Ndryshimi i formatit të dialogut – çmenduri

Faza përfundimtare! Njerëzit duan të hapin fazën përfundimtare të procesit i cili mbi 50% ka mbetur i parealizuar! Janë arritur dhe janë nënshkruar marrëveshje të cilat askush nuk ka pasur ndërmend t’i zbatojë. Edhe ajo që është zbatuar është bërë nën presion të fuqishëm, e ai presion nuk është dhe nuk mund të jetë aq i madh sa të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura, po ashtu nën presion.

0
1112

Muajt e fundit dialogu në Bruksel po qëndron i qetë, po stagnon, mund të themi që edhe nuk ekziston. Gjatë kësaj kohe nuk është bërë asgjë përkitazi me zbatimin e marrëveshjeve të gjertanishme, të cilat në masë të madhe kanë mbetur shkronjë e vdekur në letër, as për arritjen e marrëveshjeve për çështjet tjera që kanë mbetur të hapura. E vetmja gjë që po bëhet kohët e fundit “në kuadër të dialogut të Brukselit” është hedhja e disa ideve, për mua, të krisura si përgatitje për njëfarë faze të re të dialogut, fazë për të cilën shpeshherë mund të dëgjojmë frazën “faza përfundimtare e dialogut”.

Faza përfundimtare! Njerëzit duan të hapin fazën përfundimtare të procesit i cili mbi 50% ka mbetur i parealizuar! Janë arritur dhe janë nënshkruar marrëveshje të cilat askush nuk ka pasur ndërmend t’i zbatojë. Edhe ajo që është zbatuar është bërë nën presion të fuqishëm, e ai presion nuk është dhe nuk mund të jetë aq i madh sa të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura, po ashtu nën presion. Dhe tani, duke e pasur parasysh një situatë të tillë, si ju duken deklaratat të cilat mund të dëgjohen për inicimin e fazës së fundit të dialogut, fjalët për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog nga njëra anë, e si reagim ndaj kësaj fjalët për përfshirjen e Rusisë nga ana tjetër? Kjo mua më tingëllon plotësisht çmenduri. 

Pse çmenduri? Paj historia na mëson që sa herë Rusia dhe SHBA kanë zgjidhur diçka në Ballkan, ne asnjëherë nuk kemi kaluar mirë. Sa herë që lojërat e fuqive të mëdha thyhen mbi shpinën tonë, kurrizi ynë është ai që zakonisht pëson. Kështu ka qenë në të kaluarën e afërt, në vitet nëntëdhjetë, kur të gjithë neve na goditi një fatkeqësi e madhe. Duke folur konkretisht për Kosovën, situata është shumë e ngjashme. Në fund të fundit, edhe Rusia edhe SHBA-të kanë qenë aktivisht të përfshira në negociatat e dy palëve qysh nga konfliktet e luftës, edhe e dimë që e tëra përfundoi me shpalljen e NJËANSHME të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.   

Po ashtu, pas kësaj, çështja e Kosovës në masë të madhe u bart nga niveli i Kombeve të Bashkuara në nivel të Bashkimit Evropian, si organizatë e cila është më së afërmi të dyja palëve dhe drejt të cilës synojnë të dyja palët. Kjo, gjithsesi, është bërë pikërisht për t’u shmangur konfliktet e Rusisë dhe SHBA-së në organet e Kombeve të Bashkuara, kështu që në këtë mënyrë ka lehtësuar zbatimin e agjendës së dedikuar Kosovës pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë, duke e larguar Rusinë nga negociatat direkte (së pari teknike e mandej edhe politike). Unë personalisht nuk konsideroj që kjo ishte lëvizje e mirë, sepse pa zgjidhjen e kësaj çështjeje në Kombet e Bashkuara nuk mund të ketë zgjidhje të përhershme të çështjes së Kosovës. Heret a vonë në rend të ditës përsëri vjen çështja e anëtarësimit të Kosovës dhe e bllokadës eventuale nga ana e Rusisë dhe Kinës.

Sidoqoftë, nëse veç është nisur kjo rrugë, mendimi im është që duhet t’i shkohet deri në fund, sepse zbatimi i asaj që është dakorduar dhe zgjidhja e çështjeve tjera të vogla të hapura, e ka shumë sosh, thjesht imponohet si parakusht për një lloj marrëveshje përfundimtare dhe një zgjidhje të qëndrueshme. Përfshirja e SHBA-së dhe Rusisë në dialog në këtë moment vetëm do të çonte në anulimin e rezultateve të deritashme të dialogut dhe do të hapte një proces të ri, kualitativisht tjetër, por jo domosdoshmërisht më të mirë dhe afatgjatë, me një rezultat shumë të pasigurt, e të gjitha këto prapë mbi kurrizin tonë.