Negociatat e kujt?

Komuniteti ndërkombëtar duhet të këshillojë dhe lehtësojë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta rihapur Dialogun dhe të mos përdorë metoda që sjellin ndarje dhe diskriminim. Ai duhet të ketë një politikë të njëjtë për të dyja palët. Duhet t’u mundësojë të dy qeverive ta zhvillojnë e të bien dakord për politikën e tyre dhe të mos duket sikur po e minon atë.

0
705

Albin Kurti njoftoi të premten vonë se qeveria e Kosovës po e hiqte tarifën 100% për lëndët e para të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Deri në 1 Prill, tarifat e tjera të mbetura do të hiqeshin dhe do të zbatohej reciprociteti i plotë. Ky ishte një vendim që, siç duket, u mor nën presion të madh nga SHBA dhe partneri i koalicionit qeveritar, Lidhja e Kosovës Demokratike (LDK). Ky vendim ngre disa pyetje, një nga të cilat është – ndërmjet kujt është Dialogu dhe negociatat për normalizim. A janë ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo Kosovës dhe SHBA-së?

Bisedimet nuk janë kurrë një lojë 100%. Kurti në shkurt, si hap i parë, njoftoi se tarifat do të reduktohen më 15 mars në një proces në disa faza si një veprim me shpresën se Serbia do t’i hiqte barrierat e saj jo-tarifore në tregtinë me Kosovën dhe do ta ndërpriste fushatën e saj të çnjohjes. Kjo u mirëprit nga BE, nga Përfaqësuesi i Lartë i saj, Josep Borrell, si një hap i parë i mirë në drejtimin e duhur, megjithëse rifillimi i Dialogut do të kërkonte heqjen e plotë të tarifave.

Richard Grenell, i dërguari special presidencial i SHBA-së për Negociatat për Paqe midis Serbisë dhe Kosovës, tha se SHBA nuk e mbështesin këtë “masë gjysmake” të Kryeministrit Kurti dhe se taksat duhet të hiqeshin plotësisht. Udhëheqësit politikë amerikanë pastaj kërcënuan se do ta rishikojnë qëndrimin ndaj Kosovës dhe të vendosin sanksione indirekte. Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (MCC), një agjenci qeveritare amerikane puer ndihmë jashtë vendit, ndaloi programin e saj prej rreth 50 milion dollarë ndihmash ekonomike, duke theksuar në mënyrë specifike moszgjidhjen e çështjes së tarifave.

Edhe SHBA dhe BE kishin kërkuar nga pala serbe që t’i jepte fund politikës së saj të lobimit për çnjohjen e Kosovës nga shtetet të cilat tashmë kishin njohur Republikën e Kosovës. Disa ditë pas njoftimit të Kurtit në lidhje me procesin me faza, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Dačić, njoftoi se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e saj të Kosovës. Asnjë sanksion nuk u vendos ndaj Serbisë nga Uashingtoni. Duket se nuk ka paritet në qasje.

Pesë ditë para njoftimit të Qeverisë për heqjen e tarifave, Kurti kishte kërkuar falje që ai nuk kishte qenë në gjendje të zbatonte politikën e tij në faza lidhur me tarifën pasi nuk kishte qenë në gjendje të merrte mbështetjen e partnerëve të tij në koalicionin qeveritar, LDK. LDK kishte mbështetur plotësisht kërkesën e SHBA për heqjen e plotë të tarifave duke argumentuar natyrën imperative të marrëdhënieve SHBA-Kosovë.

Ndoshta duhet ta pyesim veten në çfarë mase ka kjo një sfond politik. Shtetet e Bashkuara janë në vitin e zgjedhjeve. Presidenti Trump po kërkon të zgjasë mandatin e tij e madje  edhe një sukses në dukje i politikës së jashtme në Ballkanin jugor mund të duket se sjellë vota. Siç shkroi eksperti i respektuar i çështjeve të Ballkanit, Eric Gordy, në këtë faqe disa muaj më parë, politika dhe qasja e Grenell-it lidhet drejtpërdrejt me fushatën e rizgjedhjes së Donald Trump-it.

Në Kosovë ndërkaq ka një mungesë të qartë uniteti politik brenda koalicionit, jo vetëm sa i përket procesit të normalizimit. Presidenti Hashim Thaçi gjithashtu ndjek papra një axhendë të veçantë. Nuk mund të ketë dyshim se këto kontradikta janë kryesisht politike.

Josep Borrell është në fillim të mandatit të tij si Përfaqësues i Lartë i BE-së. Ai duhet të merret me dy vende, të cilat që nga fillimi ishin ose në një proces të zgjatur të formimit të qeverisë ose një tjetër që është në periudhë para zgjedhore. Ai ka treguar se po bën përpjekje dhe po i dedikon burime specifike procesit të Dialogut, përfshirë me vizita në të dyja vendet.

E gjitha kjo po ndodh tani me pandeminë Covid 19 në sfond që po përhapet në të gjithë botën pa marrë parasysh kufijtë ose njohjet e vendeve. Kushdo që ka fatin e keq të preket nga virusi vuan njësoj si kushdo tjetër, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, fetare ose racore; pavarësisht kufijve.

Duket se objektivi më i rëndësishëm aktualisht pas tri viteve të vështira duhet të jetë gjetja e mënyrave për rindërtimin e besimit midis palëve, Serbisë dhe Kosovës, dy kundërshtarëve të mëparshëm. Kjo është krejt e qartë tani në Ballkanin pandemik, në Evropën pandemike. Do të jetë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë, por duhet të ketë një fillim. Ndoshta të dyja palët mund të mendojnë se si mund të këmbejnë përvojën e tyre me Covid 19, njohurinë, resurset e tyre në interes të njerëzve që jetojnë në territoret e tyre.

Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje të arrijë konsensus dhe pajtim të brendshëm për politikën e saj. Ajo duhet ta kuptojë rolin e saj kushtetues në këtë vend të ri evropian që po bën përpjekje të jetë demokraci funksionale. Qeveria duhet t’i përgjigjet pyetjes nëse duhet njëzëri apo me konsensus të marrë pronësinë e një procesi për të cilin është rënë dakord e jo ta shohë atë si funksion të një raporti tjetër. Kjo do ta lehtësojë riangazhimin e saj në DIalog me palën tjetër, Serbinë.

Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet ta kujtojë premtimin e saj zgjedhor për t’iu afruar komunitetit serb dhe të shihet implementimi i tij.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të këshillojë dhe lehtësojë përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta rihapur Dialogun dhe të mos përdorë metoda që sjellin ndarje dhe diskriminim. Ai duhet të ketë një politikë të njëjtë për të dyja palët. Duhet t’u mundësojë të dy qeverive ta zhvillojnë e të bien dakord për politikën e tyre dhe të mos duket sikur po e minon atë.

BE-ja, si një organizatë multilaterale, në të cilën palët aspirojnë të anëtarësohen, ka një strukturë ekzistuese për procesin e lehtësimit, megjithëse nën Përfaqësuesin e Lartë të mëparshëm nuk arriti ta shfrytëzojë levën e saj dhe i mungoi pariteti në qasjen ndaj të dy palëve. Shpresohet që kjo të ndryshojë nën Borrellin. Kjo përshtatet me modelin e pas Luftës së Dytë Botërore të punës së përbashkët, të cilin historia e ka dëshmuar si efektiv dhe një model që pandemia Covid 19 po e risjellë edhe një herë.