Letër Dua Lipës

Duke e pasur parasysh që momentalisht je një nga këngëtaret më të popullarizuara në botë - për çka unë të përgëzoj - dhe që ndikimi yt është jashtëzakonisht i madh, do të doja të shoh që je krenare me shtetin nga i cili vjen, por që me këtë të mos e cenosh askënd tjetër. Këtu qëndron thelbi i respektit reciprok dhe lirisë së fjalës. Aty qëndron esenca e bashkëjetesës paqësore. Thjesht, tek ne në Ballkan gjithçka që i kalon kufijtë e kësaj mund të përshkallëzojë, mund të sjellë vetëm debate të reja, urrejtje dhe konflikte.

0
771

E dashura Dua Lipa,


Në vend të një artikulli të zakonshëm dhe komenteve për javët e kaluara që u shënuan prej teje, vendosa të ta shkruaj një letër. Fakti që po të drejtohem me TI nuk është shenjë e mungesës së respektit, porse e konsideroj të panevojshme që të të drejtohem me JU pasi që jemi të së njëjtës moshë. Në fakt, unë të respektoj shumë, edhe ty edhe punën tënde.  

E dashura Dua, i tërë Ballkani ka disa ditë që po i komenton postimet tua në rrjetet sociale. Para së gjithash postimin tënd në të cilin është flamuri i Shqipërisë së Madhe. Ka disa ditë që në vend se të flitet për këngët tua të reja, njerëzit janë „për“ dhe „kundër“ postimit tënd, krenarë dhe të ofenduar. Edhe pse pritet që edhe unë të flas për atë se si jam e ofenduar me këtë postim sepse jam serbe, arsyeja e shkrimit tim është gjithçka tjetër por vetëm jo kjo gjë. Përmes këtij shkrimi dëshiroj vetëm një gjë, e ajo është që të ta shpjegoj ty dhe të tjerëve përse nuk është në rregull flamuri i cilido shteti të madh të Ballkanit.  

Së pari, po nga ajo që unë me vite të tëra e ndjek muzikën tënde dhe kënaqem me të. Pikërisht derisa po i shkruaj këta rreshta, në prapavi po e dëgjoj këngën më të re „Un dia“. Është e mrekullueshme! Gjithashtu jam e vetëdijshme që shumë të rinj nga Serbia dhe i tërë Ballkani i duan këngët tua dhe e respektojnë atë që ti bën dhe krijon, dhe sinqerisht presin rastin që të të dëgjojnë live. Po ata të rinj e ndien veten të ofenduar me postimin tënd për Shqipërinë e Madhe në rrjetet sociale. Për një arsye të vetme: neve në Ballkan na mjaftojnë gjëra të tilla që të nisin urrejtje dhe të krijojnë edhe një ndarje tjetër. Pikërisht kjo ka ndodhur me postimin tënd. Derisa shqiptarët kryesisht e kanë mbështetur veprimin tënd, nga ana tjetër serbët, maqedonët dhe malazezët e ndien veten të sulmuar sepses në atë flamur janë përfshirë edhe pjesë të shteteve në të cilat ata jetojnë. Unë e kam të qartë, e dashura Dua, që postimi ka pasur për qëllim të shpjegojë se ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Por flamuj të tillë dhe vendosja e kufijve të rinj nuk është diçka që tek ne në Ballkan është e pranueshme dhe e mirëseardhur. Siç e di edhe vetë, ky regjion ka përjetuar shumë gjëra. Shumë luftëra dhe vuajtje që janë nisur pikërisht me dëshirën për shtete të mëdha, vendosjen e kufijve të rinj, me fjalime të urrejtjes. Po ato luftëra kanë marrë jetët e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, kroatëve, maqedonëve, malazezëve, sllovenëve… Po ajo e njëjta luftë paraqet traumë për të gjithë ne së bashku. Prandaj sot, të gjithë së bashku, e në veçanti gjenerata së cilës i përkasim ne të dyja, duhet të bëjë gjithçka që është e mundur që tmerre të tilla të mos përsëriten, të bëjë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë. Nëse më pyet mua, një gjë e tillë nuk arrihet me vendosjen e flamurit të Shqipërisë së Madhe. Edhe pse ndoshta ky nuk ishte qëllimi yt, ai gjithsesi shkaktoi reagime të këqija dhe të vrullshme. 

Duke e pasur parasysh që momentalisht je një nga këngëtaret më të popullarizuara në botë – për çka unë të përgëzoj – dhe që ndikimi yt është jashtëzakonisht i madh, do të doja të shoh që je krenare me shtetin nga i cili vjen, por që me këtë të mos e cenosh askënd tjetër. Këtu qëndron thelbi i respektit reciprok dhe lirisë së fjalës. Aty qëndron esenca e bashkëjetesës paqësore. Thjesht, tek ne në Ballkan gjithçka që i kalon kufijtë e kësaj mund të përshkallëzojë, mund të sjellë vetëm debate të reja, urrejtje dhe konflikte.  

Për këtë arsye, me këtë rast kam vetëm një porosi: në vend të postimeve që shkaktojnë konflikte dhe ndarje, duhet shpërndarë gjëra që sjellin deri tek uniteti. Në vend që të mbështesim gjëra që na ndajnë, duhet të vihen në dukje ato gjëra që na bashkojnë. Në fund të fundit, a nuk është muzika diçka që duhet të na bashkojë? A nuk i shërben kultura kësaj? Unë do të thosha – definitivisht po. Prandaj, vazhdo të merresh me muzikë dhe herën tjetër kur të vendosësh gjëra që ndikojnë në miliona e miliona përcjellës të tu, pyete veten nëse një postim i tillë mund të krijojë ndarje dhe të shkaktojë urrejtje. Tek ne në Ballkan, kjo gjë lehtë ndodh.  

Në fund, unë sinqerisht do të doja që të të shoh në festivalin EXIT në Serbi. Siç kemi filluar, duket që kjo do të jetë pika përfundimtare e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve.

Deri atëherë, le të punojmë së bashku po për këtë pajtim, të shpërndajmë dashuri midis njerëzve dhe të mos i mbështesim përçarjet. Le të përpiqemi të promovojmë pak më shumë unitet e pak më pak urrejtje. Do të ishte mirë që gjeneratat tona të ardhshme dhe të reja të kenë si model dikë që promovon paqe, sepse asi të tjerë ka tepër dhe sinqerisht mendoj që nuk kemi nevojë për më shumë.  

Përshëndetje,

Nevena

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.