Marrëveshja ‘finale’ Kosovë-Serbi mund të bëhet, por të zgjasë veç deri vitin tjetër

Palët mund të pajtohen në parim për një marrëveshje të mundshme finale, por ky parim do të rravgohej sapo të kryheshin zgjedhjet amerikane, për t’i lëshuar vend menjëherë retorikës nacionaliste kundërshtuese në Serbi e në Kosovë.

0
620

Kosova e ka një kryeministër të ri, e me të edhe një qasje të re për dialogun me Serbinë. Kjo qasje është thënë nga kryeministri se do të jetë e kujdesshme, e matur, dhe me shikimin të kthyer prapa kah marrëveshjet e arritura deri tash. Pra, dialogu do të zhvillohej më me avash se nga qeveritë e kaluara. Por, në të njëjtën kohë që kryeministri i ri e i ngadalshëm për dialog u zgjodh, presidenti amerikan Donald Trump e zgjodhi një të dërguar për këtë dialog, për t’i dhënë një të shtyrë të fortë që dialogu të shpejtonte.

Kurti madje kishte premtuar edhe se do t’i çonte Serbisë një listë kërkesash, në majë të së cilës do të ishte kërkimfalja për krimet e luftës, por më vonë duket se ndërroi mendim.

Ardhja e Richard Grenell e ka shtuar angështinë në politikën kosovare. Kurtit do t’i duhet që jo vetëm të ulet në tavolinë me Serbinë, por edhe të heqë taksën ndaj saj, si dhe të vendosë të premtuarin Reciprocitet.

E Reciprociteti nuk është aq i lehtë për t’u vendosur. Serbia zbaton barriera jotarifore ndaj eksporteve të Kosovës përmes inspektorëve sanitarë dhe testimeve të ndryshme. Kjo e bën të zorshme implementimin e kësaj mase madje edhe në planin e brendshëm. Pse? Sepse Kosova do të duhej të bënte dhjetëfish më shumë inspektime e testime të eksporteve të Serbisë, sepse mallrat që i eksporton Serbia në Kosovë janë dhjetëfish më shumë se ato që i eksporton Kosova drejt Serbisë. Mos të flasim pastaj edhe për reciprocitetin politik. 

Nëse kryeministri Kurti ia del që t’i rrisë kapacitetet e Kosovës për ta implementuar Reciprocitetin, prapë, mund të përballet me kundërshtimin e Serbisë për t’u kthyer në tavolinën e dialogut. Bile, Serbia tashmë e ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj një mase të tillë. Madje, reciprocitetin e ka kundërshtuar edhe i dërguari i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Kësisoj, politika kosovare është e ndarë. Në një anë e kemi kryeministrin Kurti që kërkon të mos ngutemi në dialog. Dhe në tjetrën i kemi të gjitha partitë e tjera politike kosovare, përfshirë edhe partnerin e Kurtit në qeveri, LDK-në, që kërkojnë të ngutemi në dialog dhe të mos prishim marrëdhëniet me SHBA-të.

Por, çka po kërkon i dërguari i Trumpit në Kosovë?

Marrëveshje. Madje, sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që të shërbejë si një ndër pikat për të cilat Donald Trump do të krekoset në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në Amerikë. Por, çfarë marrëveshjeje? E këtu çështja komplikohet tepër shumë.

Aleksandër Vučić, presidenti i Serbisë, deklaroi se Serbia mund të detyrohej që ta njihte Kosovën brenda këtij viti. Por, deklarata të tilla ai ka dhënë edhe në vitet e kaluara, e megjithatë asnjë detyrim i tillë nuk ka ndodhur. Vučić menjëherë gjente hapësirë për të rritur popullaritetin e tij përmes deklarimeve patriotike, e në të cilat vërehej se marrëveshja ishte larg.

Unë nuk besoj që Richard Grenell e di se si duket marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe nuk besoj as që i bën për një gjë të tillë. Për rrjedhojë, marrëveshja finale mund të quhet përnjëmend marrëveshje finale, por të mos jetë e tillë duke pasur karakter të përkohshëm dhe elektoral për zgjedhjet presidenciale amerikane. Palët mund të pajtohen në parim për një marrëveshje të mundshme finale, por ky parim do të rravgohej sapo të kryheshin zgjedhjet amerikane, për t’i lëshuar vend menjëherë retorikës nacionaliste kundërshtuese në Serbi e në Kosovë.

Marrëveshja e përnjëmendtë finale nuk është afër. Ajo nuk duket asgjëkundi në horizont. Sepse, marrëveshjet nuk mund të bëhen përngutshëm, dhe aq më pak nga njerëz si Grenell të cilëve nuk iu bën as për serbë e as për kosovarë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.