Nevoja për qartësi e përpjekje

Imagjinoni sikur serbët e Kosovës të ishin haptas për një pranim të realitetit, dhe për rrjedhojë, për një rikthim kah problemet e tyre reale. A nuk do t’i ndihmonte kjo artikulimit të Presidentit Vučić edhe më shumë? Padyshim. Kjo do ta çonte edhe vetë Serbinë më përpara drejt BE-së, dhe do t’iu jepte zë njerëzve të këtushëm për zgjidhjen e problemeve të këtushme.

0
1629

Në letrën e tij të famshme, presidenti Vučić e bën një adresim të qartë e konkret. Ai merret me ata që as nuk e dinë se ku ndodhen vendbanimet serbe në Kosovë, e jo me ata që jetojnë aty. Padyshim, Vučić si çdo lider tjetër në demokraci është i varur nga opinioni i përgjithshëm në Serbi. Rënja e popullaritetit mund ta rrënojë. Demokracia, sado e brishtë qoftë, i bën politikanët të ndjejnë nevojën e përgjegjësisë për veprimet që marrin. Të shkruajnë letra. Të arsyetojnë. Të krijojnë transparencë për qasjen në dokumente zyrtare etj. Prandaj, letra e Vučićit duhet parë nga ky këndshikim. Këtu nuk po shoh ndonjë hipokrizi. Thjesht një veprim të matur për të mos polarizuar e shkaktuar humbje të përkrahjes.

Është e vërtetë se ai ka thënë shpesh që “Kosova është pjesë e Sërbisë”. Madje, do të ishte e çuditshme po të mos e thoshte marrë parasysh opinionin e serbëve për çështjen e Kosovës. Kjo është politika në demokraci. Nuk mund t’iu dalësh kundër bindjeve të shumicës aq lehtë. Qofshin ato bindje fashiste a të tjera të paevidencë.

Pra, është e qartë se opinioni i njerëzve ka shumë rëndësi. Është e domosdoshme që serbët e Kosovës të flasin. Të tregojnë se çka duan. T’iu tregojnë serbëve të Serbisë se a mund ta pranojnë këtë realitet politik në të cilin po jetojnë. Nuk mund të pritet vetëm nga liderët orientimi. Nuk duhet pritur nga Vučić që t’iu tregoj se çka të mendojnë. Përkundrazi, duhet që orientimi të niset nga këtu. Nga qytetarët e thjeshtë dhe opinioni i tyre. Është e domosdoshme që perspektiva konkrete e secilit të mos ekskomunikohet nga ligjërimi. Të përfshihet. Po, e vërtetë, ekzistojnë një milion probleme, e prapë, ekziston një mundësi për zgjidhjen e tyre. Gjë e keqe është nëse serbët e Kosovës i lejojnë njëmend ata që kurrë nuk kanë qenë në Kosovë, të përzihen e të merren me punët e tyre. Ndonjëherë, ajo që servohet si ndihmë, nuk është tjetër veçse një element për pushtim e dominim.

Imagjinoni sikur serbët e Kosovës të ishin haptas për një pranim të realitetit, dhe për rrjedhojë, për një rikthim kah problemet e tyre reale. A nuk do t’i ndihmonte kjo artikulimit të Presidentit Vučić edhe më shumë? Padyshim. Kjo do ta çonte edhe vetë Serbinë më përpara drejt BE-së, dhe do t’iu jepte zë njerëzve të këtushëm për zgjidhjen e problemeve të këtushme.

Ekzistojnë tepër shumë probleme të zgjidhshme në shoqërinë tonë, kosovaren pra, e të cilat shkaku i ‘çështjeve të mëdha’ po i dëbojmë nga ligjërimi. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa të shkëputemi nga ligjërimet prapakthyese, e që ushqehen nga e kaluara, në mënyrë që të ardhmen ta bëjmë më të mirë për aq sa mundemi.

Integrimi i serbëve në Kosovë nuk mund të ndodhë ashpërsisht e arbitrarisht, pa një vullnet të qartë e të shprehur të këtyre të fundit. Prandaj, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në debatet që shtrohen mbi këtë problematikë në Serbi e Kosovë, dhe sidomos artikulimi i qëndrimeve të tyre, është sot gjëja më e rëndësishme. Veçse, mos të harrojmë diçka relevante këtu. Ato që ne i mendojmë tani për tani, e këtu, mund të mos jenë mendimet tona të vërteta. Është e rëndësishme që shoqëria të mos ndjell nevojën e politikanëve për popullizëm. Duhet mirëkuptuar vullneti për pushtet. Në politikë, kjo haset gjithkund. Prandaj, gjëja e parë që duhet bërë është të thellohemi më tej në atë që e mendojmë. T’i largojmë ato mendime që na janë lidhë rastësisht në mendje. Ja çka thotë Niçja për këtë punë: “Opinioni i parë që na vjen në mend kur pyetemi befas për një gjë, zakonisht nuk është i yni, por vetëm i përbashkët, ai i kastës sonë, pozicionit, i origjinës; opinionet tona vetjake rrallë dalin në sipërfaqe.”