Me politikë kundër shërimit

Sado që kishte indikacione se pandemia na afroi pak dhe se po kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, duket se politikanët tanë nuk i ka lëvizur shumë nga vendi. Grindjet dhe betejat politike ende mbesin primare, kurse solidariteti dhe jeta e zakonshme njerëzore janë edhe më tej në margjina dhe varen nga vendimi se cila lojë politike do të jetë në rend të nesërmen.

0
455

Tanimë ka kaluar më shumë se një vit që nga shfaqja dhe identifikimi i virusit të ri COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, po luftojmë me situata të cilat për shumë njerëz janë të panjohura dhe të vështira. Duke filluar nga vetë frika nga virusi, humbja e njerëzve të dashur, e deri tek kufizimi i lëvizjes dhe takimeve me ata që i duam. Jetojmë në një periudhë e cila nuk është e lehtë për askënd në botë dhe e cila, mbi të gjitha, kërkon empati dhe solidaritet. Në tërë këtë, që nga fillimi i pandemisë, të gjithë shpresojmë që fundi i kësaj do të vijë shpejt, dhe bashkë me të edhe vaksina që do ta bëjë më të lehtë jetën tonë të përditshme dhe do ta kthejë jetën në atë që ne e quajmë normale.

Që nga vetë aprovimi i vaksinave në botë, shumë njerëz po e pyesin veten se kur do t’u vie radha atyre dhe kur do të mund të vaksinohen ashtu që sa më parë të mund t’i kthehen shprehive dhe jetës siç ishte para koronës. Më në fund, aty kah fundi i dhjetorit 2020, vaksina erdhi edhe në Serbi, derisa Kosova do t’i ketë vaksinat e saja të para, siç paralajmërojnë, në shkurt të këtij viti.  

Ashtu siç është tek ne që asgjë nuk mund t’i shpëtoj garës dhe skandalit politik, ashtu është edhe me vaksinimin.   

Në fakt, një ditë pas fillimit të vaksinimit në Serbi, një numër i caktuar i vaksinave përfundoi në Leposaviq, gjë e cila pati jehonë si në mediat në Serbi ashtu edhe në ato të Kosovës. Derisa mediat serbe transmetonin sukses, kurse politikanët natyrisht flisnin me krenari për vaksinimin e popullatës serbe në Kosovë, natyrisht që opinioni publik në Kosovë vuri në pikëpyetje legjitimitetin e një akti të tillë dhe mënyrën se si ato vaksina kanë hyrë në hapësirën e Kosovës. E tërë kjo situatë dukej tashmë si një skenar i njohur i cili vetëm pritej që të ndodhte.  

Më shumë se një muaj ka kaluar që nga ajo kohë, institucionet e Kosovës ende po përpiqen të zgjidhin rastin e vaksinave që hyjnë në Kosovë dhe po kryejnë bastisje nëpër institucione të caktuara shëndetësore duke i gjurmuar këto vaksina. Në tërë këtë situatë, mjekët serbë në Kosovë po protestojnë kundër reagimeve të institucioneve të Kosovës ndaj vaksinimit. Në të njëjtën kohë, politikanët serbë ofrojnë vaksinim edhe për komunitetet tjera në Kosovë dhe në fund vendosin të vaksinojnë serbët e Kosovës në komunat serbe përgjatë kufirit me Serbinë. Domethënë, si zakonisht dhe nga shprehia, një kaos i madh i krijuar nga politikanët për hir të fitimit të të pak poenave politik.

Në fund të fundit, nuk është pyetja se pse institucionet kosovare kanë reaguar ashtu siç kanë reaguar, as edhe pse politikanët serbë vendosën që menjëherë t’i dërgojnë vaksinat në veri të Kosovës. Një luftë politike që po zgjat pandërprerë. Pyetja është se si madje as pandemia nuk na ndihmoi që të solidarizohemi pak dhe të jemi më pak serbë apo shqiptarë, më pak politikanë serbë apo shqiptarë, e më tepër njerëz. Njerëz të cilët këtyre ditëve kanë nevojë për ndihmë dhe të cilët së bashku po jetojnë ngjarje të pashënuara.  

Merreni me mend një situatë në të cilën Serbia i ka marrë vaksinat shumë më heret se Kosova, dhe që në vend të sjelljes ilegale të vaksinave të kishin zgjedhur biseda të shpejta dhe efikase midis përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës, që një pjesë e vaksinave të përfundonte në Kosovë e me këtë të përshpejtonte procesin e vaksinimit nuk është me rëndësi të cilit komunitet në Kosovë. Po, merreni me mend nëse politikanët tanë do të mendonin pak më shumë për popullin e më pak për atë se kush do të fitojë ndonjë poen politik dhe cili do të tregohet më i fuqishëm. Do të kishte qenë e mrekullueshme po ta kishin bërë këtë, por për fat të keq kjo është joreale. 

Sado që kishte indikacione se pandemia na afroi pak dhe se po kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, duket se politikanët tanë nuk i ka lëvizur shumë nga vendi. Grindjet dhe betejat politike ende mbesin primare, kurse solidariteti dhe jeta e zakonshme njerëzore janë edhe më tej në margjina dhe varen nga vendimi se cila lojë politike do të jetë në rend të nesërmen.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.