Manifesta në Mitrovicë 

Artistja Stanislava Pinchuk, e cila është nga Ukraina por banon në Sarajevë, ka krijuar një skulpturë, “Evropa Pa Monumente,” që funksionon si një pavijon në lumin Ibër ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. New Perspektiva (NP) ka zhvilluar një intervistë me Pinchuk-un rreth krijimit të skulpturës, se si lajmet për pushtimin e Ukrainës patën ndikim tek ajo gjersa po krijonte skulpturën dhe se si e sheh ajo Mitrovicën.

0
319

Ekspozita nomade bienale e artit evropian, Manifesta, u hap në Prishtinë më 31 korrik. Ekspozita rrugëton çdo dy vite në vende të ndryshme anekënd Evropës, në përpjekje për të krijuar “dialog midis artit dhe shoqërisë.” Ajo kërkon qëllimshëm “qendra jombizotëruese të artit” dhe provon të eksplorojë territore të reja në shoqëri e art.

Por teksa është mbuluar për 100 ditë me art dhe ekspozita, Prishtina nuk është qyteti i vetëm në Kosovë ku mund të përjetosh Manifestën. Artistja Stanislava Pinchuk, e cila është nga Ukraina por banon në Sarajevë, ka krijuar një skulpturë, “Evropa Pa Monumente,” që funksionon si një pavijon në lumin Ibër ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovisës së Jugut; e frymëzuar nga thënia e arkitektit të famshëm serb Bogdan Bogdanović: “Ëndërroj një Evropë pa monumente. Me këtë, dua të them pa monumente të vdekjes dhe katastrofës. Mbase konstrukt filozofik: monumente për dashurinë, gëzimin, shakatë dhe të qeshurave.”

Bodanović, i cili pati krijuar monumente të shquara anëpëranë ish-Jugosllavisë, duke përfshirë monumentin e njohur të Minatorëve që duket mbi Mitrovicë, e urrente nacionalizmin e epokës së Milošević-it dhe ndihej i trishtuar se puna e tij ndoshta kishte kontribuuar në ndonjë mënyrë për ta mbështetur Milošević-in.

Banorët vendës – posaçërisht në jug – e duan skulpturën interaktive që hap lumin drejt tyre. “Mua më pëlqen, ende s’e kam vizituar, por do të shkoj së shpejti,” më tha njëri. Megjithatë, shumë njerëz në veri kanë pak njohuri për të, mirëpo kanë ende mundësi ta shohin e të ndërveprojnë me të nga ana e tyre. Në mediat në gjuhën serbe deri tani nuk ka pasur asnjë mbulim.

New Perspektiva (NP) ka zhvilluar një intervistë me Pinchuk-un rreth krijimit të skulpturës, se si lajmet për pushtimin e Ukrainës patën ndikim tek ajo gjersa po krijonte skulpturën dhe se si e sheh ajo Mitrovicën.

NP: A mund të na shpjegoni procesin prapa skulpturës? E di se keni bërë hulumtime për komunitetet, luftën dhe, natyrisht, thënien e njohur të Bogdanovićit, por u deshën gjashtë muaj për ta realizuar atë, me sa kuptoj.

Pinchuk: Kuratori i projektit tim, Petrit Abazi – i cili ështe rritur në këtë qytet – më ftoi të krijoja një vepër për Mitrovicën. Ftesa ishte shumë e hapur; dhe ideja jonë erdhi nga shumë bashkëbisedime, punë në terren dhe hulumtime. Ishte një dhuratë e mirëfilltë të më afroheshin pa ndonjë ide të paracaktuar, dhe tani mund të them me shumë vetëbesim se, kur nisëm bisedat, Petriti definitivisht nuk priste të krijonim një fushë loje pesëtonëshe brenda lumit.

Vepra, në fund, u ngjason formave të një memoriali prej betoni të vendosur sipër qytetit, duke përdorur skela. Në vend të kopjimit të formës së saj prej porte, të tri pjesët janë ngjitur dhe hapërdarë rrëmujshëm përbrenda lumit që kalon nëpër Mitrovicë – sikur një fëmijë të luante me ca blloqe ndërtimi.

Brenda strukturës ndodhen hije të pavijonit dhe stole publike, dhe në skelë njerëzit mund të ngjiten e të luajnë.

Një ndër frymëzimet kyqe për ne ishte konkretisht kjo thënie nga arkitekti i monumentit origjinal, Bogdan Bogdanović – humanist dhe intelekual i madh, i cili në intervistën e tij të fundit theksoi se s’do të kishte dashur kurrë të kishte ndërtuar monumente të tilla tragjedie. Dhe se, afërmendsh, këso monumente për paqe e bashkim, përsëri, u ngarkuan me tradhti ca dhjetëvjeçarë më vonë – dhe madje për Bogdanovićin vetë, teksa kaloi në mërgim pjesën e fundit të jetës si kritik i shquar publik i Miloševićit.

