Marrëveshja e Brukselit: dy vite më vonë

Ky raport është shkruar në bazë të hulumtimit të cilin e ka kryer Organizata e shoqërisë civile „Kosovan Nansen Dialogue“, rezultatet e të cilit i ka pa prezantuar muajin e kaluar. Tema e hulumtimit ishte: „Marrëveshja e Brukselit – dy vite më vonë“ dhe është kryer në nëntor 2014. Gjithashtu, duhet të theksohet që hulumtimi me temën e Marrëveshjes së Brukselit është bërë edhe një vit më herët, pra më 2013 dhe që përmes kësaj përmbledhjeje do të bëjmë krahasimin e rezultateve të marra nga të dy raportet.

0
1058

Ky raport është shkruar në bazë të hulumtimit të cilin e ka kryer Organizata e shoqërisë civile „Kosovan Nansen Dialogue“, rezultatet e të cilit i ka pa prezantuar muajin e kaluar. Tema e hulumtimit ishte: „Marrëveshja e Brukselit – dy vite më vonë“ dhe është kryer në nëntor 2014. Gjithashtu, duhet të theksohet që hulumtimi me temën e Marrëveshjes së Brukselit është bërë edhe një vit më herët, pra më 2013 dhe që përmes kësaj përmbledhjeje do të bëjmë krahasimin e rezultateve të marra nga të dy raportet.

Hulumtimi është kryer me metodën e grupeve të fokusit. Këto grupe fokusi janë organizuar edhe në veri të Kosovës si dhe në jug në komunat Graçanicë, Shtërpcë, Ranilluk dhe Ferizaj. Të anketuarit, pjesëmarrës të këtyre grupeve të fokusit, kanë qenë serbë nga komunat e përmendura. Strukturën e grupeve të përmendura e përbënin studentë nga këto komuna, punëtorë në sektorin publik, si dhe punëtorë në sektorin civil. Të gjitha grupet e fokusit përfshijnë 60 persona, kështu që mund të diskutohet nëse ky është një model reprezentativ, meqenëse hulumtimi ka përfshirë tërë Kosovën.

Tek të gjitha grupet e të anketuarve, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për studentët, punonjësit në sektorin publik apo civil, banorët e komunave në veri apo në jug, mund të vërehet një pakënaqësi e përgjithshme me Marrëveshjen e Brukselit, edhepse janë përmendur edhe disa anë pozitive të saj, para së gjithash nga ana e njerëzve nga jugu i Kosovës. Në të vërtetë, shumica e pjesëmarrësve në hulumtim theksuan që i tërë procesi i bisedimeve dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ka qenë më shumë se jotransparent, si dhe që njerëzve në jetën e të cilëve do të shkaktojë ndryshime kjo Marrëveshje nuk u është shpjeguar në mënyrë adekuate se çka në të vërtetë sjellë kjo Marrëveshje. Nuk ka qenë e qartë as në vitin 2013 kur është folur shumë për këtë Marrëveshje; atëherë ekzistonte droja nga ekzodi, frika e përgjithshme edhe për siguri edhe për vende të punës dhe diploma, e thonë që nuk është shumë më e qartë as një vit më vonë; përkundrazi, vetëm sa ka rënë interesimi i opinionit dhe Marrëveshja e Brukselit madje nuk është më ndonjë temë. Gjithçka që dihet është në domenin e spekulimeve dhe disa ndryshime të vogla që kanë ndodhur, para së gjithash në veri dhe para së gjithash politike. Kur thonë ndryshime politike këtu pikësëpari mendohet në zgjedhjet e mbajtura lokale dhe parlamentare në veri të Kosovës, ku deri me nënshkrimin e marrëveshjes nuk janë mbajtur zgjedhje të shpallura nga Presidentja e Kosovës. Njerëzit janë gjithashtu të zhgënjyer sepse gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ishin paralajmëruar zëshëm investime të mëdha nëpër mjediset serbe në Kosovë, veçanërisht në veri, sipas të gjitha gjasave sepse ishte edhe politikisht më e rëndësishme që njerëzit në veri ta pranojnë dhe të fillojnë ta implementojnë Marrëveshjen, mirëpo, një vit e gjysmë pas kësaj e kuptojnë që këto kanë qenë premtime të kota dhe që (bile deri më tani) asgjë nga ato nuk është përmbushur.

Ekziston edhe një pasiguri e madhe tek njerëzit sa i përket çështjes së vendeve të tyre të punës që i financon Republika e Serbisë, çështjes së mbijetesës së Universitetit në Mitrovicën e Kosovës dhe njohjes së diplomave të atij universiteti, frika nga migracioni; të gjitha këto janë probleme që jo vetëm se nuk janë zhdukur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, por në të vërtetë janë thelluar edhe më.

