Pavarësi elektroenergjetike, e çka më tej?

Lajmi për pavarësimin elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia ka ngritur shumë pyetje tek serbët në veri. Së pari, duhet të theksohet se askush nuk i informoi ata për këtë, veçanërisht askush nga politikanët serbë, kështu që ky lajm erdhi në mënyrë mjaft tronditëse, megjithëse në bazë të marrëveshjeve, ishte diçka e pritur.

0
1439

Që nga mesi i dhjetorit të këtij viti, Kosova është bërë zyrtarisht entitet i pavarur energjetik brenda Rrjetit Evropian të Energjisë. Në të njëjtën kohë kjo nënkuptoi edhe ndalimin nga ana e Serbisë të transmetimit të 500 megavatëve të energjisë elektrike që importonte Kosova. Duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit, por edhe marrëveshjes me Rrjetin Evropian të Energjisë, ky zhvillim është diçka që mund të ishte paraparë dhe pritur shumë kohë më parë. Megjithkëtë, jo edhe për serbët e Kosovës. 

Është diçka në përgjithësi e njohur se, nga përfundimi i luftës e deri më sot, ndërprerjet dhe problemet me energjinë elektrike në Kosovë janë bërë pjesë e jetës së përditshme dhe, për më tepër, janë bërë diçka normale. Ndërprerjet dhe ardhja e rrymës nuk janë më as diçka problematike për këdo që jeton në Kosovë. Megjithatë, pagesa është problematike.  

Në fakt, nga përfundimi i luftës e deri më sot, serbët në veri të Kosovës nuk i kanë paguar faturat e tyre të energjisë elektrike. Shumë faktorë kanë çuar në këtë situatë, të tilla si varfëria dhe rrogat  mesatare shumë të ulta, deri te fakti se serbët në veri nuk e dinë se kujt do t’ia paguanin atë energji elektrike. Si me shumë gjëra dhe institucione të tjera, ende është e paqartë se kush është përgjegjës dhe kujt duhet drejtuar në pjesën në veri. Deri në vitin 2017, për tërë energjinë elektrike në veri paguanin banorët në jug të Ibrit. Çfarë ka ndodhur me borxhet e energjisë që nga viti 2017 është ende diçka e panjohur. 

Duke marrë parasysh këtë, lajmi për pavarësimin elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia ka ngritur shumë pyetje tek serbët në veri. Së pari, duhet të theksohet se askush nuk i informoi ata për këtë, veçanërisht askush nga politikanët serbë, kështu që ky lajm erdhi në mënyrë mjaft tronditëse, megjithëse në bazë të marrëveshjeve, ishte diçka e pritur. Edhe një herë, shumë gjëra paraqiten si të dhunshme dhe të papranueshme, derisa në fakt ato qëmoti ishin nënshkruar nga politikanët serbë.

Një gjë tjetër që shqetësoi serbët në veri është pagesa e energjisë elektrike tani e tutje. Pas gati dy dekadave të mospagimit, lindi pyetja se si dhe kujt duhet t’i paguhet energjia elektrike tani, kur sistemi i Kosovës është i pavarur nga ai serb. Për shkak të të ardhurave shumë të ulëta mujore, një nga pyetjet është padyshim ajo se si të përballohet pagesa e energjisë elektrike. Përveç kësaj, pyetja është se çfarë do të thotë pavarësia e sistemit të Kosovës, më saktësisht, edhe po ta paguanin të gjithë, kujt do t’ia paguanin serbët atë energji elektrike. Dhe në fund, a do të thotë kjo pavarësi e sistemit energjetik të Kosovës që serbët duhet të paguajnë borxhet e tyre të deritashme në mënyrë retroaktive? 

Edhe pse pagesa e energjisë elektrike është diçka krejtësisht normale, për banorët e veriut të Kosovës ky është prapëseprapë një shok dhe një goditje për të ardhurat mujore. Prandaj, ky lajm u prit, në mënyrë tronditëse dhe mbi të gjitha pa udhëzime dhe shpjegime se çfarë dhe si të shkohet tutje. Derisa të gjithë jemi duke pritur që dikush të na shpjegojë pse ndodhi kjo, sepse kjo nuk i është shpjeguar asnjëherë popullatës së zakonshme, ne gjithashtu jemi duke pritur që dikush të na shpjegojë si të veprojmë më tutje, a do ta paguajmë rrymën dhe kujt do t’i paguajmë. Deri atëherë, shpresojmë që politikanët të bëjnë përpjekje dhe bile të marrin mundimin më të vogël për të na e bërë jetën më të lehtë të gjithëve. Kjo përpjekje ka të bëjë me minimumin, që është informimi i qytetarëve për atë që do të pasojë. Ndërsa jeta në veri është akoma edhe atje edhe këtu, do të ishte e dobishme që dikush t’i njoftojë njerëzit e zakonshëm se çfarë i pret. Në këtë rast, si do të ndikojë pavarësimi i sistemit elektro-energjetik të Kosovës mbi ta dhe jetën e tyre të përditshme.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.