Ndaj, për mua, vepra u bë goxha shumë për hapësirën e vështirë dhe boshe që mbetet nga monumente të tilla të rënda (metaforikisht dhe mirëfilli). Monumente nga një kohë kur Evropa, si kontinent, tha me dhimbje “kurrë më.”

Dhe, sigurisht, ajo çfarë nënkupton kjo kur shohim Kosovën, kur shohim Bosnjën, ku unë jetoj tash – kur sot shohim Ukrainën – atdheun tim. Pra, ishte ndoshta njëfarë gjesti shprese dhe mbijetese – që përkundër një tragjedie dhe dështimi të tillë, të ndërtohet një monument për optimizmin dhe harenë, qoftë edhe një zhguall skeleti, siç po rrethohen monumentet në Evropë përsëri me skela dhe thasë rëre.

NP: Çfarë mbresa doni që të kenë komunitetet të cilat bashkëveprojnë me të?

Pinchuk: Mitrovica është e rrethuar nga një natyrë dhe gjelbërim i hijshëm, ndonëse vetë qytetit i mungojnë deri diku hapësirat e gjelbra publike, në të dyja brigjet. Andaj, më së shumti doja që të çoja më tej hapësirën publike, por në mënyrë goxha lozonjare.

Ndanë urës kryesore, uji është mjaft i cekët – dhe jam prekur shumë nga fakti se si njerëzit dhe kafshët mblidhen te lumi për t’u shëtitur, për të luajtur, për t’u relaksuar, të takojnë shoqi-shoqin, veçanërisht nga fundi i ditës. Të moshuarë, fëmijë, familje, grupe të rinjsh, miq, takime pune, shëtitës qensh, qenë endacakë. Andaj doja ta kremtoja këtë dhe t’i jepja kësaj përditshmërie më tepër hapësirë për t’u rritur dhe luajtur brenda këtij kufiri fluid dhe kësaj hapësire të larmishme.

Kësodore, ajo çfarë dua për qytetin është, në fakt, asgjë udhëzuese. Vepra është thjesht një ide, një propozim i përkohshëm. Nuk është e përhershme apo tepër edukative – mund të përdoret si duan njerëzit, organikisht, e që u përshtatet ritmit dhe nevojave të qytetit.

NP: Vepra juaj në përgjithësi është frymëzuar nga peizazhi dhe elementet e natyrës. Si ju frymëzoi konkretisht lumi Ibër?

Pinchuk: Ishte ide ambicioze, por edhe Petriti, edhe unë, Piers Greville gjithashtu – artisti tjetër në ekipin tonë që krijoi një vepër tjetër në drejtimin e kundërt të lumit, të gjithë donim të punonim midis lumit. Në asnjërën anë, por në këtë hapësirë lidhëse e fluide e cila  nuk mund të ndahet aq qartë si dy brigjet tokësore.

Lumi vetë, duhet theksuar, është jashtëzakonisht i bukur. Ky ishte frymëzim i stërmadh, ashtu siç është. Më pëlqen sidomos pjesa ku uji pranë Jugut është i cekët pranë veprës sime, dhe është aq i kthjellët e i freskët kur fut këmbët aty. Dhe më pëlqen pjesa më e thellë drejt Veriut, ku kemi vendosur në mënyrë shumë strategjike stola ku mund tu uleni mbi një rrjedhë më të fortë uji, dhe ta ndjeni tek kalon e gurgullon poshtë jush teksa derdhet.

Dhe më pëlqen sesi perëndimi i diellit bie nëpër vend. Uji thjesht rrëzëllen aq mrekullisht – dhe është shumë bukur të shohësh skelën tek vezullon me të.

NP: A ka ndikuar dhe si ka ndikuar në punën tënde ajo çfarë po ngjan tani në Ukrainë?

Pinchuk: Është pyetje shumë e vështirë për t’i dhënë përgjigje – është vështirë t’i shohësh gjërat kthjelltësisht. Çdo ditë vjen me një frymë shqetësimi dhe kështu do të vijojë më shumë sesa shpresoj unë. Ka shumë përgjigje që s’do t’i kem për një kohë të gjatë – dhe disa, ndoshta kurrë.

Përgjigjja e vetme që kam është se, dorën në zemër, kam bërë një pushim nga gjithçka që kam punuar, përpos këtij projekti. Unë dhe Petriti erdhëm me një koncept tepër të realizuar gati një javë para agresionit në shkallë të plotë, dhe atëkohë, natyrisht, po diskutonim tetë vitet e fundit të luftës në Ukrainë – ç’do të thotë të jesh nga Kharkivi, të jesh nga Mitrovica, të jetosh në Sarajevë, e kështu me radhë.

