i jetojmë? Të cilat qartazi edhe i kemi pranuar?

Shkrimi im nuk i referohej rezultatit të dialogut, sepse do të thosha që është i njohur për të gjithë ne. Shkrimi im ka për qëllim paraqitjen e padrejtësisë që i bëhet popullatës serbe në Kosovë. Shkrimi im bën fjalë për hipokrizinë e politikanëve serbë. Shkrimi im nuk është asgjë tjetër pos një grumbull pyetjesh të një serbi të rëndomtë nga Kosova. Mund të konsiderohet nga anë të ndryshme i gabuar, i panevojshëm, por një gjë është e sigurtë: është real. Është real dhe paraqet pasqyrën dhe situatën e cila nuk është asgjë tjetër pos e vërtetë. 

Dhe në fund, që fjalët e mia prapë të mos nxirren nga konteksti, pyetjet e mia nuk janë të realitetit kosovar, pyetjet e mia kanë të bëjnë me të qenit të drejtë dhe atë të askujt tjetër pos të politikanëve serbë. Pyetjet e mia kanë të bëjnë ekskluzivisht me jetën e njerëzve të rëndomtë, e jo me politikë të lartë. Sepse, në fund të fundit, të rëndësishëm janë ata njerëz që jetojnë në Kosovë të cilët politikanët po i përdorin ekskluzivisht për nevojat të tyre personale, këtë mbase e kemi mësuar. Dhe duke pritur rezultatin e dialogut, prapë do të them se unë angazhohem për pajtim të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Por duhet të sqarohet edhe kjo. Pajtimi ka të bëjë me të gjithë ne që jetojmë këtu. Pajtimi nuk do të vijë vetvetiu nëse nënshkruhet diçka në Bruksel. Pajtimi është ajo që i pret njerëzit. Për këtë arsye do të duhej shmangur tregimet politike që ka kohë që „nuk pijnë ujë,“ prandaj duhet biseduar me njerëzit të cilët po e jetojnë këtë realitet, të tillë siç është. Për këtë arsye edhe unë i dhashë vetes të drejtën që të sqarojë përsëri. Sepse ne na duhet dialogu në nivel njerëzor. Ai dialogu i lartë politik nga Brukseli nuk mund të na ndihmojë këtu.