Njohja apo mosnjohja e Kosovës – kush e çan më kokën për këtë?

Çka nënkuptojnë për Kosovën si të tillë këto tërheqje të njohjeve dhe njohjet? A do ta pakësojë ekzistimin dhe funksionimin e Kosovës si shtet çkado nga këto – sepse të gjithë ne e kemi të qartë që Kosova ashtu funksionon? Definitivisht që jo. Kështu që në fund na mbetet, si zakonisht, të kuptojmë që e tërë kjo është vetëm edhe një lojë tjetër politike prej të cilës nuk fitojmë absolutisht asgjë. Eventualisht mund të humbasim duke përcjellur grindjet politike në nivel ditor. 

0
752

Kanë kaluar dymbëdhjetë vite qëkur Kosova në shkurt 2008 e shpalli pavarësinë. Që prej atëherë e deri më sot është e përhershme lufta midis politikanëve në Serbi dhe në Kosovë rreth asaj se kush e ka njohur pavarësinë e Kosovës e kush jo, cili është numri i saktë i shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet, cili shtet e ka tërhequr njohjen… Dhe kështu deri në pafundësi. 

Edhe pse e vetëdijshme që kjo nuk është plotësisht e saktë, gjithmonë e kam përshtypjen që të gjitha kanë filluar me Ministrin aktual të punëve të jashtme, Ivica Dačić, dhe me mburrjen e tij të vazhdueshme rreth asaj se cili shtet e ka tërhequr njohjen e Kosovës. A është reduktuar e tërë puna e ministrit Dačić ekskluzivisht në kërkimin e shteteve të cilat me disa kushte do të tërhiqnin njohjen e Kosovës, sepse të gjitha të tjerat janë punë e presidentit të Serbisë, kjo mbetet pyetje për një herë tjetër. Sido që të jetë, kur Ivica Dačić del me lajm për tërheqje të njohjes së Kosovës, kryesisht na nevojitet harta e botës për të gjetur se ku ndodhet ai shtet i caktuar. Ndoshta është në pyetje njohja e dobët e gjeografisë, mungesa e informatave për pikërisht të gjitha shtetet në botë, por çfarëdo qoftë që të jetë problemi, shtetet me të cilat mburrej ministri serb kryesisht nuk kanë qenë edhe aq të njohura. Të paktën jo për neve në Ballkan. 

Po kjo çështje e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës këto ditëve u bë një nga temat për opinion. Për befasinë e të gjithë neve, kësaj here kjo çështje nuk erdhi nga ministri Dačić. Erdhi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt, ai në llogarinë e tij në twitter publikoi lajmin se Xhamajka e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Vetëm disa orë pas kësaj, ministrja e punëve të jashtme e Xhamajkës e mohoi këtë lajm, duke theksuar që Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. 

Është e qartë për të gjithë ne se bëhet fjalë për politikën e lartë dhe diplomacinë dhe që gjëra të këtilla janë të një rëndësie të madhe si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Por në fund të fundit, çka do të thotë kjo për qytetarët në Kosovë? A do të ndryshojë diçka njohja e pavarësisë apo tërheqja e saj për një njeri të zakonshëm që jeton në Kosovë? Përgjigjja është goxha e qartë: definitivisht që nuk do të ndryshonte. Në fund të fundit, kam përshtypjen që gjithçka është reduktuar në shakatë në këtë temë dhe kryesisht në llogari të ministrit serb të punëve të jashtme, Ivica Dačić.

Përveç kësaj, mbetet edhe pyetja se çka nënkuptojnë për Kosovën si të tillë këto tërheqje të njohjeve dhe njohjet? A do ta pakësojë ekzistimin dhe funksionimin e Kosovës si shtet çkado nga këto – sepse të gjithë ne e kemi të qartë që Kosova ashtu funksionon? Definitivisht që jo. Kështu që në fund na mbetet, si zakonisht, të kuptojmë që e tërë kjo është vetëm edhe një lojë tjetër politike prej të cilës nuk fitojmë absolutisht asgjë. Eventualisht mund të humbasim duke përcjellur grindjet politike në nivel ditor. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.