Për pakicën e pamatshme

Midis këtyre veteranëve ka njerëz që kanë zbuluar varreza masive, që sot shoqërohen me njerëz me të cilët kanë luftuar fyt për fyt, njerëz plot shrapnel e ankthe. Por njerëz që kanë prirje për humor të pazakontë dhe vullnet për jetë. Pas përkujtimeve, zakonisht tregohen histori komike nga lufta, të cilat duhet të zbusin pikëllimin i cili i kaplon të gjithë të pranishmit.

0
2778

Duhet të jesh mazokist, në njëfarë mënyre, që të pranosh me vetëdije të ndiesh dhimbje dhe vuajtje. Por ky lloj «mazokizmi» është diçka tjetër. Është vuajtje që fisnikëron, që ta mundëson që përsëri të gjesh të njerëzishmen brenda vetes.

Kështu shkurtazi do të mund t’i përmbledhja përvojat e mia të bashkëpunimit me Qendrën për Veprim të Padhunshëm, e cila me dy adresat e saj, në Beograd dhe Sarajevë, ka mision ndërtimin e paqes dhe pajtimit në këtë rajon, në radhë të parë duke punuar me veteranët e luftërave jugosllave prej vitit 1991 deri më 1999.

Takimi i fundit ndodhi në Velika Klladushë. Nëse e shikojmë luftën e fundit në BeH, atëherë ky është qyteti më specifik në këtë republikë, sepse këtu ndodhi konflikti tragjik ndërboshnjak, pasojat e të cilit edhe sot e kësaj dite ndihen në këtë qytet dhe këtë rajon. Si një plagë që dhemb dhe që vështirë do të shërohet qëndron fakti se në këtë luftë nga të dyja palët humbën jetën gati 3,000 njerëz. E pasi që edhe vetë unë isha pjesëtar i të ashtuquajturës Autonomisë së Parë, luftës së parë midis korpusit të 5 dhe njësive të Mbrojtjes Popullore, atëherë e di që këtu kanë humbur jetën luftëtarët më të rinj dhe më elitarë. Mjafton të shikohen datëlindjet në gurët e varreve në Dubravë për t’u bindur se barrën e kësaj lufte e kanë bartur gjeneratat e personave që kanë lindur rreth vitit 1970.

Kështu u zhdukën breza të tërë të njerëzve të rinj dhe të aftë. Dhe kurrë nuk do të mund të mësojmë se çfarë do të mund të bëheshin ata sikur të mos kishte pasur luftë. Kam pasur edhe unë të njohur e miq të cilët humbën jetën në këto fushëbeteja. I njoh familjarët e tyre më të ngushtë dhe e di që kjo vuajtje nuk do të kalojë kurrë. Përndryshe pjesëtarët e Mbrojtjes Kombëtare i quanim autonomistë, dhe e di që i urrenim më shumë se pjesëtarët e Ushtrisë së RS, të cilët i quanim çetnikë. E tillë është lufta vëllavrasëse. I yti urrehet më së shumti, sepse më së shumti mund t’ju zhgënjejë ai që ka qenë më i afërti me ty.

Takimi fillestar u bë në kullën e Qyteti të vjetër, i cili me lartësinë e tij dominon mbi tërë hapësirën e Klladushës. Pati më shumë se 25 veteranë të të gjitha ushtrive që erdhën për të marrë pjesë në aktin nismëtar të fillimit të procesit të pajtimit në këtë rajon. Momentet më të rëndësishme janë ato kur i bëhet homazh ushtarëve të vdekur të të dyja palëve. Së pari shkuam tek varrezat e anëtarëve të MP-së. Pikërisht në kufi me Kroacinë gjenden, sipas të gjitha gjasave, varrezat më të çuditshme në të cilat kam qenë ndonjëherë. Varret janë të vendosura brenda një fabrike, hangarët e së cilës janë shkatërruar dhe janë mbuluar me barishte. Për varrezat kujdeset shoqata e pjesëtarëve të vdekur dhe të zhdukur të Mbrojtjes Popullore. 