Ne ishim bashkë në një takim kur dolën lajmet për agresionin, dhe mendoj që në trishtimin e madh dhe shumë lotët që kemi derdhur që nga ai çast, ka pasur solidaritet të madh të cilin e kemi drejtuar në pikëllimin dhe optimizmin e kësaj vepre.

NP: Cili është reagimi më i mirë që keni pasur për skulpturën deri më tani?

Pinchuk: Në fillim më është dukur shumë interesant që monumenti i Bodanovićit nuk duket se kishte një emër të përveçëm, por një listë të gjatë emrash disi zyrtarë e jozyrtarë si në shqip, ashtu edhe në serbisht; Monumenti i Minatorëve, Monumenti i Minatorëve të rënë, Memoriali i Partizanëve, Skara e Gjigandit, Skara e Jashtëtokësorëve, Porta, e kështu me radhë.

Kësisoj, jam tepër e lumtur që askush në qytet me sa duket nuk e quan veprën sipas titullit tim – por e quajnë me emra të tillë si “monumenti kreativ,” “monumenti në lum,” “platforma,” “plazhi,” dhe “skena atraktive.”

Në arkitekturë, shpeshherë thuhet se hapësira publike nuk krijohet, por vendoset. Ndaj, ky, për mua, ka qenë reagimi më i mirë – veç për ta parë thjesht të përdorur, dhe për të krijuar një jetë dhe listë nofkash të veta. Kjo njëmend m’i ka mbushur sytë me lotë!

NP: Si kanë punuar të dyja komunat, Mitrovica e Veriut dhe e Jugut, për ta bërë të mundur këtë?

Pinchuk: Më duhet të them se jam shumë mirënjohëse për punën e madhe të kuratorit të projektit tim, Petrit Abazit, ekipit të prodhimit të Manifestës dhe, mbi të gjitha, Drejtoreshës për Kulturë të Mitrovicës së Jugut, Valdete Idrizi. Pa të, ky projekt nuk do të ishte i mundur.

Megjithëqë Valdetja kishte vetëm pak javë në pozitën e re, kur ne i propozuam projektin tonë, ajo është aktiviste e palodhur dhe organizatore e komunitetit, me dhjetëvjeçarë pune të rënde e lidhje të thella në Mitrovicë, e cila arriti të lidhej gjerësisht me kolegët e saj në Jug dhe në Veri për idetë tona, në departamente të ndryshme, nga drejtoria për Planifikim Urban deri te ministritë e Mjedisit e Kulturës, si dhe në nivelin qendror, marrë parasysh se ne po punonin brenda një hapësire ujore.

NP: Cila ishte pjesa më e vështirë për ta realizuar këtë projekt?

Pinchuk: Pjesa më e vështirë e projektit ishte se lumi mund të lëvizë; ai rrjedhë me mendje të vetën. Andaj nuk mjafton të orientosh një situatë delikate politike dhe sfera të ndryshme burokracie – duhet po ashtu të ndërtosh njëherësh 5,000 kg metali brenda një hapësire ujore në rritje dhe lëvizëse, e cila është sfidë shumë e madhe logjistike. Me çdo ditë ndërtimi, lumi sillte pengesa dhe zgjidhje të reja, çka kërkonte shumë ekspertiza dhe konsultime të ndryshme, dhe vendimmarrje ngazëllyese nën presion të lartë.

NP: A e ka ndryshuar i tërë projekti mënyrën se si e shihni Mitrovicën?

Pinchuk: Jam prekur shumë nga ftesa e Petritit, i cili zhvilloi punimin me mua me intensitet e përkushtim të madh, për të punuar në Mitrovicë. Në këtë bashkëpunim, mendoj se e kemi shtyrë njëri-tjetrin në rrugë të mëdha, për ta parë qytetin përmes syve të njëri-tjetrit, dhe natyrisht, përmes gjithë dialogjeve të zgjeruara që duhej të zhvillonim.

Porsi Bogdanovići, që të dy besojmë shumë në jetën e amshueshme të qyteteve, të lindur e të rritur si qytetarë urbanë, prandaj nuk do të thoja se pati ndonjë ndryshim perceptimi për ne, por më shumë një ndjenjë graduale dhe thelluese për shtresat, ritmet dhe ngjyresat e qytetit. Hapësirat urbane janë të dendura dhe të komplikuara, asnjëherë të njohura tërësisht, madje as nga banorët më të zellshëm, dhe këtu qëndron magjia e tyre.