Lojë fronesh

Jemi dëshmitarë që ditëve të fundit një nga titujt kryesorë në Kosovë është ajo se kush do të jetë presidenti i ri i republikës. Por, meqenëse tek ne pothuajse asgjë nuk mund të kalojë pa protesta dhe trazira, edhe kjo ngjarje nuk bën përjashtim.

0
1082

Jemi dëshmitarë që ditëve të fundit një nga titujt kryesorë në Kosovë është ajo se kush do të jetë presidenti i ri i republikës. Por, meqenëse tek ne pothuajse asgjë nuk mund të kalojë pa protesta dhe trazira, edhe kjo ngjarje nuk bën përjashtim.

Natyrisht është e qartë që jemi duke folur për kandidaturën e zotit Thaçi për postin e presidentit të Kosovës dhe për gjitha ato që kanë ndodhur më vonë në Parlamentin e Kosovës, nëpër rrugë dhe në fund edhe në opinioni publik të Kosovës me rastin e kësaj kandidature.

Për tërë këtë duhet të flasim nga disa këndvështrime sepse vetë tematika është tejet e ndërlikuar dhe kërkon një qasje sa më të qartë dhe më të paanshme që të jetë e mundur për shkak se bëhet fjalë për një funksion që, edhepse në bazë të Kushtetutës nuk ka kompetenca të mëdha, në kuptimin politik luan një rol të madh për shkak se simbolizon unitetin e popullit në çdo kuptim të kësaj fjale.

Vetë kandidatura e zotit Thaçi nuk paraqet problem sepse sipas Kushtetutës secili qytetar ka të drejtë të kandidohet dhe të emërohet në postin e Presidentit të cilin e zgjedh Parlamenti i Kosovës. Në vetvete ky është një rast i veçantë në gadishullin ballkanik sepse në shumicëne shteteve fqinje presidenti zgjedhet drejtpërsëdrejti në zgjedhje por ky nuk është problemi thelbësor në situatën e sapokrijuar.

Zoti Thaçi është vetvetiu një personalitet që shkakton kontraversione të llojit të vet për arsye se ai ka dalë nga shablloni ushtarak i UÇK-së, që përmes karrierës së tij politike, të cilën e ka ndërtuar mbi lavdinë e fituar gjatë luftës, t’i prezantohet popullit si subjekt politik i cili premton shumë. Siç e dimë, lufta e vitit 1999 ka lënë pas vetes shumë çështje të pazgjidhura, e njëra prej tyre është edhe dënimi i individëve për krime ndaj popullatës serbe dhe popullatës tjetër jo-shqiptare gjatë luftës të cilat as sot e kësaj dite nuk janë shqyrtuar përveç disa rasteve të caktuara siç ishte ai i Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, por kjo është vetëm një pjesëz e vogël e asaj që kërkohet me proceset gjyqësore. Nëse e rikujtojmë, gazeta Zëri atëbotë botoi një listë të individëve që do të mund të gjenden në listën e të akuzuarve për krime gjatë luftës midis të cilëve u gjend edhe kandidati aktual për President të Kosovës, zoti Thaçi. A fshihet këtu shkasi për kandidaturë, në mënyrë që të fitohet imuniteti politik dhe diplomatik prej ndjekjes penale, mbetet të shihet por është evidente që kjo është gjëja e parë që u bie në sy vrojtuesve të heshtur.

Në anën tjetër, mund të arrihet tek përfundimi që kandidatura e zotit Thaçi është shkaktuar me një manovër politik të llojit të vet në mënyrë që rezultatet e negociatave në Bruksel – të cilat sipas disa informatave po shkojnë kah përfundimi (gjë që është pak e besueshme) – t’i mvishen një individi të caktuar, në këtë rast zotit Thaçi. Natyrisht që edhe zgjedhja e tij për President të paraqitet si një shpërblim i caktuar për të gjitha ato që janë bërë në promovimin e Kosovës dhe arritjen e marrëveshjeve të përhershme obligative me Serbinë sepse është evidente që gjatë vetë negociatave në ekipin e Kosovës figura udhëheqëse ka qenë zoti Thaçi, e ku një rol tejet të rëndësishëm ka luajtur edhe Kryeministri Mustafa. Dhe natyrisht mbetet të shohim se sa do të jetë i aftë zoti Thaçi të ruajë unitetin e popullit të Kosovës, sepse posti i Presidentit e nënkupton këtë si qëllimin themelor, kur të kemi parasysh protestet e mëdha të opozitës që po e shoqërojnë kandidaturën e tij e të cilat janë karakterizuar si më masivet që nga lufta e vitit 1999.

Ajo çka mua personalisht më bie në sy është që gjithnjë e më tepër po flitet për një mbështetje të caktuar të deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës për zgjedhjen e tij në postin e Presidentit. A bëhet fjalë këtu vetëm për pazar politik ashtu që përmes kësaj t’i sigurohet komunitetit serb më shumë apo bëhet fjalë për diçka shumë më të rëndësishme mbetet të shihet por është indikative që bëhet fjalë për një manovër politike të llojit të vet edhe të palës shqiptare edhe asaj serbe që në një mënyrë tregon se shoqëria në Kosovë është bërë më e pjekur pa marrë parasysh mbamendjen kolektive të popullit serb në Kosovë lidhur me aktivitetet e luftës të zotit Thaçi.

Ajo që me siguri mund të themi është se edhe vetë kandidatura e zotit Thaçi për postin e presidentit paraqet një maje të karrierës së tij politike dhe vetvetiu kjo paraqet për të personalisht një ngjarje të madhe. Gjithsesi mbetet të shihet në periudhën e ardhshme se sa do të jetë i gatshëm zoti Thaçi që të kacafytet me problemet e tanishme të shoqërisë kosovare midis të cilave është edhe dialogu ndëretnik i palës shqiptare dhe serbe e i cili nenkupton një pajtim qenësor të të dyja palëve, që është bazë për ndërtimin e një ardhmërie më të ndritshme për të gjithë ne që kemi qëllim të mbetemi dhe të jetojmë në Kosovë. Zoti Thaçi, nëse zgjidhet në postin e Presidentit, do të duhet të jetë President i të gjithë qytetarëve të Kosovës e sa do të jetë i aftë të kryejë këtë funksion në këtë drejtim mbetet të shihet në të ardhmen.