Midis popullatës studentore brenga më e pranishme është se a do t’u pranohen diplomat që do t’i marrin/i kanë marrë në Universitetin e Mitrovicës së Kosovës: „Brengosemi shumë për atë se a do të na pranohen diplomat tona. Çka nëse nuk i njohin ato diploma, për çka kemi studiuar 4 vite, cila është perspektiva jonë këtu?! Çfarë porosie po na dërgojnë“?! Megjithatë, edhe përkundër kësaj që u tha, studentët gjatë këtij hulumtimi shprehën shpresën që çështja e diplomave do të zgjidhet në periudhën e ardhshme. Po ashtu, një studente nga Zveçani thotë: “Mua pikësëpari më pengon që vendi im më ka vendosur në rolin e qytetarit të rendit të dytë. Nuk kam mundur të marrë asnjë vizë. Në Prishtinë më kanë thënë, në Ambasadën e Gjermanisë, që kur të nxjerr letërnjoftimin dhe pasaportën e Kosovës do të mund të marrë vizën për cilindo vend që dëshiroj. Gjithnjë e më shumë ka studentë që situatën në veri të Kosovës e komentojnë në këtë mënyrë: „Këtu gjithçka po na ngulfat. Sapo të dalim nga shtëpia, ne jemi të kufizuar. Nuk ka punë, as nuk ka çkado tjetër. Ky është një mjedis i vogël e për disa vite kur Marrëveshja e Brukselit të implementohet plotësisht, ne nuk do të kemi perspektivë.“

Në mesin e punonjësve në sektorin publik në anën tjetër, brenga më e madhe është e lidhur me ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës. Thonë se me vetë mbylljen e komunave që i ka financuar Serbia po humben më tepër se 100 vende pune, gjë që në vende të këtilla kaq të vogla ka pasoja shumë të mëdha. Pyesin edhe çka do të ndodh me sigurimin pensional dhe shëndetësor. A ka dikush që t’iu garantojë tani ato të drejta dhe ku t’i sendërtojnë ato. Të gjitha këto çështje në masë të madhe ndikojnë në mundësinë e mbijetesës dhe në vetë qëndrueshmërinë e mbetjes së tyre në Kosovë.

Tek përfaqësuesit e shoqërisë civile mbizotëron një dozë më optimiste. Ata janë të bindur që komuniteti serb do të arrijë t’i fitojë të drejtat e veta në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, si dhe mendojnë që ajo marrëveshje është më së shumti çfarë pala serbe në negociata ka mundur të fitojë. Unë nuk do të pajtohesha me këtë konstatim, para së gjithash për arsye se pala serbe është dashur të marrë garanci më të fuqishme për implementim, nëse të asgjëje tjetër, atëherë së paku të asaj që është dakorduar. Jemi dëshmitarë të asaj që as pas një viti e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes nuk ka filluar formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, dhe as që e ka të qartë ndokush se çka do të përfaqësojë ajo, në çfarë mënyre do të veprojë dhe çfarë kompetenca do të ketë.

Aspekti psikologjik i tërë këtij rrëfimi është gjithashtu tejet i rëndësishëm. Njerëzit janë tepër të ngarkuar me politikë, me tema të mëdha, me çështje madhore nacionale, e në të vërtetë kanë preokupime edhe më të mëdha se si të sigurojnë ekzistencën për vete dhe familjet e tyre, si të lëvizin lirisht, të flasin lirisht, të shprehin besimin e tyre. Po ua kujtoj që njerëzit në jug të Kosovës ende duhet të paguajnë sigurim gjatë kalimit në Serbi, gjë që sigurisht ndikon negativisht në lirinë e lëvizjes, edhepse kjo zgjidhje është arritur pikërisht me qëllim që të mundësojë lirinë e lëvizjes nga të dy anët e kufirit. Ky sigurim nuk është aspak i lirë e shumë njerëz janë të lidhur në mënyra nga më të ndryshme me Serbinë. Disa i kanë atje anëtarët e familjes, disa kanë prona të cilat i punojnë, disa vendin e punës. E tërë kjo është një barrë tepër e madhe si psikike ashtu edhe financiare. E natyrisht, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit është premtuar që kjo do të zgjidhet shumë shpejt dhe që kjo është vetëm një zgjidhje kalimtare.

Përfundimi i përgjithshëm që mund të nxirret në bazë të këtij hulumtimi është që Marrëveshja e Brukselit duhet definitivisht t’iu afrohet njerëzve, t’iu shpjegohet konkretisht çka paraqet ajo për secilin prej tyre, si ndikon ajo në jetën e secilit prej tyre. Vetëm atëherë njerëzit do të jenë më të qetë dhe do të kenë mundësi të mendojnë për ardhmërinë e tyre në Kosovë me siguri shumë më të madhe sesa që ka qenë rasti gjatë kësaj periudhe prej një viti e gjysmë. Tek të gjithë ata njerëz edhe përkundër pakënaqësisë së mbledhur mund të vërehet shpresa për ditë më të mira, shpresa për ruajtjen e vendeve të punës, për njohjen e diplomave, në përmirësimin e situatës së sigurisë, siç e kanë vërejtur tashmë përmirësimin e gjendjes urbanistike në Mitrovicën e Kosovës.

Derisa të mos ndodh kjo, do të mbretërojë apatia, mungesa e shpresës dhe një numër i madh i njerëzve të rinj edhe më tutje do të largohen nga Kosova në kërkim të një perspektive më të mirë për veten e tyre.
(Edhe një herë e falënderojmë “Kosovan Nansen Dialogue” që na i vuri në dispozicion raportet e saj.)