Për herë të parë pranë njëri-tjetrit

(Lojërat Olimpike Evropiane – Baku 2015)

0
1047

(Lojërat Olimpike Evropiane – Baku 2015)

Këtë vit në Baku, kryeqytetin e Azerbejxhanit, po mbahet një ngjarje historike. Lojërat e para Olimpike Evropiane janë gjithsesi një ngjarje historike. Mirëpo, do të thosha që për dikë kjo ngjarje është, të them ashtu, edhe më ‘historike’. Në këto lojëra do të marrin pjesë më shumë se 6000 sportistë nga 50 vendet të botës. 50 shtete? Nëse i pyesni serbët, aty janë 49 shtete, por (për fat të keq apo jo), serbët askush nuk po i pyet më për këtë. Po, Kosova merr pjesë në këto lojëra. Kosova si shtet, të kuptohemi.

Lojërat e para Olimpike Evropiane janë hapur solemnisht në Baku më 12 qershor me parakalimin solemn të delegacioneve të shteteve anëtare. Për të parën herë në të njëjtin parakalim u gjendën dy flamuj. Dy flamuj për të cilët ne serbët shpresuam që nuk do të gjenden në të njëjtin parakalim, por me paraqitjen e të cilëve ne duhet të pajtohemi. Po flas për flamurin serb dhe atë të Kosovës. Këtë të drejtë (si shtet i pavarur që serbët nuk e konsiderojnë si të tillë), Kosova e ka fituar me njohjen nga ana e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në këtë parakalim kemi pasur rastin të shohim Majlinda Kelmendin, kampionen botërore në xhudo, si i prinë delegacionit nëntëmbëdhjetanëtarësh të Kosovës, e pastaj Milica Mandićin, kampionen olimpike në tekvondo, se si e udhëheq delegacionin e Serbisë që numëron 132 anëtarë. Pamje e çuditshme, apo jo? E çuditshme, por historike. E tani a është kjo pamje historike e dashur për dikë apo jo, kjo është çështje tjetër. Nëse i pyesni 19 anëtarët e delegacionit kosovar, ata do t’ju thonë që kurrë në jetën e tyre nuk kanë qenë më krenar, që ishte nderi i tyre më i madh të ecin pas flamurit të shtetit të tyre të ri i cili për herë të parë po merr pjesë në një ngjarje të këtillë. Në LOJËRAT OLIMPIKE hej! Nëse i pyesni 132 anëtarët e delegacionit serb se si e kanë ndjerë veten kur e kanë parë edhe flamurin e Kosovës në atë parakalim sigurisht do të merrni përgjigjen që nuk e kanë ndierë veten mirë. Por sigurisht që edhe ata kanë qenë tejet krenar që mund të përfaqësojnë vendin e tyre (apo nëse doni vendin e tyre pa një pjesë të tij të cilën e kanë përfaqësuar në lojërat e gjertanishme). A e meritojnë ata të ndiejnë këtë ndjenjë të pakëndshme që sigurisht e kanë pasur atë natë? Jo! Ata janë sportistë dhe gjenden aty që në mënyrë sportive të garojnë në disciplinat e tyre, e madje edhe me kolegët nga Kosova. Ata janë sportistë siç janë sportistë edhe djemtë e vajzat nga Kosova që po ashtu meritojnë rastin që të garojnë. Të cilët po ashtu angazhohen me shumë mund dhe kanë të drejtë të garojnë për vendin e tyre. Prandaj nga ajo ana sportive jam edhe i lumtur që kjo mundi të kalojë në këtë mënyrë, në mënyrën që të gjithë të kenë rastin të garojnë dhe të kënaqen në frymën olimpike gjë që është ëndërr e çdo sportisti. Thashë më vjen mirë nga ANA SPORTIVE!

Ato “anë të tjera”, ato aspekte të tjera të kësaj çështjeje nuk jam i sigurt nëse edhe meritojnë të kenë vend në këtë tekst. Por të gjithë ne e dimë që nuk mundemi pa këtë. Mund të flasim për luftën, për viktimat, për fërkimet midis nesh, për “pajtimin” dhe pajtimin e vërtetë, për pranimin dhe mospranimin, për Dačić-in dhe Thaçin, për Vučić-in dhe Mustafën, për negociatat, për lobuesit, për urën dhe “parkun e paqes”, për alpinizmin nëpër kisha dhe shumë tema tjera serioze që ndikojnë në jetën tonë apo në perceptimin tonë për jetën në Kosovë, por megjithatë mendoj që nuk duhet të ketë vend për gjëra të tilla në këtë tekst. Sporti është megjithatë diçka e pastër (apo bile diçka që do të duhej të jetë e pastër), diçka kalorësiake, diçka ku fitojnë ata që janë më të përgatitur, më të mirë, ai që ka trajnuar më shumë dhe për këtë duhet gjithmonë të përgëzohet. Ky është ndoshta vendi i vetëm ku me të vërtetë fiton më i miri, ku fitojnë e vërteta dhe drejtësia. E të gjitha padrejtësitë dhe gënjeshtrat, makinacionet dhe lobimet gjithmonë na mbeten neve për argëtim, bile këtë dimë të bëjmë dhe duket se nuk mundemi pa këtë. Edhe një herë për fund, të gjithë e meritojnë rastin që të garojnë dhe të tregojnë të gjitha ato për çka janë përgatitur dhe le të fitojë më i miri pa marrë parasysh nën cilin flamur.