Në luftë mund të shkoni – vetë

Të gjithë atyre që mendojnë për këtë, që bëjnë thirrje për luftë të re apo e paralajmërojnë atë, duhet t’u themi: të dashur politikanë tanë, në luftë mund të shkoni - por vetë. Në luftë mund të shkoni, por me njëri-tjetrin në nivel politik, pa dërgimin e të pafajshmëve në të. Mund të shkoni në luftë, por pa ne. Pa të gjithë ne të cilëve lufta na e ka sjellë në majë të hundës. Ne që përpiqemi të jetojmë normalisht dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur që kurrë më të mos kthehemi atje ku kemi qenë gjatë viteve nëntëdhjetë. Në luftë mund të shkoni - vetë.

0
776

Thirrjet në luftë në këto hapësirat tona ka kohë që nuk janë asgjë e re. Jemi mësuar me gjenerata të ndryshme të politikanëve që prognozojnë se situata të ndryshme në këtë apo në atë mënyrë do të na çojnë në luftë. Mirëpo, kur jetoni në këtë regjionin tonë të trishtuar, i cili ka përjetuar aq luftëra sa nuk duhet kurrë më as të mendojë në ndonjë luftë të re, thirrja apo përmendja e luftërave është, thënë më së paku, stresuese. Por edhe e tmerrshme.   

Ndërsa Serbia dhe Kosova janë në proces normalizimi dhe ndërtimi të paqes (ose të paktën unë shpresoj se gjenden aty), ne të gjithë disi dëshirojmë të besojmë se politikanët do të qëndrojnë në atë rrugë dhe nuk do të bëjnë thirrje për luftëra. Por, siç ndodh zakonisht, të presësh diçka të tillë nga politikanët këtu tek ne është pothuajse e pamundur.

Derisa shumë politikanë tashmë kanë paralajmërur luftë, këtë herë i erdhi radha ish-kryesueses së ekipit negociator të Prishtinës në dialogun Beograd-Prishtinë, Edita Tahirit. “Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve të saj ekzistues, si një shtet i pavarur, do të kemi edhe luftë,” tha Tahiri gjatë një konference me temën “Rruga drejt marrëveshjes finale Kosovë-Serbi”.

Siç thashë më heret, të dëgjosh deklarata si kjo në hapësirat tona nuk është diçka e re, por disi, prapë e prapë, shpresojmë se një ditë do të ndalen. Por po ashtu nuk i presim nga dikush që ka udhëhequr delegacionin e Prishtinës në negociatat në Bruksel.

Nuk mund t’i iki mendimit se si cilido nga politikanët, që në ditën e sotme përmend luftën dhe bënë thirrje për të, të paktën për një moment nuk i kujton të gjitha tmerret që mbijetuan njerëzit në këtë hapësirë? Si nuk mendon asnjë prej tyre se çfarë mund të shkaktohet duke bërë thirrje ose paralajmërime për një luftë të re? Sa mund të ndikojë kjo tek njerëzit e zakonshëm? Tek ata që në luftë humbën më të dashurit e tyre? Ata që vazhdojnë t’i përjetojnë traumat?

Edhe më e rëndë është kur dëgjon se kjo deklaratë erdhi nga dikush që ka udhëhequr negociatat për procesin e normalizimit dhe nga e cila mbase do të duhej të presim një qasje pak më paqësore dhe më ndryshe. Sidomos kur e marrim parasysh se negociatat në Bruksel në asnjë moment nuk kanë nënkuptuar njohjen e Kosovës nga Serbia, gjë e cila, për zonjën Tahiri, duket se është arsyeja kryesore për një luftë të re.

Në fund të fundit, është çështje kohe kur edhe dikush tjetër do të përmendë luftëra të reja, qoftë nga pala serbe, qoftë nga ajo e Kosovës. Prandaj, të gjithë atyre që mendojnë për këtë, që bëjnë thirrje për luftë të re apo e paralajmërojnë atë, duhet t’u themi: të dashur politikanë tanë, në luftë mund të shkoni – por vetë. Në luftë mund të shkoni, por me njëri-tjetrin në nivel politik, pa dërgimin e të pafajshmëve në të. Mund të shkoni në luftë, por pa ne. Pa të gjithë ne të cilëve lufta na e ka sjellë në majë të hundës. Ne që përpiqemi të jetojmë normalisht dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur që kurrë më të mos kthehemi atje ku kemi qenë gjatë viteve nëntëdhjetë. Në luftë mund të shkoni – vetë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.