Kjo varrezë e çuditshme sikur ka dalë nga filmi Stalker (1979) i Andrej Tarkovskit. Varreza është e jashtëligjshme, por askush nuk e prek. Ashtu siç u desh që tyrbja e shehitëve për pjesëtarët e korpusit të 5 të vendosej në oborrin e xhamisë, sepse pushteti i atëhershëm pro-Abdićit nuk dha leje ndërtimore për të. Mosmarrëveshjet politike zhvillohen kështu edhe mbi eshtrat e të vdekurve. 

Këtu u vendosën lule për ata që humbën jetë dhe u tha një lutje dhe një minutë heshtjeje. Fjalime të shkurtëra mbajtën Osman Zulić para invalidëve të luftës të Mbrojtjes Popullore dhe komandanti i Brigadës 506, Nijaz Miljković. Fjalimet e tyre ishin dinjitoze dhe emocionale. Të dy folësit haptazi bënë thirrje për pajtim dhe faljen e njëri-tjetrit. Fytyrat e veteranëve të tjerë të luftës i thoshin të gjitha. Kur dikush e thotë të vërtetën nga zemra vetëm një reagim është i mundshëm, dhe ky është ngushëllimi dhe pikëllimi në sytë e këtyre luftëtarëve të rryer, të cilët sot janë paqebërësit më të mirë të mundshëm në rajon.

Midis këtyre veteranëve ka njerëz që kanë zbuluar varreza masive, që sot shoqërohen me njerëz me të cilët kanë luftuar fyt për fyt, njerëz plot shrapnel e ankthe. Por njerëz që kanë prirje për humor të pazakontë dhe vullnet për jetë. Pas përkujtimeve, zakonisht tregohen histori komike nga lufta, të cilat duhet të zbusin pikëllimin i cili i kaplon të gjithë të pranishmit.

Pastaj shkuam në kullë dhe biseduam për përshtypjet nga vizita e përmendoreve në Klladushë. Secili veteran prezantohet dhe tregon shkurtimisht historinë e vet jetësore, ose tregon se çfarë i ka bërë përshtypje gjatë kësaj vizite. Këto janë momentet e katarzës më të madhe. Gjëra të tilla nuk mund të gjenden në tekstet shkollore, dhe kjo nuk është diçka që mund të mësohet. Në një moment, duke shikuar fytyrat e veteranëve, vura re se si kamarierët, të tërhequr nga rrëfimi i ndonjë veterani, kishin lënë punën e tyre pas banakut dhe kishin dalë para tij. Qëndronin aty të shtangur, të hipnotizuar me aq shumë emocione, e fytyrat e tyre ishin plot empati e të zëna ngërç. 

Kjo është ajo vuajtja nga fillimi i këtij tregimi. Për shkak se duhet të jesh në gjendje të dëgjosh rrëfimet përplot me të vdekur, të plagosur, të dëgjosh tregime traumatike të rrahjeve nëpër llogore. Ndonjëherë me ngurrim pranoj të shkoj në takime të tilla të pajtimit, sepse dua të ruaj veten nga emocionet e rënda dhe sepse njeriu me vite bëhet i mbyllur dhe pa ndjenja për vuajtjen e të tjerëve. Por gjithmonë kthehem në shtëpi plot energji dhe pak rrezatues. Sepse shoqërimi me këta njerëz ma kthen besimin në shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Sepse i harroj të gjitha marrëzitë që më rëndojnë në jetën e Sarajevës. Atëherë e shoh se sa e vogël, egoiste dhe e parëndësishme është kjo jetë plot pezëm e mjerim. Kur kthehem në shtëpi ndihem sikur kam filluar përsëri dhe jam mbushur me energji më të mirë sesa ajo me të cilën është i mbushur ky qytet i mjerë. 

Prandaj është e mirë vuajtja. Ajo i fisnikëron vetëm ata që duan të fisnikërohen. Kjo është ajo “pakica e pamatshme” së cilës duhet t’i përkasim. Unë mbështes me pasion atë të ardhme në të cilën emrat e heronjve të tillë të pasluftës do të jehojnë nëpër përjetësi. Të atyre që e dinë se çka është absurditeti i luftës, dhe mu për këtë arsye janë në gjendje të bashkëndjejnë me vuajtjen e ish-armiqve të tyre dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin për të kapërcyer së bashku traumat e luftës.